PRISHTINË - Ministri kosovar i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, sot ka zhvilluar një takim më Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe njëkohësisht Shefin e Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar.
Zbogar fillimisht uroi Kuçin për emërimin e tij si ministër i Drejtësisë edhe për një mandat, duke ritheksuar kështu gatishmërinë e Bashkimit Evropian dhe zyrës që ai udhëheq për të vazhduar mbështetjen për institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe koordinim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim të forcimit të Sundimit të Ligjit në Kosovë. Ministri Kuçi vlerësoi bashkëpunimin që institucionet e Kosovës, në veçanti Ministria e Drejtësisë kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me zyrën e BE-së në Prishtinë dhe falënderoi  Zbogar për mbështetjen e vazhdueshme në fushën e Drejtësisë. Njëkohësisht Kuçi e njoftoi bashkëfolësin për planet dhe prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për mandatin e ri.
Kuçi theksoi se, "dy prej prioriteteve kryesore tani e tutje do të jenë rritja e efikasitetit dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor në Kosovë dhe çështjet civile, përkatësisht harmonizimi i legjislacionit në fushën e të drejtave pronësore dhe fillimi i procesit të hartimit të Kodit Civil. Në këtë formë do të kontribuohet më shumë në sigurimin e mirëqenies për qytetarët e Kosovës".
U diskutua edhe për Pallatin e Drejtësisë, funksionalizimin sa më të shpejtë dhe rëndësinë e këtij projekti madhorë kapital që është realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Gjithashtu u diskutua edhe për koordinimin e mëtutjeshëm në fushën e drejtësisë përmes mekanizmit te deritanishëm te Bordit Koordinues për Sundimin e Ligjit dhe nevojat për ristrukturim të punës së këtij bordi më qëllim të përshtatjes ndaj rrethanave faktike të prezencës së misionit të  BE-se në  Kosovë./ATSH/.