Ku je Gramoz Ruçi? Kur bilbilat këndonin jashtë Parlamentit!

Ku je Gramoz Ruçi? Kur bilbilat këndonin jashtë Parlamentit!

Ish-kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi

Këto dy javë kaosi në Kuvend, është rikthyer në opinion një përvojë e legjislaturës 2017-2021, kur pas ikjes së Ilir Metës në Presidencë Parlamentin e ka drejtuar një nga politikanët me më gjurmë në opinion: Gramoz Ruçi.

I cili në verën e 2021-shit braktisi politikën dhe i është kthyer jetës së tij normale, private e familjare. Merr pjesë rrallë në ndonjë event kolegësh, rasti i fundit ishte ai i librit të Shaqir Vukajt në fillimin e kësaj vere, por vetëm kaq.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, opozita ishte më e zhurmshme se kaq, madje kishte një plan të qartë për ta zëvendësuar Edi Ramën me një emër tjetër socialist, e për këtë nisi një revolt të zhurmshme në Kuvend. Ajo opozitë kishte me vete dy nga figurat më të larta të Republikës: Presidentin dhe Prokurorin e Përgjithshëm. i cili siç dihet hapi çështjen Tahiri kur ja kërkoi publikisht Lulzim Basha.

Por siç e dimë, zhurmë pati shumë, e panelet gëlonin nga Xhensila te Habilajt, ama Parlamenti: “Zoti Berisha, ulu poshtë!” Ishte një aksiomë që u kthye në meme. Deri në shkurtin e 2019-s kur dogjën mandatet e siç dihet u penduan, nuk pati as bilbilë e as pushtuesh foltoresh.

Duket si një artific, por që në fund të ditës nuk është aspak i tillë. Pasi autoritetin një politikan o e ka, o ka më shumë ose më pak, është çështje brumi.

Përshembull, meqë sot ka aq shumë gra në politikën e mazhorancës e madje edhe në qeveri. Një Ermelinda Meksi dhe Arta Dade dikur e mbanin më shumë peshën e të gjithë zonjave të sotme, të cilët ja lënë peshën për të folur vetëm Elisa Spiropalit.

Sado modern të duket Ulsi Manja, nuk e bën asnjëherë vezën e Fehmi Abdiut, juristit të PS-së që ka hartuar me duart e tij ligjet bazike të kësaj Republike që sot është Shqipëria.

Pastaj t’i shtosh diskutimit humanizmin e të ndjerit Luan Hajdaraga, një nga baballarët e psikologjisë e pedakogjisë modern shqiptare, apo finesës dhe inteligjencës së lartë të profesor Et’hem Rukës, shkon drejt një përfundimi se ishim mirë kur ishim keq.

E meqë ra fjala te Gramoz Ruçi, çfarë recete magjike kishte ai që e “ulte në vend” Sali Berishën? Kur ishte njeriu më i sulmuar, akuzuar, nga Berisha, shantazhuar, por që nuk arriti asnjëherë ta vërë poshtë, edhe pse e luftoi shumë poshtë brezit.

Si ka mundësi që Gramoz Ruçi kishte atë autoritet aq të padiskutueshëm politik kur ka qëndruar ministër vetëm 40 ditë, sa çështë liria e një dhëndri të ri?

Përgjigja vjen natyrshëm: liderët nuk bëhen as me shiringa e as me fresk, thjesht ata janë.

E ta mendosh që ajo rracë politikanësh as kishte facebook, as tik tok, as ekipe shtypi, madje nuk dinte të përdorte kompjuterin. Ruçi përshembull jepte pak intervista, ishte një odise për çdo reporter, pasi Gramozi u fliste pak vetëve: për shembull, të ndjerit Sokol Olldashi, Elio Elinit, apo edhe Franko Egros më vonë. 

Edhe Sandër Çipa arrinte shpesh t’i merrte prononcim. Megjithatë telefonin e hapte gjithmonë sa herë e merrje, por përgjigja përtej ishte e frikshme për çdo reporter. i cili herët tjetër i thoshte redaktorit apo kryeredaktorit: provoje ti pasi mua s’më flet, ma pret shkurt.

Ruçi, në fakt ka qenë kohë të gjatë lider i opozitës në Parlament, kur Edi Rama-kryetari i PS, nuk ishte deputet. Nuk ka pasur bilbila por fjalë të forta e natyrisht aksione politike, që ishin ndikuese. Gramoz Ruçi ishte ndoshta ndër të paktët politikanë që sillte refrenca nga mediat, në fjalimet e tij, e si pak kolegë të tij të sotëm fliste jo shumë, por nuk i hiqje presjen edhe sot nëse shikohen fjalimet e tij.

Lindita Nikolla, kryetarja e Parlamentit të sotëm, ndoshta do të duhet të shikojë videot e 4 vjeçarit të Gramoz Ruçi për të parë se si nuk shpërthen kaosi.

E kjo nis edhe me gjëra të vogla, të cilave u përgjigjen si me anekdoda teknikët e transmetimeve të televizioneve. “Kur ishte Gramozi, séance niste në 10 fiks, po fiks s’kishte rrupi çupi, tani…”, thonë operatorët e transmetimeve live, që shpesh janë analistët më të mirë politikë në vend, pasi e shikojnë non stop e ftohtë politikën. Panelistët janë shumë, shumë vite larg dritë këtyre të fundit…

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?