KUÇOVE - Një 53-vjeçar është plagosur mesditën e sotme nga dy persona, babë e bir pas një zënke mes tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Perondi në rrethin e Kuçovës, teksa Bashkim Gërxhi, 53 vjeç, është qëlluar me thikë nga dy bashkëfshatarët e tij, babë e bir të cilët janë shpallur në kërkim.

Burime nga Reparti i Kirurgjisë në spitalin e qytetit të Beratit bëjnë me dije se mesditën e sotme mbërriti i plagosur me disa plagë në trup 53-vjeçari, Gërxhi. Sipas mjekëve, plagët janë shkaktuar me mjete të mprehta, ndërkohë që njoftojnë se 53-vjeçari i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet nën terapi intensive.

Nga hetimet e para mësohet se 53-vjeçari, fermer i njohur në zone, është grindur me dy bashkëfshatarë të tij, babë e bir, të cilët mësohet se e kanë qëlluar me thika dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia e Beratit ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me plagosjen, ndërkohë që autorët janë idenifikuar, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)