Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit: Princesha Ruhije, vdiq në spitalin francez në Kajro! Prezent ishin Mbreti Zog e Geraldina, në funeral morën pjesë 5 mijë vetë

Kujtimet e kolonel Hysen Selmanit: Princesha Ruhije, vdiq në spitalin francez në Kajro! Prezent ishin Mbreti Zog e Geraldina, në funeral morën pjesë 5 mijë vetë

Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

Kairo, 5 kallnur 1948

“Mbreti shkoi për të pushuar pak, kur menjëherë, erdhi Madhnia e Tij, Mbreti Faruk i Egjiptit, bashkë me Doktor Reshatin. Pasi pyeti për shëndetin e Princeshës, Mbreti shqiptar, i tha se: Gjendja është mjaft e rëndë. Motrën e shtrova në spitalin francez, se kështu më këshilluan profesorët. Atje paska disa vegla moderne, por këtë e dinë më mirë doktor Reshati”. Pas këtij bisedimi, menjëherë filluan bisedimet përmbi ngjarjet e Palestinës. Mbreti Faruk, ishte tepër i mërzitur. Dukej se nuk e linin të qetë. Gjithnjë e nxisnin duke i thënë se, do të ishte më mirë të merrte masa lufte, se kështu nuk shkonte! Myftiu i Jerusalemit, kishte ikur me 2000 vetë e erdhi në Kajro. Dhe, e gjithë kjo gjendje, varej prej Mbretit Faruk. Arsyeja se ky, ishte shteti më i madh dhe më i pasur. Mbi të gjitha, rëndësia e situatës këtu peshonte më shumë.

Mbreti Zog, gjithnjë e kundërshtonte për një akt të tillë. Lartmadhëria, e këshillonte për urtësi e për të biseduar me amerikanët dhe britanikët e francezët. “Për të gjetur një muzivene të përshtatshme për të dy popujt. Dhe, e vetmja mënyrë ishte, për të ndarë në dy shtete, Palestinën. Natyrisht, edhe juve (egjiptianëve) do t’ju kushtonte një front i madh. Por, më tepër anglo-amerikanët, do të bëjnë pagesën më të madhe, se shkulja e familjeve, kërkon një shpenzim për instalim”.

Mbreti Zog, vazhdoi duke i thënë: “Unë ju dua, si një vëlla që ju kam. Po ju them atë që unë parashoh. Në rast se bëni një gabim, për të marrë masa ushtarake, kjo do të jetë një humbje. Do të mbetet e pa përmirësuar për ju, si edhe ata një milion arabët, do ju vijnë në vendet tuaja. Kështu, Zhuifet, menjëherë do ta okupojnë krejtësisht Palestinën. Siç, ua kam thënë shpeshherë, se izraelitët kanë Britaninë e Madhe dhe Amerikën e, Francën mbrapa. Ato, qysh se i kanë instaluar aty, i kanë siguruar me të gjitha, si politikisht dhe financiarisht. Për më tepër, nuk lenë që t’i sulmoni aspak juve. Këtë, duhet ta merrni në urtësi dhe me biseda me britanikët, por dhe me amerikanët e francezët. Formoni një komision, nga elemente mjaft inteligjente, si: Xhemil Madam Begu dhe zgjidh një nga Egjipti si Nehas Pashën; po ashtu nga Jordania, një person të njohur; gjithashtu merr Chamunin ose Charren, në Liban. Pra, bëni një komision që janë edhe miq e të njohur mire, prej tyre. Këta patjetër, do të gjejnë një mënyrë rregullimi”.

Po ashtu, ai e këshilloi mikpritësin e tij egjiptian, se: “Veçanërisht, në asnjë mënyrë nuk duhet që arabët palestinezët, të lenë vendin e të ikin në vendet e ndryshme, si: në Egjipt, Siri, Liban e Jordani. Nuk është mirë, se vendi përfaqësohet prej njerëzve e, jo toka pa njerëz. T’i këshilloni të rrinë urtë, e mos t’i japin asnjë shkak grindjeje dhe të durojnë. Prej këtyre, mos të shkaktohet asnjë ndërhyrje se, Zhuifet, mund t’ju japin shkak, por arabët duhet që të shohin punën e tyre”.

Me këto fjalë, ata hëngrën darkë e kanë qëndruar deri në orën 2 pas mesnatë. Mbreti Faruk, shkoi dhe Monarku Shqiptar, e përcolli deri tek automobili. Ai ishte vetë i treti. Shkuan bashkë me Doktor Reshatin dhe Qerim Sabitin. Pak çaste më vonë, kujton adjutanti, Mbreti, pyeti pak Princeshën Sanije në Spital, për Ruhijen. Princesha iu përgjigj se: “Flen pak, por nuk është mirë”. Pastaj Mbreti, shkoi e fjeti. Ai i tha kolonel Husein Selmanit: “Për çdo gjë më lajmëroni, e ti flej këtu, në sallon”.

Kairo, 8 kallndor 1948

Sot me datën 8 janar 1948, Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, me gjithë familje, zbritën në Aleksandri. “Menjëherë na lajmëruan dhe kolonel Husein Selmani ju tha që, të zënë vend në Aleksandri”. Ai vetë mori përsipër që do telefononte, porsa të dilte Mbreti në sallon. Ata e pyetën për shëndetin e Princeshës dhe koloneli ju tha shkurt se, nuk ishte mirë.

Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, që bënin pjesë në Këshillin Mbretnor, lajmëruan menjëherë Ministrin e Punëve Jashtme dhe të Brendshme Egjiptiane, që do të qëndrojnë në Aleksandri. “Në këtë mënyrë, menjëherë urdhëruan autoritetet e Aleksandrisë”, vijon adjutanti. Kur Mbreti Zog doli në sallon, kolonel Husein Selmani, i parashtroi se Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, erdhën në Aleksandri me gjithë familje.

“Ju thashë që të qëndroni atje, i tha ai Mbretit- e njëkohësisht lajmëroni Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Brendshëm Egjiptian. Kjo, në mënyrë, që të jenë të lire, për të qëndruar në Aleksandri”.

“Shumë mirë, – tha Mbreti- që paskan ardhur”. Pastaj vijoi duke këshilluar adjutantin: “Sa të kthehem në Aleksandri, do t’i thërras e kam për të biseduar mbi shumë probleme me ta. Mos të mërziten, jepu të falat”.

Kairo, 9 janar 1948

Me datën 9 Kallnur 1948, erdhën nga Italia në Kairo, Mustafa Kruja, Omer Beshiri, Ago Agaj. Ata, menjëherë i telefonuan kolonel Husein Selmanit, mbi arritjen dhe se ndodheshin në Hotel “Hilio-Polise”. Kolonel Selmani, prapë lajmëroi Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshmin Egjiptian, edhe për këta. Duhej bërë kjo, në mënyrë që ata të lejoheshin, për të qëndruar në Kajro. Pastaj, menjëherë hyri tek Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ku i parashtroi ardhjen e tyre dhe masat e marra. Madhnia e Tij, Mbreti, e urdhëroi: “Nesër në orën 10, para drekës, të vinin në audience: Mustafa Kruja, profesor Omer Beshiri dhe Inxh. Ago Agaj”. Menjëherë të nesërmen, në orën 10.00, erdhën në audiencë.

“Madhnia e Tij, Mbreti Zog i I-rë, i priti shumë mirë të ardhurit, sidomos Mustafa Krujën. Këtë personalisht, kishte një kohë prej 25 vjetëve, që nuk e kishte parë. Po ashtu edhe tjetrin, Profesor Beshirin dhe po ashtu edhe Inxh. Ago Agajn. Nuk i ndaloi shumë pas kësaj, se kishte për të shkuar në spital, për të parë të motrën, që vazhdonte të ishte tepër rëndë. Ju tha që të vijnë të nesërmen për drekë dhe më urdhëroi për të thirrur Mbretneshën dhe Princin Trashëgimtar, Lekën. Kur i panë, atyre u janë mbushur sytë me lot e nga mallëngjimi dhe as që mundën me folë”, shkruan adjutanti.

Në Egjipt, filluan grevat. Më tepër ka probleme në Universitare për çdo ditë. Kjo ishte përgatitur nga agjentët e huaj e, sidomos të Rusisë Sovjetike, që qarkullonin haptazi gjithkund. Ata kishin futur hundën, në të gjithë dikasteret, në polici, në dogana, e pothuajse shumë, edhe ndër oficerët. “Situata vjen duke u keqësuar, sa më tepër e nuk është aspak e lehtë, që të sigurohet qetësia. Çdo kabinet që vjen, nuk ka mundësi të stabilizojë qetësinë e vendit. Si Kajro, por më tepër Aleksandria dhe Ismailija, janë të mbushur me të huaj, saqë nuk njihen se çfarë tendenca zhvillojnë. Por, më tepër janë agjentë sovjetikë”.

Kairo, 15 kallnor 1948

Komiteti i Emigracionit në Siri, dërgoi një raport urgjent mbi gjendjen kritike të emigratës shqiptarë, në vend. Ja si shkruhej aty: “Tani në Siri, kanë ardhur më tepër se 2.000 refugjatë palestinezë. As atyre, nuk dinë se qysh t’ju bëjnë, dhe 500 vetët tanë, janë në një situatë mjaft të vështirë. Kryetari Republikës, Excellenca e tij Kueatly, përpiqet, por nuk kanë buxhet për asgjë. Merrni masat e shpejta”.

Madhnia e Tij, Mbreti Zog, urdhëroi kolonel Husein Selmanin, për të thirrur menjëherë, Excellencën e Tij, Peterson. Që mundësisht të paraqitej tek Mbreti, në Kajro, se Petersoni për fat, ndodhej në Athinë. Ai, brenda ditës, erdhi me aeroplan dhe u paraqit tek Mbreti Zog. Natyrisht, Mbreti i kërkoi të falur dhe e falenderoi që menjëherë u paraqit.

Pasi u përshëndetën, Mbreti Zog, thirri kolonel Husein Selmanin dhe e urdhëroi; të këndonin raportin e Komitetit, që vinte nga Siria. Aty Peterson, u prek shumë dhe u kthye nga Mbreti Zog, e tha: “Madhni, lëri sa u përket shqiptarëve. Këta menjëherë i rregullojmë. Por, pse u bë ky gabim i madh prej arabëve. A nuk kanë menduar pak se ku janë, e ku venë me një rrugë që ka për t’i gremisur shumë keq?! Ashtu, siç thuhet, më tepër se 100.000 palestinianë arabë, janë larguar nga vendi i tyre. Por kjo, shkon në favor të Zhifeve. A nuk kanë menduar pak, – tha Petersoni?! Madhni, me të vërtetë më lejoni t’ju them, se jeni shumë largpamës. Keni bërë shumë mire, që ndaluat emigratën, që mos të transferoheshin në vendet arabe. Sot, do të ishte një katastrofë e madhe”.

Petersoni tha pas kësaj: “Nesër, do të shkoj vetë në Siri. Do të iki vetëm për rregullimin e emigratës shqiptare, derisa t’i transformojmë në vendet, që do të caktohen. Pas kësaj, një pjesë mund t’i dërgojmë shpejt në Australi. Kemi marrë përgjigje, mbi pranimin e një pjese dhe tha se; mos keni asnjë merak, për shqiptarët. Ata i rregullon tani organizata”, tha ai.

Para se të nisej Petersoni, Mbreti Zog i I-rë, i kërkoi: “Nuk ka asnjë mundësi që t’u ndihmohet, edhe këtyre refugjatëve palestinezë. Ata kanë mbetur rrugëve, me gjithë familjet”.

“Jo,- i tha Petersoni,- kjo është një tjetër punë. Nuk hyjnë në fondet e emigracionit. Këto janë punë inatesh dhe ata duhet t’i administrojnë ata, që i kanë këshilluar për të ndjekur këtë rrugë. Në asnjë mënyrë, organizata jonë, nuk mundet. Këtë mund ta bëjë vetëm Lidhja e Kombeve, kur mund të gjendet ndonjë ujdi në mes arabëve dhe Izraelit. Vetëm kështu, mund të merren masa”. Me këto fjalë, e shoqëroi kolonel Husein Selmani, deri në Aeroport të Kairos. Zyrtari i lartë i Emigracionit, u nis për Damask të Sirisë. I telefonova Salih Myftisë, që me gjithë Komitetin, ta presin në aeroport të Damaskut, Syrie, kujton adjutanti.

Por, sa kishte qenë nis Petersoni, erdhi Mbreti Faruk. Ishte shumë i mërzitur dhe hyri në sallonin privat të Mbretit. Atje biseduan shumë, por vetëm ata të dy, Mbretërit. Vetëm dëgjuam fjalët, kur i tha Mbreti Zog, Mbretit Faruk, që i ishte lutur Drejtorit të Emigracionit, që po të ketë mundësi, të ndihmohen edhe emigrantët palestinianë. Ata kanë mbetur, me gra e fëmijë, rrugëve dhe janë mos më keq. “M’u përgjigj që jo, – i tha Mbretit Faruk, – organizata jonë nuk mund të përzihet në atë, përveç UN-as e kjo, më tha, është shumë e vështirë”. Dhe, ishte shumë i prekur, sipas adjutantit, sepse, u mor një masë e tillë, me u mendu mirë.

Me datën 31 Janar 1948, në orën 6.40 pas dite, Princesha Ruhije dha shpirt në Spitalin Francez, në Kajro. Ishte dita e xhuma. Kur vdiq, prezent ishte Mbreti Zog, Mbreti Faruk, Mbretëresha Geraldinë, Princ Omer Faruku dhe Princeshat. Bashkë me këta, ishin edhe shumë miq të tjerë. Dhe, kuptohet se e gjithë suita e Pallatit Mbretnor Shqiptar aty. Si u bënë të gjitha formalitetet fetare, trupi, u vendos në arkivol. Pastaj, me ceremoni të madhe u dërgua në shtëpinë ku banonte Mbreti Zog. Dhe, për të gjithë atë natë, me qindra vetë dhe po ashtu gjithë trupi diplomatik dhe elita egjiptiane, burra e gra, ishin grumbulluar në sallonet, derisa u bë mëngjesi. Në atë kohë, të gjithë u shpërndanë, për një orë, për t’u veshur me xhaketa.

“Menjëherë, erdhën nga Aleksandria, Madhnia e Tij, Mbreti Umberto dhe Mbretnesha Giovanna, Princi Ramonof, dhe e gjithë kolonia shqiptare në Aleksandri. Në orën 11.00, filloi ceremonia afër Gropit “Sulejmane Pashë”, para Xhamisë, ishte vendosur çadra e zakonshme. Një skuadran kavalerie, e shoqëronte karrocën dhe bashë me ta, edhe një batalion ushtarë. Ndërsa kapanoni, mbante prezencën e Mbretit Zog, Mbretit Faruk, Mbretit Umberto, Princit Trashëgimtar, Mehmet Aliut dhe gjithë princat egjiptianë, Qeveria, Trupi Diplomatik, etj. Pothuaj, ishin më shumë se 5000 vetë, në atë Funeral, ku u varros në Teqen Mangalli”.

Pasi u mbarua ceremonia e varrimit, të gjithë deshën t’i jepnin dorën Mbretit Zog. Por, ai ju tha se; me zakonet shqiptare; dora jepet tek shtëpia. “Dhe, sonte do të jepet një përshpirtje në Xhami dhe do të hamë një darkë në Hotel Shpette”, u tha ai të pranishmëve. Kështu, e shoqëruan Mbretin të gjithë, deri tek shtëpia. Aty, një pjesë qëndruan në sallone, një pjesë në Bahce dhe më vonë, të gjithë shkuan në Xhami. Si ata që ishin Mohamedanë e, të tjerëve, u tha se; në ora 9.00 të mbrëmjes, të shkonin në Hotel “Shepet”. Aty ishin rezervuar sallone, për 260 vetë me të gjitha gjërat.

“Nuk mund të lihet pa u shënuar, bujaria tepër burrnore e miqësore e, Madhnis Tij, Mbretit Faruk, që vepra e Tij, në këtë rast, mbetet gjithmonë e gjallë në zemrat e gjithë shqiptarëve. Ai, bëri më tepër se duhej bërë, si në çadrën, por dhe në ceremoninë ushtarake e, të tjera”.

Mbreti Zog, për 10 ditë me radhë, priti vizita në Kajro. Atij i vinin nga të gjitha anët, telegrame e letra, ngushëllimi, me mijëra. Prej këtyre, ato që ishin të nevojshme, menjëherë u falenderuan. Dhe, sa për të tjerët, përgjigja u bë më vonë, kur u kthyem në Aleksandri, sepse atje kishim të gjitha arshivat.

Ajo që ishte interesante në këtë kohë, kishte të bënte me faktin që: Përgjigjet e notave, që ju ishin dërguar Shteteve përsa i përkiste emigracionit, si: Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Australisë, Kanadasë etj., të gjitha na ishin përgjigjur. Ne, edhe i patëm njoftuar Komisariatit në Gjenevë, që ishin pranuar. Madhnia e Tij, Mbreti Zog, me gjithë Mbretëreshën e Princeshat, si dhe Suitën, me datën 12 shkurt 1948, u kthyen në Aleksandri. Aty, edhe një herë u dha një pritje, për koloninë shqiptare e greke, për ngushëllime. “Më vonë, Mbreti u qetësua, shkruan adjutanti – por asnjëherë, nuk ishte i qetë se, sa mbarohej një gjë, dilte një tjetër, gjithmonë me telashe”.

Aleksandri, 18 shkurt 1948

Madhnia e Tij, Mbreti Zog, mblodhi Këshillin Mbretnor, nën kryesinë e vet, ku merrnin pjesë: Mehdi Frashëri, Hiqmet Delvina, Musa Juka, Husein Selmani, Kemal Mesareja, Sotir Martini dhe Abdyl Sula. Mbreti, i vuri në dijeni që programi i paraparë mbi instalimin e emigracionit në Shtetet Arabe, u pezullua. “Kjo, jo prej Shteteve Arabe, por prej meje, u shpjegoi ai: Siç po e shihni, se gjendja në mes Zhuifeve dhe Arabëve Palestinezë, është tepër kritike. Po ikin me mijëra arabë e, dalin në ato vende, si në Siri, Jordani, Egjipt, Liban dhe kanë mbetur mos më keq”.

Pastaj e urdhëroi kolonel Husein Selmanin, për të lexuar raportet e fundit, që dërgoheshin nga Komiteti ynë prej Damasku në Siri. Ata kërkojnë një orë e më pare, për të marrë masa për t’i larguar prej këndej. Sipas kësaj, thirra Drejtorin e Iros, Excellencën e tij, Peterson. Ai menjëherë u nis për Damask dhe më siguroi se; përsa ju përket shqiptarëve, do të merren të gjitha masat, me ushqime, banim, mjekime dhe deri diku me veshmbathje. “Mos keni as më të voglin merak”, me siguroi ai.

Veçanërisht, kemi marrë të gjitha përgjigjet e notave, që ju patën drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës dhe Kanadasë e Australisë, e lexuan të gjithë përgjigjet. Ato janë krejtësisht në favor dhe janë urdhëruar organizatat e emigracionit, për të marrë masat e shpejta”.

Pasi u lexuan këto gjëra, përsa i përkiste emigracionit, Mbreti ju vuri në dijeni, mbi delegacionet greke. “Shpeshherë, kanë ardhur të bisedojnë, ka thënë Mbreti – por pa ndonjë rezultat. Ata, si gjithmonë dhe prej meje, kanë marrë përgjigje të njëjta, si këtu, po ashtu edhe në Londër, rreth Luftës Dytë Botërore. Dhe, ua kam thënë, në formë të prerë, që pa hequr dorë nga kërkesat në tokën shqiptare, asnjë marrëveshje me ne, nuk keni. Është e kotë që të bisedojmë, dhe si miq, kur të dëshironi hajdeni. Por, jo për bisedime të tilla”.

Pastaj Mbreti, ju foli mbi situatën shumë të ndërlikuar: “Unë, si mik i arabëve, i kam këshilluar. I kam mbledhur me duzina herësh këtu, duke ju bërë të ditur se, izraelitët, që i shpëtuan nga shpata e Hitlerit, nuk lejojnë me shpatën tuaj, kundrejt tyre. Natyrisht, i kam këshilluar që të zgjedhin katër persona, të njohur mirë dhe miq të Anglo-Amerikanëve. Ata, sipas meje, duhet të ishin; një Egjiptian, një Sirian, një nga Jordania, dhe një Libanez; që të merren vesh në urtësi; për rregullimin e dy kombeve. Kjo do të bëhej; duke i ndarë në dy shtete në kontrollin e Anglo-Amerikanëve e Francezëve, si ekonomikisht dhe politikisht, sepse përndryshe, këto e kishin të humbur kryekëput luftën”.

“Po të njëjtat propozime, u tha Mbreti – e bile edhe më rëndë ua kam propozuar edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, ashtu si Francës. Pra, që të shpejtojnë në ndalimin e ngjarjeve të Arabëve e Zhuifeve. Me këtë mënyrë, keni humbur pothuaj 100 milion arabë, saqë agjentët turbullues, qarkullojnë gjithkund, në vendet arabe, e sidomos në Egjipt. Ata i kanë futur hundët, gjithkund dhe kanë arritur deri në dezerte, të paguajnë të holla dhe duke dhënë instruksione. Ata janë të veshur me rrobe arabe, galabina, e të tjera. Por, nuk dëgjojnë e na vjen keq, po qysh me ba”, u sqaroi ai bashkëbiseduesve të tij.

Me këto bisedime, për herën e parë, u shpërndanë. Edhe Mbreti ishte pak i lodhur nga vdekja e Princeshës e shkoi për të pushuar./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë