Kufiri detar, Bushati: ‘Pakti i
ri ose arbitrazh ndërkombëtar'

Kufiri detar, Bushati: ‘Pakti i<br />ri ose arbitrazh ndërkombëtar'
TIRANE- Zgjidhja e konfliktit për kufirin detar me fqinjin tonë jugor, Greqinë, ka dy rrugë sipas shefit tonë të diplomacisë, Ditmir Bushati: ose një marrëveshje e re, ose alternativa e fundit është arbitrazhi ndërkombëtar.

“Ose do të ketë një rinegociim të një marrëveshje të re në objektin e saj, sepse në gjykimin tonë por duke ju referuar dhe Gjykatës Kushtetuese, gabimi i palës shqiptare fillon që nga objekti i marrëveshjes që ka qenë në negocim me Greqinë.

Dhe rruga tjetër është arbitrazhi ndërkombëtar”,-ka thënë ministri Bushati gjatë një leksioni me temë “A ka Shqipëria një politikë të jashtme”, mbajtur në auditorin e Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë. Ministri ka folur edhe për çështjet e tjera lidhur me Greqinë, duke nënvizuar avancimet me një diplomacie “me hapa të vegjël”, siç e quan ai.

“Kur mora detyrën, marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor ishin thuajse të ngrira, të mbizotëruara nga një frymë mosbesimi dhe nga mungesa e kontakteve të nivelit të lartë. Aktualisht, falë asaj që unë e quaj “politika e hapave të vegjël”, kemi vënë në veprim një aksion diplomatik të përqendruar te arritja e rezultateve konkrete dhe jo te retorikat e ënjtura me pathos nacionalist.”-shprehet ministri. Bushati përmend zgjidhjen e çështjes së toponimeve si një sfidë e tejkaluar.

“Zgjidhja e çështjes së “Toponimeve” ishte veç fillimi i përpjekjes sonë për të tejkaluar sfida të mbartura nga e kaluara. Gjatë dy viteve të shkuara rifilloi puna e komisioneve dypalëshe, ndërsa Greqia pranoi se Ligji i Luftës krijon një situatë anormale dhe të papranueshme midis fqinjësh”-tha Ditmir Bushati. Shefi i diplomacisë shqiptare, theksoi se nuk ka më tema tabu mes dy vendeve, por as me rajonin.

“Qëndrimet tona konsistente kanë treguar se me Greqinë mund të diskutojmë si palë të barabarta për çështje të cilat duhen trajtuar ballazi, pa drojë dhe pa komplekse. Nuk ka më tema tabu, por vetëm sfida që duhen tejkaluar. Tanimë, kemi hyrë në një fazë të re gjatë së cilës po hartojmë një dokument të ri për të adresuar probleme të mbartura dhe për të çliruar potencialin pozitiv të marrëdhënies sonë”,-shprehet ministri Ditmir Bushati.

Sipas tij, qasja pa tabu dhe pa droje, vihet re edhe në ecurinë e marrëdhënieve tona me Serbinë. “Simbolika e vizitave të ndërsjella, është pasuar nga disa hapa normalizues në kuadër të Procesit të Berlinit, ku mund të veçoj nismën për bashkëpunimin rinor sipas modelit franko-gjerman. Unë jam dhe mbetem realist për sa i përket vështirësive që ka marrëdhënia me Serbinë”-tha Bushati.

Ai sqaroi auditorin se disa prej boshteve kryesore që orientojnë politikën tonë të jashtme janë: integrimi evropian, partneriteti transatlantik, fqinjësia e mirë shoqëruar me një projektim më efikas të Shqipërisë në rajonin Adriatiko-Jonian dhe ndërveprueshmëri më e madhe në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

“Por natyrisht, si në çdo sipërmarrje ka një element pa të cilin nuk mund të arrihet asgjë: është elementi njerëzor, diplomati dhe mënyra se si ai adaptohet me sfidat e kohës. Me këtë nënkuptoj që fusha të cilat deri dje ishin të paimagjinueshme, sot janë pjesë e punës së përditshme të një diplomati modern. Siç e kam përmendur edhe përpara trupit diplomatik shqiptar, sot diplomatët nuk e kanë më ekskluzivitetin e diplomacisë. Në këtë kuptim, edhe ju, studentë dhe analistë, jeni diplomatë të Shqipërisë”,-tha Bushati. 



Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

E konfirmon trajneri, Ardian Ismajli lë Empolin në janar! Juventus dhe Napoli në garë

E konfirmon trajneri, Ardian Ismajli lë Empolin në janar! Juventus dhe Napoli në garë