Ku gabon Profesor Nasho Jorgaqi
për lidhjen e Fishtës me fashizmin

Ku gabon Profesor Nasho Jorgaqi<br />për lidhjen e Fishtës me fashizmin
Një shkrim replikues për të dëshmuar rolin vërtetë të  klerit katolik  gjatë Luftës  kundër pushtuesve. Fishta: “Gja ma e lehtë nuk asht se me ia njitë vedit atdhetar e tjerët me i mbajtë se s’janë atdhetar”.
 
Për fat të mirë, dyert e replikës janë hapur, pakashumë, dhe ne mund të hyjmë nëpërmjet tyre në replika konstruktive, objektive, etike: pa indoktrinim, pa mllefe latente, pa degraduar në vulgaritet, duke i dhënë hapësirë jetësore dokumenteve të shpëtuara e fakteve të jetuara e jo fjalëve pa baza, të hjedhura në erë, për të krijuar një atmosferë virulente, për të ftohur e shuar atë ngrohtësi të madhe zemre që nderonte prestigjin e poetit kombëtar.

Lexova me andje artikullin emotiv të Z. Frano Kullit, artikullin plot buon sens të Mustafa Nanos, si edhe artikullin me mbështetje historike të Romeo Gurakuqit. Mendova të shkruaj edhe unë disa fjalë të vërteta e jo pa vend, për të qartësuar figurën madhore të kombit tonë.

“Për fat të keq, shkruan Prof. Dr. Nasho Jorgaqi në artikullin e tij..., kleri katolik nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi,  kleri katolik në një mënyrë a në një tjetër i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore duke cilësuar legjionet e saj “Pëllumba të Krishtit”...”.

Fjalët e “mirëpriti”...,e “Fishta  si prelat i lartë...nuk mundi t’i shpëtojë “tundimit” që i bëri fashizmi”... janë fjalë me nëntekst pejorativ, fjalë pa shije, pa vërtetësi, pa prudencë, fjalë të mbërthyera në pranga indoktrinimi. Një lajthitje: Shkruhet: “Fishta, prelat i lartë”,  jo: Fishta nuk ka qenë prelat i lartë, por ka fituar autoritet të madh në saje të veprimtarisë së tij e dëgjohej me respekt. (më gjatë shif veprën time: “Nëpër gjurmët e Fishtës”).

Në fakt, në Shkodër edhe gjetkë dëshirohej e mirëpritej ndihmë italiane për rrëzimin e Zogut, për të cilin kishin shumë dyshime, jo pushtimi italian. Kemi të drejtë të pyesim: Ku mbështetet autori që pohon një gënjeshtër? Pushtimi fashist u bëri shumë presione klerit katolik: fashistët ngulmonin të hiqej provinciali, Pader Ciperian Nikaj (më vonë i torturuar e i pushkatuar nga diktatura); të merren masa ndaj klerikëve antifashistë; kërkonin të zhvillohej lënda mësimore për fashizmin; (u shënjua lënda në orar të mësimeve, u caktua profesori dhe dita, në fakt nuk u zhvillua asnjë orë mësimi, sipas bisedave gojore me gjuhëtarin P. Justin Rrota; ndersa Karl Gurakuqi shkruan: “Gjatë vjetëve 1939-1943 nuk asht vu si landë mësimi gjuha italiane” ); synonin të mbyllnin gjimnazin-lice  Illyricum; të pezullonin revistën “Hylli i Dritës”, etj. Fashistët bënin çmos të trembnin françeskanët. Parini, përfaqësuesi i  Musolinit, mbërriti me i thanë një ditë Pader Anton Harapit: “In somma, voi altri volete essere stato dentro lo stato”(Pra, ju doni të jeni shtet mbrenda shtetit”). Shkollës ia hoqën subvencionin. Po, mbi të gjitha mungonin mësuesit. Atëherë, Pader Donati, drejtori, shkoi te ministri i arsimit për të kërkuar mësues. Ministri iu përgjigj: “Ju e keni krye misionin tuej. Tash ka ardhë koha me vu nji rrasë perkujtimore në shkollën tuej e mos me e çue ma gjatë”. Ndërsa  Mëkambësi Meloni përsëriti fjalën: “Hiqni Provincialin e të gjitha ndreqën”. 

U lajmërua Fishta që gjëndej në Romë, i cili ngulmoi në Vatikan e çoi përgjigje: “Për së shpejti keni me i çilë shkollat... e mos ta lëshojmë”. (Këto të dhëna, edhe më gjatë, i kam pasë prej gojës së Pader Donatit, drejtorit të shkollës dhe, kur erdhi koha e u hapen kishat, i kerkova provincialit, Pader Kavolinit, dorëshkrimin, e kompiuterizova me Z. Klajdi Kapinovën e redaktova dhe P. Kavolini e botoi).

“Pader, e pata pyetë njëherë Justinin: Pse keni botue në revistën tuej materiale fashiste, si p.sh. Statuti i Partisë Fashiste”? Më pati përgjigjur: “Na çuen materialin, na nuk e botuem. Na thirren e na thënë se do t’ ju mbyllim revistën (na e pezulluan). Na u mblodhem dhe vendosem ta mbajmë revistën”. Kështu u botuan ato materiale!
U zgjata në presionet e fashistëve në fushën shkollore, por presione tjera kanë rënduar edhe në fusha tjera, si: në kuadrin klerikal, në anën financiare, në diskritimin e klerit, françeskanët i paditnin në Vatikan, se merren me politikë, etj.

Kuptohet këtu nuk është vendi të sqarohet ana financiare, por nuk mund ta besojmë në asnjë mënyrë, sa shkruan një historian, si konkluzion: “Kisha katolike, e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshem shtetin fashist”...Kisha katolike ka qenë kontigjenti i parë i flijimit. Pra, të flasin dokumentat, jo na.
Që kanë marrë pare klerikët kryesorë të katër feve në formë subsidesh, kjo dihet. Këtu duhet vërtetuar çfarë trathtiet kanë bërë klerikët si shpërblim të pareve të marrura. Në jetën e vet, kleri katolik në Shqipëri është gjetur shumë herë ngusht, por nuk ka ceduar, si shkruan Fishta: “frangar non flectar”. Ndersa dokumenti që sjell Profesori është mirë, besohet më shumë duke u dhënë letra e plotë, e jo “ndër të tjera”, pa të ndyeme mizash, në origjinal e në përkthim, kuj i drejtohet e rrethana e udhëzime tjera, që të mos lihet hije dyshimi, sidomos kur je duke i marrë nderin tjetrit.

D. Nikollë Mazreku (Nikë Barcolla), autori i punimit “Skandali i Kordinjanos” më ka treguar:
Një ditë erdhi një personalitet ushtarak fashist e më hodhi në tavolinë një zarf.
-Më tha: Jepja famullitarit.
-Çka ka zarfi mbrenda, e pyeta.
-U pergjegj: Ç’të duhet ty, ti je sekretar, jepja famullitarit.
-Nuk marr zarfa të mbyllun dhe pa adresë të shkrueme dhe ia hodha në tavolinë zarfin në mënyrë jo fort të njerzishme.
E mori zarfin me pare dhe u largue tanë nerva.
Mbas pak kohe, Dom Nikollën (autorin e “Skandalit Kordiniano”) e transferuan në Kryezi të Pukës ku e arrestoi partia e bëri kështu afro 40 vjet burg e internim.
Edhe një pasazh.
Kam lexuar korespondencën e shumë klerikëve katolikë (letrat janë të ruajtura në AQSH) e më ka çuditë fakti që shumë prej tyre dalin borxhlij. Kështu borxh janë P.P. Gjeçovi, Marlaskaj, Anton Harapi, Bernardi Palaj, Mati Prendushi etj. etj.

Pader, i drejtohet P. A. Harapi A. Marlaskajt, ti po shkon në Tiranë. Luigji (Gurakuqi) më ka do pare borxh. Ti mos ia përmend, por në t’i dhaftë, m’i nis shpejt se jam ngusht”.
Por, po kthehemi te klerikët “fashistë”.
Lexoni“ Përkujtesën” (promemorien)( botohet për herë të parë), për të parë si e “mirëpriten” françeskanët fashizmin.
Promemorje

Së pari, Per autoritetet civile e ushtarake, në rrethana jo të zakonshme, ose në rrethana të tensioneve politike nderkombtare, dyshimi asht një detyrë.
Së dyti, Per detyrë mirësie, klerikët janë mbajtë në kufijt e drejtësisë e mbrenda fushës së natyrës të gjendjes së tyne, me ndihmue autoritetet në fuqinë krejt atë që mund të nxisin të mirën e vërtetë morale e material të shtetit.
Kjo premtue edhe në lidhje me propozimet të bame prej Kom. Melonit Provincialatit Françeskan të Shqipnisë lidhun me vendosjen e disa fretenve tanë në liceun françeskan të Shkodres, pra: Dr. Atanas Gegaj, Dr. Gjon Shllaku, P. Lekë Luli e P. Antonin Fishta dhe Pader Anton Harapi, të gjithë mësues në gjimnazin – lice të Shkodres, Provincialati ka marrë masat që vazhdojnë: (nenvizimi im, K.C.).

1. Pader Atanas Gegaj e Pader Gjon Shllaku do të mbahen jashtë Provincës per një kohë të pacaktueme.

2. Pader Lekë Luli prej Shkodre do të vendoset në një prej famullive tona të Malsisë, mbas gjaset, në dioqezën e Pultit.

3. Pader Antonin Fishtës, pjesëtar I Këshillit, do t’ikerkohet rregull.

4. Persa i takon P. Anton Harapit, provincialati nuk e mendon të nevojshme me marrë masa speciale, e kjo, per këto arsye:

Së pari, provincialati ka bindjen e plotë që P. Anton Harapi, as me fjalë, as me vepra nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue në sinqeritetin e besnikërinë ndaj regjimit të ri në Shqipni.
Së dyti, komisioni perfaqësues shkodran shkoi në asamblenë kombtare me mandatin t’i ofrojë kunorën shqiptare një anëtari të dinastisë së lavdishme të Savojës e jo Madhnisë së Tij aktual mbretit e perandorit tonë. Qe Pader Antoni që, me fjalën e tij të meçme, i paraqiti idenë e bashkimit personal.
Në fund, provincialati mban pozitivisht të sigurtë, se dyshimet mbi sinqeritetin e besnikërinë e Pader Anton Harapit dhe të motrave të nderueme stigmatine kanë qenë krijue nga insinuacionet malinje e të interesueme ndonjë të treti që, ma pak se kushdo tjeter, do ta kishte dashtë me e ba.
Nga e gjitha kjo (sa thamë ma nalt) arrijmë te fakti që P. Anton Harapi asht një personalitet i njohun, mundet me u thanë në tanë Shqipninë, e per ma teper një meshtar rregulltar që nuk të jep shkas me e qortue.

harapi

Për këtë, Provincialati e mbanë se çdo masë e improvizueme, marrë në ngarkim të P. Harapit, në kuptimin e propozimeve të Kom. Melonit do të ishte një padrejtësi e besoj mjaft në politikë.
P.G. Fishta ofm
Shënoj: Pader Antoni ka qenë kundërshtar i Italisë, ka pasë probleme, madje i internuar (me forma të ndryshme) nga Italia, prandej të mbrohej ai, ishte si të vepronte kunder politikës italiane. Më thonte Pader Justini: “Pader Antoni ka qenë regjent në kohën e gjermanëve e na thonte: “Luftën e fitojnë anglezët”. Pra, asht mbajtë si filoanglez! Me rastin e 12 prillit, Dergata shkodrane paraqiti kërkesat që të çojshin tek ruajtja e Pavarësisë.( ma gjatë, lexo Prof. Dr. A. Plasari, “Anton Harapi redimensus”. Këto kerkesa i nenshkrou edhe Fishta.

Ka gjurmë në letërkëmbim që Fishta u del zot fretenve të perfolun më lart. Po e ilustrojmë me një shembull: Ndonëse P.Gjon Shllaku pati debate politike kundërshtare me Fishten, Pader Gjergji i dha lejen e nderhyri të shkonte në Perëndim për specializim, i propozoi provincialatit që “Hyllin e Dritë ta drejtonte P. Gjon Shllaku.
Dela Roka nuk e paraqet si duhet P. Anton Harapin: asnjë fjalë per perpjekjet e tij në dobi të ruajtjes së tërësisë territoriale të atdheut, asnjë fjalë për bashkëpunimin me Fishten e Gurakuqin për memorandumin dhënë konsullit francez në Shkodër të përpiluar nga ai e firmosur nga malsorët tanë të Veriut, përkthyer nga Gurakuqi e dërguar Konferencës së Paqes në Paris, asnjë fjalë për qëndrimin opozitar ndaj zullumeve të qeverisë së kohës, as për përpjekjet për një arsim kombëtar, asnjë fjalë per veprimtarinë e tij shoqërore, letrare, për veprat e tij. etj.
Kleri katolik e ka nderuar, e ka dashur Pader Antonin, i ka besuar në çdo kohë detyra të rëndësishme.

Kryeipeshkvi zgjodhi At Antonin të merrte pjesë në Dergatën e 12 prillit, ndonëse ishte i njohur si antiitalian, apostafat per t’u thanë italianëve se qëndrimi i Pader Antonit asht qëndrimi i klerit katolik. Dela Roka nuk tregon, pse u zgjodh Pader Antoni e ç’qendrim mbajti ai në këtë Dergatë.
Po japim një dokument që flet për besimin e nderimin e klerit ndaj P. Anton Harapit edhe më vonë.

Shkoder, 24. VIII. 42
Shkelqesë
Me rasën e ardhjes së P. A.Harapit në Tiranë, Ju paraqesim nderimet e përshëndetjet t’ona të përzemërta.
Shka ka me folë P. Antoni me Shkelqesën t’Uej, asht edhe fjalë e jona, posaçe per shka u perket shkollave katholike, sistemit të dhetave e kerkesës të taksave të enteve kishtare.
Jena të sigurtë se keni me i marrë para sysh me kujdes të veçantë.
Gasper Thaçi A.M.  d.v.
Luigj Bumçi, Ip. i Lezhës d.v.
Po nxjerri nga dorëshkrimet e Fishtes edhe letrën e mëposhtme, shumë sqaruese):
E ejte, 24 gusht 19...
Fort i nderti At Provincial,
Mbasi më duhet me shkue në Luogotenencë e neser kam në mendë me u nisë per Tiranë, po deshe, interesohem pranë Ekselencës së Tij Jakomonit per çeshtjen e Pader Antonit (Harapi) e të Pader Lekës (Luli), si kemi pasë rasë me folë goja-gojas.
Ju lutem me më autorizue me shkrim per këte punë, tue më diftue njiheri, në e pranoni, mbas gjithë hallit, që Pader Antoni të largohet per do kohë jashtë Shkodret e Pader Leka të dalë, edhe ky per do kohë prej Shqypnie, pse mundet me ndodhë, që s’më del me ia mbushë menden Luogotenentit mos me e tjerrë çashtjen ma gjatë.
Nderkaq, Ju puthi dorën e Ju lypi bekimin,
P. Gjergj Fishta OFM
 
(Vijon nesër)

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos