Kryediplomati serb, Ivica Daçiç mbështet tezën e rishikimit të kufijve me Kosovën, ndërsa ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të ndërkombëtarëve. Deklaratat e forta Daçiç i ka bërë gjatë takimit me zëdhënësen e Minstrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, e cila ka vizituar Beogradin ditën e sotme. 

Daçiç tha se perëndimi hapi Kutinë e Pandorës qëkur bombardoi Serbinë, duke shkatërruar sipas tij, kufijtë. 

Ata që kufijtë tanë i shkatërruan, ata të cilët na bombarduan tani bëhen të gjallë dhe thonë që s'ka më ndryshim kufijsh. A e hapët Kutinë e Pandorës? Iku tani, mbaroi, nuk ka më, nuk keni më gojë të flisni. Si s'ju vjen turp? Ç'a është kjo hipokrizi? Kjo ka lidhje edhe me Maqedoninë, e njohën pavarësinë e Kosovës dhe tani thone s'ka ndryshim kufijsh. Po ç'a është kjo kur të vjen rreziku në derë thoni që s'ka ndryshim kufijsh?.

Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm i Serbisë 

Ai beson gjithashtu se SHBA ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës, duke pretenduar se Uashingtoni nuk do bëhet pengesë për rishikimin e kufijve. Nga ana tjetwr, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se "Serbia dhe Rusia janë partnerë strategjik, dhe qëndrimi i Moskës karshi Kosovës mbetet i pandryshueshëm". Pas takimit me ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiç, ajo ka thënë se Kosova është edhe çështje ndërkombëtare.

Është çështje e brendshme, por ka kohë që është shndërruar në problem ndërkombëtar”, ka thënë Zakharova, duke shtuar se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është ende në fuqi dhe se “Rusia angazhohet për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”. “Gjithmonë i kemi respektuar ato vendime që janë të dobishme për popullin e Serbisë”, ka thënë ajo.

E pyetur për idetë e fundit mbi ndryshimin e kufijve në Kosovë, Zakharova ka thënë se për këtë çështje “duhet të përgjigjen shtetasit serb”.