Komisioni parlamentar kosovar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit
PRISHTINË, 18 Shkurt ATSH-B.Jashari/.- Komisioni parlamentar kosovar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka zhvilluar sot një dëgjim publik me temë,Gjykata speciale, procesi i përgatitjes së legjislacionit dhe kushtetutshmëria e saj.
I ftuar në këtë takim ishte edhe ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili u shpreh se do të ruhet maksimalisht juridiksioni i Kosovës mbi dhomat e specializuara.
Përveç të tjerash kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu pasi ka kërkuar sqarime të shumta nga ministri i Drejtësisë për formimin e kësaj gjykate special, u shpreh se obligimi shtetëror është të mbrohet lufta e UÇK-së, ndërsa kërkoi të dhëna mbi rolin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në këtë proces.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pasi dha një kronologji rreth këtij procesi, sqaroi para anëtarëve të Komisionit se gjithë procesi i themelimit të kësaj gjykate menaxhohet nga presidentja e vendit, e cila, sipas tij, ka themeluar dy grupe: grupin politik dhe atë teknik.
Kuçi tha se ai në këtë takim vjen në cilësinë e udhëheqësit të grupit të ekspertëve, të mandatuar nga presidentja, dhe e cilësoi proçesin si një proces të rëndë dhe të ndjeshëm, dhe se kjo çështje është si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve.
Edhe zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni Selvije Halimi, tha se ky proces nuk duhet ta frikësojë askënd dhe se ky proces nuk do ta njollosë askënd, por do ta largojë hijen që është vënë mbi grupe dhe individë të ndryshëm.
Halimi ka kërkuar nga ministri i Drejtësisë, në cilësinë e udhëheqësit të grupit të ekspertëve, që të jetë në koordinim shumë më të përgjegjshëm me grupin politik të mandatuar nga presidentja. Ndërsa, kërkoi nga Kuçi që lidhur me këtë çështje të raportojë edhe në Kuvend.
/k.m/f.n/