Kadri Veselit i ka mbetur vetëm nami, ndërsa i ka humbur pushteti politik. Ka disa muaj që ish-shefi i SHIK-ut është dorëzuar përfundimisht para “gjarprit” të partisë, ndonëse para një viti po i përgatitej terreni për t’u bërë kryetar i qeverisë.

Edhe Thaçi në atë kohë kishte konfirmuar se nuk e dëshironte një mandat të tretë për kryeministër, madje kishte siguruar se Veseli ka kapacitete të fuqishme për udhëheqje dhe për realizimin e qëllimit dhe vizionit “evropian” të PDK-së.

Por, debakli i pësuar nga PDK në zgjedhjet e fundit lokale, ku partia në të cilën Veseli u zgjodh zëvendëskryetar humbi komuna të rëndësishme, madje në mes tyre edhe Mitrovicën, prej nga vjen ish-shefi i SHIK-ut, bëri që këtij të fundit t’i shuhen ëndrrat për kryeministër.

Këto ditë kur Thaçi ka filluar para kohe fushatën për zgjedhjet nacionale, duke dhënë premtime megalomane nga më të ndryshmet, Veseli me gjasë po e vrojton bashkëpartiakun vetëm nga skutat e “Zanzibarit”. 

Pavarësisht se është numri dy në PDK, ai po qëndron indiferent ndaj zhvillimeve aktuale politike, duke mos shpërndarë as libreza partiake e as duke mos marrë pjesë në debate politike televizive dhe njëkohësisht duke ia lëshuar kështu hapësirën promovuese zyrtarëve të tjerë, të cilët gjinden më poshtë se ai në hierarkinë partiake. 

Por, si ndodhi realisht “shkëlqimi” dhe rënia e Veselit për një kohë të shkurtër kohore nga skena politike?

Ai u ngritë me “ashensor” në PDK, nga një anëtar i thjeshtë në pozitën e zëvendëskryetarit, falë të kaluarës së tij në krye të SHIK-ut dhe strukturave që kishte pas vetes.

Derisa nuk i mungonte përkrahja e një batalioni të ish-agjentëve, tashmë të akomoduar në krye të institucioneve, Veselit padyshim se i mungonte përvoja politike. 

Kjo u pa edhe në debatet televizive, ku kamerat e fokusuan duke ia mbyllur syrin moderatorit, nga i cili kërkonte ndërprerje të debatit. Në mungesë të përvojës politike publike dhe ideve kreative, ai nuk e ndali luftën brenda partiake dhe një pjesë e zyrtarëve partiak si:Limaj e Krasniqi, etj., i thanë lamtumirë PDK-së, duke krijuar subjekt të ri politik. 

Me largimin e Limajt dhe Krasniqit dhe lodhjen e elektoratit nga pushteti gjashtë vjeçar i PDK-së, si pasojë e përfitimeve joligjore përmes tenderëve publik, partia e Veselit u tkurr tej mase dhe ra në nivelin e partisë së dytë(LDK).

Humbja e partisë në zgjedhjet lokale iu faturua Kadri Veselit, pasi që me inkuadrimin e tij në politikë, si nënkryetar për politika publike dhe zhvillimore, shihej si shpëtimtar i PDK-së.

Kur kjo e fundit pësoi “fiasko” me elektorat, me automatizëm u rifuqizua Thaçi, i cili u rikthye për të tretën herë si kandidat për kryeministër, ndërsa Veseli u bë “kurban” i politikës. 

Ky ndëshkim i elektoratit për Veselin, sidomos në Mitrovicë e në komunat të tjera të vendit, padyshim se ndërlidhet edhe me shumë pikëpyetjet për veprimtarinë e SHIK-ut për periudhën e pasluftës.

Hetimin e veprimtarisë së këtij shërbimi nuk mundi ta bëjë as Kuvendi i Kosovës, me ç’rast edhe më tutje shumë mistere vazhdojnë të mbesin rreth shërbimit të cilin e ka drejtuar Veseli.