Një gjykatës apeli i shtetit të Nju Jorkut anuloi përkohësisht të enjten vendimin për kufizimin e komenteve të zotit Donald Trump lidhur me pjesëtaret e gjykatës që po shqyrton çështjen ndaj tij. Gjykatësi ngriti shqetësime për lirinë e fjalës.
Vendimi i gjykatësit David Friedman e lejon ish-presidentin që të komentojë lirshëm për stafin e gjykatës ndërsa zhvillohet një proces më i gjatë apelimi.
Gjykatësi Arthur Engoron, i cili po shqyrton çështjen ndaj zotit Trump për mashtrime financiare, dha urdhër më 3 tetor për kufizimin e komenteve të ish-presidentit pasi ky i fundit bëri komente të rreme në median sociale në lidhje me një punonjëse të gjykatës.
Pas kësaj, gjykatësi e gjobiti zotin Trump për shkelje me 15,000 dollarë dhe e zgjeroi gjobën edhe për avokatët e tij pasi ata ngritën pikëpyetje në lidhje me rolin e punonjëses së gjykatës tek çështja ndaj zotit Trump.
Ndërsa mori vendimin në një seancë urgjente të enjten, gjykatësi Friedman vuri në dyshim autoritetin e gjykatësit Engoron për të kontrolluar komentet e zotit Trump jashtë sallës së gjykatës.
Gjykatësi Friedman tha se vendimet për të mos komentuar zakonisht merren për çështje penale, kur ekziston frika se komentet mund të ndikojnë tek juria e çështjes. Gjyqi civil ndaj zotit Trump nuk ka juri.
Avokati i Trump, Christopher Kise, tha se gjykatësi i apelit “mori vendimin e duhur dhe e lejoi Presidentin Trump që të përfitonte plotësisht të drejtat e tij kushtetuese që ofron Amendamenti i Parë, të drejtat për të folur për njëanshmërinë në gjyqin e tij, atë që ai po sheh dhe po dëshmon në gjyqin e tij, i cili duhet të ndiqet nga të gjithë”.
Një tjetër avokate e zotit Trump, Alina Habba, tha se ajo nuk ka në plan që ta këshillojë ish-presidentin që të heshtë në lidhje me punonjësen e gjykatës.
“Unë nuk shoh arsye për kufizime sepse zonja James po vazhdon ta diskreditojë klientin tim”, tha zonja Habba, duke iu referuar Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James, e cila i ka ngritur akuzat. “Të dy palët duhet të jenë në gjendje të flasin”.
Vendimi i gjykatësit Friedman vlen edhe për avokatët e zotit Trump si dhe të tjerët e përfshirë në çështje.
Trump dhe avokatët e tij e kanë kritikuar shpesh punonjësen e gjykatës, Allison Greenfield. Ata pretendojnë se ish-kandidatja demokrate për një post gjykatëseje është një zë politik në veshin e gjykatësit Arthur Engoron, megjithëse edhe ai është demokrat.
Gjykatësi Engoron e ka mbrojtur rolin e saj në sallën e gjyqit, duke urdhëruar që të mos komentohet rreth punonjësve të gjykatës dhe duke e gjobitur zotin Trump 15,000 dollarë, për atë që gjykatësi e konsideroi shkelje.
Javën e kaluar, gjykatësi Engoron u kërkoi avokatëve të çështjes që të mos komentonin rreth “komunikimeve konfidenciale” midis tij dhe ekipit. Avokatët e zotit Trump, të cilët kërkuan pavlefshmërinë e gjykimit të hënën, thonë se urdhëratë e gjykatësit Engoron po shtypin në mënyrë jo kushtetuese fjalën e lirë./VOA