Kuajt që tërheqin karrot elektorale dhe pandemia si shkop në rrota

Kuajt që tërheqin karrot elektorale dhe pandemia si shkop në rrota

Edi Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Në mendësinë e opozitave në Shqipëri, qoftë të majtës së djeshme, qoftë të djathtës së sotme, ka vetëm dy alternativa për zgjedhjet: ato ose i fitojë zgjedhjet, ose i ka vjedhur qeveria! Askush deri më sot nuk ka pranuar me dinjitet humbjen, askush nuk ka dashur të urojë fituesin, askush nuk ka kuptuar se një nga leximet më të rëndësishme të zgjedhjeve, një nga institucionet më të rëndësishme që legjitimojnë zgjedhjet, është opozita. Këtë insititucion askush nuk e llogarit, madje as fituesit e të drejtës për të qenë opozitë. Kjo është një nga arsyet se pse zgjedhjet janë kaq të ashpra në Shqipëri. Sepse fati i individit është jashtëzakonisht refraktar ndaj ngjyrës së qeverisjes. Vetëm për shkak të saj, dikush mund të ngryset i varfër dhe të gdhihet i pasur, mund të jetë i papunë i dëshpëruar dhe të ngjitet në maja befasuese karriere, mund të jetë analfabet funksional dhe të votojë ligjin për arsimin, mund të vetëkonsiderohet pre’ e trembur përpara gjumit dhe të zgjohet gjahtar krenar në mëngjez. Rezultati i zgjedhjeve është shumë më shumë se dëshira dhe nevoja njerëzore për të bërë tifo: është jetesë që ndryshon tërësisht për një përqindje të madhe të shoqërisë. Për pjesën më të zhurmshme dhe më të dukshme të saj. Për këto arsye, nuk ka asnjë çudi se pse ka dhe do të ketë kaq shumë agresivitet në fushata dhe në politikën shqiptare në përgjithësi.

Në Shqipëri, edhe për shkak të numrit të vogël të banorëve, edhe pse në politikë janë pothuaj të njëjtën njerëz në njëzet a tridhjetë vjetët e fundit, politikëbërja është shumë më shumë personale sesa parimore. Në trekëndëshin PS-PD e Presidencë – duke nënkuptuar LSI-në me zyrën e kreut të shtetit – siç tentohet të vizatohet skena e ardhshme politike, ka një rëndësi të posaçme marrëdhënia mes individëve që i përfaqësojnë ato. Por nuk është çudi, që Meta t’i besojë shumë më pak Bashës sesa Edi Ramës. Dhe Edi Rama të jetë më pranë Bashës që i kërcënon shumë më pak votat e veta të majta sesa Metës. Vetëm kryetari I PD-së duket i shkëputur nga vullneti i tij për të ndikuar në llogaritë e sotme dhe të nesërme. Opozita e tij është e vetmja në këto vite pluralizëm që nuk ka mundur të ndërtojë një frymë fituese në vend, edhe pse përballë tij Rama është i tronditur nga tërmeti, po qeveris me maskë pandemie dhe ka krijuar distancën e natyrshme mes të thënit e të bërit. Djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale, mënyra e zgjedhjes së listës së kandidatëve për deputet, pasiguria e sjelljes me aleatët, si dhe qasja me zigzage, politizimi, agresiviteti dhe reagimi me shumë paqartësi në qasjen ndaj pandemisë, janë “manita” që i japin shumë më shumë shanse Edi Ramës të bëjë hapin “tris” për veten. Fatkeqësisht, Basha edhe për shkaqe që nuk varen vetëm prej tij, nuk po sillet si kali që tërheq karron e luftës politike, por po i dëshmon problemet e tij si shkop në rrotat e kësaj karroje. Fushata e fundit ndaj të shkuarës së tij, edhe pse ka shumë cinizëm, edhe pse shumë paqartësi dhe të pavërteta, por edhe kundërpërgjigja e tij me shifrat e të vdekurve nga pandemia, do t’i kompromentojnë shumë shanset e tij në 2021-shin.

LSI e Monika Kryemadhit, jo për faj të saj, po vuan edhe sot ende atë zinxhir të pashkëputur ngjarjesh shkak-pasojë të dimrit dhe pranverës së 2017-ës dhe atë raport të paqartë aleat-kundërshtar mes PS-së e PD-së.  Pasiguria, dilemat në zgjedhje dhe rradhët e ngjeshura të servilëve që rrethonin Ilir Metën në ato kohë dhe vetë dëshira e Ilir Metës për t’i përdorur ata si piedestal për veten, edhe pse nuk kishte pikën e nevojës për të, i kushtëzojnë ende pozicionin e sotëm LSI-së. Zgjedhjet e dyzuara dhe të gabuara të saj dhe PD-së gjatë asaj periudhe, ishin nga shkaqet kryesore se pse Edi Rama, përkundër të gjitha shanseve tmerrësisht të vogla për të fituar, projektoi një triumf shumë më të madh vetjak.

Tabloja e paqartë për pranverën e vitit të ardhshëm vizatohet nga nj sërë penelash që ende nuk janë shfaqur deri në fund. Ecuria e pandemisë do të jetë një nga enigmat e mëdha që do të kushtëzojnë rezultatin zgjedhor. Por me qasjen e deritanishme, për paradoks, ngjan se kjo fatkeqësi ka ndihmuar dhe jo dëmtuar elektoralisht Edi Ramën. Jo aq për meritë të tij sesa për paqartësinë absolute me të cilën janë sjellë ndaj pandemisë kundërshtarët e tij. Madje edhe atëherë kur kanë pasur të drejtë, kanë gabuar në artikulim e sjellje. Duke shtrënguar rradhët e militantëve, por duke larguar nga vetja atë pjesë të shoqërisë që shkon të votojë duke zënë hundët me dorë dhe që zgjedh jo thjesht më të mirën për qeverisjen e vendit, por emëron zgjidhjen e vetme për qeverisjen e tij.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar