Kujtim Spahivogli, artisti rebel
dhe disa sekrete nga internimi

Kujtim Spahivogli, artisti rebel<br />dhe disa sekrete nga internimi
Babi im, Ridvani, erdhi me këtë fotografi të rrallë nga Italia. Në fakt, është e vogël sa 4 kuadrate çokollate, por, që kur e pashë – nga java e parë e këtij qershori - , nuk më hiqet nga mendja duke më ndryshuar e duke lënë gjurmë të thella tek unë. Kisha menduar gjithmonë se në Shqipëri patëm një diktator si Enver Hoxha, sepse nuk patën ndonjë trim që ta kundërshtonte ashtu siç duhej, edhe me jëtën. Asnjëherë nuk jam pajtuar me idenë se Dikush duhet të vendoste për ne e të na mbante në kafaz të mbyllur për 50 vite dhe duke u rritur me çudinë e asaj që na rrethonte, fajin ja vija njerëzve që më dukeshin aq servilë e të pavërtetë kudo.

Që fëmijë kuptoja se si gënjehej për lumturinë, kur në shtëpi na mungonin gjërat elementare. E kuptoja e vogël që jetoja në një vend që më bënte të qaja saherë në radhën e bukës, kur vinin fshatarët nga zonat përreth qytetit tim e luteshin për t’iu blerë një bukë gruri që ata vetë prodhonin, por “nuk e meritonin”. Gjëra të vogla, por të hidhura të kohës... Kam lexuar, kemi publikuar shumë dëshmi persekutimi gjatë viteve të diktaturës: Histori të dhimbshme intelektualësh të pushkatuar, të vrarë e të zhdukur në mënyra të ndryshme... Por fjalët janë fjalë, e sado të thonë me të madhe dhimbjen e tyre, një foto i kapërcen dhe jep mesazhin më të gjallë e më të plotë. Si kjo foto që babai im solli nga Italia në këtë udhëtim pranvere.

kujtim spahivogli ne internim
(Kujtim Spahivogli në internim)

FOTOGRAFIA E KUJTIM SPAHIVOGLIT NE INTERNIM
Sula, një mik që babi ka njohur në Itali, në San Benedetto del Tronto, në qytetin ku jeton prej vitesh vëllai im, këtë herë i kishte dhënë këtë foto bardh e zi e të zverdhur nga koha: Janë dy burra të rinj, të zhveshur nga mesi e sipër, njëri me një mistri në dorë, e tjetri me cigare, duke pozuar para një Skode, të dy të qeshur. Njëri është Sulejman Bella, shoku i Italisë i babait tim, ruajtësi i fotografisë dhe i kujtimeve, tjetri, Kujtim Spahivogli, aktori, regjisori, dramaturgu i njohur shqiptar, në atë kohë i internuar në Povël të Mallakastrës, në sektorin e bonifikimit. Kujtim Spahivogli ka qenë dhe pedagog i babait tim në atëhershmen Akademi e Arteve.

ARTISTI ME MISTRI NE DORE E ÇIZME LLASTIKU
Nga gjërat e bukura të fëmijërisë sime mbaj mend kur babi na tregonte fotot e tij si student në Akademinë e Arteve dhe na tregonte për pedagogët Naim Frashërin, Kujtim Spahivoglin, apo shokët e tij të klasës Bujar Kapexhiu, Drita Haxhiraj që ndërkohë ishin bërë aktorë të njohur... Por rrëfimet ngecnin për Kujtim Spahivoglin, e im atë gëlltitej sikur i bëheshin nyje në grykë e diçka nuk shkonte. Më vonë e mësova se karriera e tij ishte ndërprerë shpejt e se ndryshe nga të tjerët nuk ishte më në fushën e artit. E ndoshta, kur im atë më fliste për të, ai bënte jetën e tij si internuar në Mallakastër. Aktori dhe regjisori që kishte qenë student brilant në Rusi, i kalonte ditët si në këtë foto: Me mistrinë në duar, çizmet e llastikut, pantallonat e arnuara, por me buzëqeshjen dhe dritën e një njeriu ndryshe.

Për mua kjo është një foto e jashtëzakonshme; më duket sikur mbart brenda vetes mesazhin dhe sekretin e lulëzimit aq gjatë dhe aq egër të Diktaturës alla shqiptare. Në vitet ‘70, kur në botë këndonin The Beatles dhe Queen, në Shqipëri artistët po dënoheshin njëri pas tjetrit se kishin bërë këngë “alegre” në festivalin e 11, kishin veshur fustane pak më të shkurtër, apo lëviznin nën ritmin e muzikës në skenë. Në Shqipëri goditej, zhdukej, dënohej kush mendonte ndryshe dhe intelektualët dhe mendimet e tyre shkatërroheshin që në embrion pa mundur të çelnin e të shpërndaheshin mes njerëzve. Regjisori dhe themeluesi i teatrit për të rinj Kujtim Spahivogli, ishte dënuar sepse kishte mbështetur veprat e një tjetër intelektuali të dënuar, Fadil Paçrami. Kishte thënë thjeshtë mendimin e tij të lirë në një shoqëri të parafabrikuar.

Sulejman Bella, “shefi” i Spahivoglit në Internim
“Kujtimi erdhi me letrën e internimit në dorë dhe unë e njoha menjëherë. Ishte personalitet i artit dhe e dija historinë e tij. Për mua, ai vit e gjysëm në fshatin Povël të Mallakastrës në shoqërinë e Kujtimit mbetet i paharruar”, më tregon i emocionuar përmes telefonit Sulejman Bella, burri që ka dalë në foto me Kujtim Spahivoglin. Bella ishte topograf dhe përgjegjës i sektorit të bonifikimit në këtë fshat të humbur dhe Komiteti i Fierit i kishte sjellë në skuadër Kujtim Spahivoglin. “Ishte njeri plot kulturë. Plot humor e i jashtëzakonshëm. Nuk mund ta lija të flinte në kapanon, ndaj e sistemova te një dhomë te vatra e kulturës, për të cilën dhe më spiunuan e bënë mbledhje urgjente partie për të më dënuar”. “Thuaji që e vure në vatrën e kulturës nën shembullin e Mao Ce Dunit, sepse ai kështu bënte me të deklasuarit i vinte të lexonin librat e partisë për t’i riedukuar. Thuaji që e vure të Vatra e Kulturës që ta edukoje me librat e Enverit...

kështu e kishte këshilluar Sulën një shok, edhe pse komunist, dhe Sula kështu bëri e ia doli paq. “Kujtimi qëndroi një vit e gjysëm me mua në Povël të Mallakastrës. Ishte i përvëluar për të bijën, atëherë e vogël 5 vjeç ndoshta. Do të doja shumë që këtë foto ta kishte edhe ajo e të mundja t’i tregoja dy fjalë për të atin. Ndamë bashkë ditë e netë plot biseda e rrëfime dhe kur iku më la një tjetër thesar që dua t’jua tregoj: Çfarë mendon për Enver Hoxhën e pyeta pasi krijuam besim të plotë te njëri-tjetri. “E ke parë filmin Ali Baba me 40 hajdutë? Më pyeti. Por në vend të 40 hajdutëve, vendos 40 injorantë. Ky është Enver Hoxha”. Intelektuali e artisti Kujtim Spahivogli, emrin e të cilit mban sot Teatri Kombëtar eksperimental, që vdiq vetëm në moshën 55 vjeçare duket sikur e kishte kuptuar mirë se si funksiononte në Shqipëri dhe si do të funksiononte në të ardhmen. Ja porosia e fundit për mikun e tij të internimit: “Shoku Sulë (kështu i thirri deri në ditën e fundit) do ju jap një këshillë: Ju e keni jetën përpara dhe ky sistem do të ndryshojë.

Ti me këtë kokë që ke, me këtë tip do ta kesh të vështirë, prandaj sapo të jepet rasti ik, por pa e kthyer kokën prapa, se po e ktheve do ta kesh më keq”. Këto fjalë ruan në zemër Sula që në fillim të viteve ’90 jeton në Itali, e na përcolli një foto e ca fjalë të çmuara të një shqiptari të mençur që e kishte kuptuar që atëherë dëshirën e madhe të lidershipit shqiptar për t’u rrethuar nga 40...


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Droni nënujor bën zbulimin e rrallë, gjen se çfarë fshihet nën akullnajat e Antarktidës! Por më pas, zhduket edhe vetë mistershëm

Droni nënujor bën zbulimin e rrallë, gjen se çfarë fshihet nën akullnajat e Antarktidës! Por më pas, zhduket edhe vetë mistershëm