Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 20 shkurtit, sapo mbylli biznesin pranë xhamisë së Namazgjasë, Tetem Toraj, pa rastësisht një të njohurin e tij, të cilin e përshëndeti.
Në të njëjtën kohë, në rrugë kishte ende disa militantë të Partisë Demokratike dhe deputetë të saj që po çonin drejt përfundimit protestën kombëtare që nisi nga kryeministria, e përfundoi me sulme me molotovë te xhamia, pranë Kuvendit.
Në pak minuta, përballë tyre u shfaqën deputetët Flamur Noka, Xhelal Mziu e Belind Këlliçi. Menjëherë sulmuan personin që 30-vjeçari takoi, duke e akuzuar se kishte arrestuar protestues të tyre.
Sipas kallëzimit të qytetarit të cilin Report Tv e siguron, pikërisht në këtë moment Tetem Toraj, mësoi se bashkëfshatari që dikur kishte pasur në lagje, ishte efektiv policie. Në atë moment, Krenar Metaj, agjent në komisariatin numër 1 në Tiranë, ishte civil.
I gjendur në këtë situatë, qytetari dëshmoi në polici, se fillimisht iu desh të ndërhyjë dhe të ndalojë deputetët e PD-së, të cilët tha se i njeh vetëm nga ekrani, që të godisnin të njohurin e tij.
“Deputetët janë drejtuar te bashkëfshatari, duke e shtyrë. Unë jam afruar dhe jam munduar që t’i ndaj. Në këtë moment, deputeti Flamur Noka po i fliste e po e shtynte bashkëfshatarin tim”, tha Toraj.
Kaq u mjaftoi demokratëve, që edhe Tetem Torajn ta quanin agjent të policisë dhe të nisnin ta kontrollonin për armën në brez.
“Flamuri më është drejtuar me fjalët: ‘Çfarë je ti, polic?’, dhe ka futur duart në trupin tim, duke më kontrolluar e duke më thënë: ‘Ku e ke armën?’. U fut edhe deputeti tjetër, Xhelal Mziu”, thotë qytetari i dhunuar.
Flamur Noka është më agresivi. Shtyn dhunshëm efektivin e policisë, ndërsa Belind Këlliçi e ofendon atë me fjalë banale.
Agjentin e largojnë, por qytetarin, në këtë video të siguruar nga Report Tv, përveçse e shtyjnë me forcë, si këto momente të Flamur Nokës.
“Pasi më kontrolluan, duke ushtruar presion psikologjik dhe fizik, dhe panë që unë nuk kisha armë, ndërkohë unë u shpjegova që nuk kam lidhje me Policinë, por jam qytetar, sapo kam dalë nga puna. Në këtë kohë, Xhelal Mziu më godet me grusht në pjesën e brinjëve”, shpjegon Toraj.
Pa e kuptuar ende se përse një grup deputetësh e sulmuan, qytetari, iu drejtua komisariatit numër 1 për të bërë denoncim. Aty u gjend me të tjerë deputetë, Agron Gjekmarjan dhe Elda Hotin, të cilët nuk i njihte, por aty mësoi se ishin demokratë që kundërshtonin shoqërimin e protestuesve për molotovët në tubimin e PD-së.
Sic Report Tv mëson, Tetem Toraj ka kërkuar që deputetët t’i drejtonin një ndjesë publike, e këtu mësohet se Gjekmarkaj ka telefonuar Flamur Nokën, i cili nuk e ka parë të arsyeshme kërkimin e faljes. Një gjest ky, që nuk e frenoi më tej qytetarin, t’i denoncojë për dhunë.
I riu mësohet se i është nënshtruar edhe ekspertizës mjeko-ligjore për grushtet që mori nga deputeti Mziu, teksa ecte në rrugë si një qytetar i lirë, pa asnjë lidhje me protestën e dhunshme të demokratëve.
Komente












