Ministri i Jashtëm i Estonisë, Markus Tsahkna, është i prerë. Në një njoftim zyrtar ai bën të ditur: “Vlerësimi ynë për kërcënimet që paraqet Rusia nuk ka ndryshuar”. Nënteksti kuptohet lehtësisht: misioni i drejtorit të CIA-s, Xhon Ratklif, në Moskë, nuk e ka ndryshuar situatën. Për këtë kanë diskutuar edhe ambasadorët e vendeve të NATO-s, të mbledhur dje në Bruksel. Në takim mori pjesë edhe zëvendëssekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Elbrixh Kolbi.

Përfaqësuesi i Pentagonit u ka siguruar aleatëve se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të largohen nga Aleanca. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ai ka njoftuar se deri më 6 nëntor do t’i paraqesë ministrit të Mbrojtjes, Pit Hegseth, “të paktën katër opsione” për dislokimin e trupave amerikane në Evropë. Parashikimi është që, siç ishte paralajmëruar, Uashingtoni të reduktojë kontingjentin që aktualisht përbëhet nga 80 mijë ushtarë.

E gjithë kjo ndodh ndërsa brenda NATO-s mbetet i lartë alarmi për lëvizjet e Vladimir Putinit. Analiza më e përhapur është se Kremlini do të intensifikojë veprimet, ose provokimet, e luftës hibride. Sabotime, dëmtime të infrastrukturës telematike ose të kabllove nënujore, inkursione me dronë, si ata që u gjetën të ngarkuar me eksploziv pranë aeroportit të Lajpcigut, në Gjermani. Në të njëjtën kohë, megjithatë, tashmë është më e vështirë të përjashtohet një sulm i vërtetë ushtarak, edhe nëse i kufizuar.

Nga Moska vijnë sinjale kontradiktore. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, përmend hapur “bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar”, ndërsa Dmitri Peskov, “zëri” i Putinit, përjashton sulmet ndaj vendeve të NATO-s. Por kujt duhet t’i besojmë? Këtë pyetje ia kanë bërë sërish dje disa ambasadorë të Aleancës Atlantike.

Gjatë muajve të fundit kanë qarkulluar disa lista jozyrtare të objektivave të mundshëm, të cilat, me sa duket, janë përpiluar nga shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Nëse i ndërthurim këto informacione me studimet e instituteve të njohura kërkimore, si “Atlantic Council” i Uashingtonit, dhe me informacionet e mbledhura nga burime diplomatike, mund të identifikohen disa vende më të cenueshme.

 

Baza britanike më e ekspozuar është ajo e Akrotirit, në Qipro, e cila, për më tepër, është goditur tashmë nga një dron iranian në mars. Në teori, të pambrojtura rezultojnë edhe baza detare në Gjibraltar apo detashmenti i Tapës, në Estoni. Mediat britanike janë në kulmin e vëmendjes: prej ditësh pyesin se ku do të godasë Putini. Në Bruksel, në selinë e NATO-s, megjithatë, prirja është të përjashtohet një ofensivë e hapur kundër një fuqie bërthamore si Mbretëria e Bashkuar.

Rreziku i përshkallëzimit do të ishte shumë i lartë. Ka, në vend të kësaj, objektiva më të tërhequr, por që do të vinin në provë qëndrueshmërinë dhe aftësinë e reagimit ushtarak të Aleancës. Ndër më të përmendurit është qyteti estonez Narva, në kufi me Rusinë, vetëm 136 kilometra nga Shën Petersburgu. Këtu jeton një pjesë e madhe e qytetarëve rusishtfolës të Estonisë.

A mund të imagjinohet një ndërhyrje e Putinit për të mbrojtur pakicën ruse, me të njëjtat motivime të përdorura dikur për Donbasin ukrainas? Nga Talini bëjnë të ditur jozyrtarisht se do të ishte një ide “budallaqe”, pasi ajo zonë është e rrethuar nga lumenj dhe barriera të tjera natyrore, si dhe nga ushtarët e NATO-s.

Forcat ruse mund të kalonin në alternativë nga Bjellorusia dhe të çanin mbrojtjen e Lituanisë për të arritur deri në Kaliningrad, enklava e Moskës që shtrihet në Detin Baltik.

Aktualisht, Lituania nuk ka tanke, avionë luftarakë dhe anije për të përballuar goditjen dhe do të duhej të mbështetej te forcat e NATO-s, gjermane dhe amerikane, të dislokuara në terren. A do të mjaftonin? Askush nuk merr përsipër të japë një përgjigje.

Edhe më e brishtë duket ishulli Gotland, në Suedi, në mes të Detit Baltik; ose arkipelagu finlandez i Alandeve, të cilat kanë ruajtur autonominë administrative dhe kanë mbetur të çmilitarizuara edhe pas anëtarësimit të Helsinkit në NATO.

Në listën e zonave të ekspozuarapërmenden edhe Svalbardet, ishujt norvegjezë në veriun e largët, mes Detit Barenc dhe Detit të Grenlandës. Territore pak të populluara dhe, siç parashikon një traktat i vitit 1920, pa mbrojtje ushtarake.

17% e popullsisë është me origjinë ruse. Një shifër që mund t’i ofrojë Putinit pretekstin e zakonshëm për të urdhëruar një tjetër “operacion special”./CorrieredellaSera