Ura mbi lumin Mat, në aksin nacional Lezhë-Milot, është vendosur nën kufizim për automjetet me tonazh të rëndë. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka vendosur barriera betoni në të dyja anët e urës, për të ndaluar kalimin e mjeteve që tejkalojnë peshën e lejuar prej 13 tonësh.

Masa vjen pas ndërhyrjes emergjente të kryer disa muaj më parë për përforcimin e themeleve të urës. Pavarësisht sinjalistikës, monitorimet në terren kanë evidentuar shkelje të përsëritura të kufizimit nga automjetet e rënda.

Ndërkohë, përdoruesit e urës shprehen se struktura vijon të ketë probleme dhe ngrenë dyshime për cilësinë e investimit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se kufizimi nuk lidhet me ndonjë cedim apo dëmtim të urës, por është një masë parandaluese për mbrojtjen e ndërhyrjes së kryer në themele dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të strukturës.

Për rikonstruksionin dhe përforcimin e Urës së Matit, me gjatësi 844 metra, u akordua një fond emergjent prej 107 milionë lekësh të reja, ndërsa punimet zgjatën rreth 8 muaj.