Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe rikrijimit të Shtetit të ri Shqiptar në vitin 2012 u botuan kujtimet e një prej figurave më interesante të shekullit të kaluar; protagonist në Kryengritjen e Fierit (1935) dhe sidomos në Luftën e Dytë Botërore e pas saj në emigracion. Kujtimet e tij ngjallën interes dhe debate që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, veçmas për rolin e tij si komandant partizan me aktivitet të ngjeshur në krejt krahinat e Jugut: Skrapar, Berat, Fier, Mallkastër, Përmet, Kolonjë Korçë dhe deri në kodrat në juglindje të Tiranë.

Kalimi i tij në krahun kundërshtar, pra, Ballin Kombëtar bëri bujë të madhe në fund të vitit 1943. Kurse nga mesi i shkurtit 1944 deri në 1 shtator 1944 provoi edhe administratën kuisinge duke drejtuar një nga rajonet e Xhandarmërisë së kryeqytetit, Tiranë. Pas kësaj date largohet nga Shqipëria me nofkën e “tradhtarit” dhe “armikut” sipas terminologjisë së regjimit komunist. 

Por edhe botimi i kujtimeve dhe sidomos refleksioneve të tij në lexim të parë  provokoi paradokse: për herë të parë veteranët komunistët dhe veteranët ballistë u bënë bashkë qysh nga Lufta e Dytë Botërore: të gjithë kundër Xhelal Staraveckës. Sepse të vërtetat që thotë ai nuk përkojnë me ato që kanë thënë e propaganduar të dy palët në luftën politike edhe në rrethanat e reja. Ballistët nuk ia falin që nuk mbeti ballist deri në vdekje, gjithashtu edhe komunistët që tradhtoi idealet e tyre.

E, meqë sot është 82-vjetori i Masakrës së 4 Shkurtit 1944, ngjarje shumë sensitive dhe për të cilën, më rezulton se ka më shumë propagandë se fakte historike, bazuar në një kërkim shumëvjeçar arkivor duke ballafaquar kujtimet dhe publikimet e bëra deri më sot me dokumentet arkivore të panjohura ose të publikuara.

Në thelb rasti Staravecka është manipulimi i historisë së individit dhe pastaj i historisë vetë përmes manipulimit të së vërtetës përmes gjysmë të vërtetave, demonizimit të tjetrit, të cilat pastaj pushteti i certifikon dhe i zyrtarizon si të vërteta që nuk mund të vihen në diskutim. Lexuesi mund të bëjë prova duke kërkuar në Google me frazën: Xhelal Staravecka, Masakra e 4 Shkurtit 1944, dhe do t’i dalin qindra shkrime në media, në libra, edhe në libra historianësh se Xhelal Starvecka na paska qenë në postin e Komandantit të Xhandarmërisë së Tiranës apo kryeqytetit më datën 4 Shkurt 1944.

Por ju do të lexoni më poshtë kujtimet autentike të shkruara nga vetë Xhelali ku ai thotë se çfarë posti mori pas ftesës së ministrit të Brendshëm, Mehdi Frashëri dhe kur e filloi detyrën.  Dhe ju mund të keni të drejtë të mos ta besoni pa pasur një provë. Dhe prova është kur merrte rrogën çdo muaj në fund të muajit ose që i duhej të firmoste çdo ditë raporte, shkresa e urdhra për vartësit, shkresa dhe urdhra që arkivohen e ruhen. Kështu që nëse doni të vërtetën pasi të lexoni çfarë thotë Xhelali vetë lexoni shkresat që janë firmosur më poshtë, lexoni edhe shkresën tjetër që tregon kush ka qenë në të vërtetë Komandant i Xhandarmërisë së Tiranës në për shumë vjet rresht para dhe pas 4 shkurtit 1944. Ja çfarë thotë Staravecka  në kujtimet e tij për 4 Shkurtin 1944:

Aktet historike nuk duan të zhduken pa lënë dëshmi

“Drejt fundit të janarit 1944, Mehdi Frashëri, me anën e Ali Klisurës, më thirri të shkoja në Tiranë. Kur shkova në Regjencë, Mehdi Frashëri më propozoi të qëndroja në Tiranë si komandant i xhandarmërisë së rrethit kryeqytetit me cilëndo gradë që të dëshiroja. Në atë rast e luta regjentin të më lejonte 5-6 ditë të mendohesha. Natyrisht, përdora këtë formulë për mos ta refuzuar aty, sy për sy, mbasi një mision të atillë nuk doja ta dëgjoja dhe jo më ta përqafoja....

Mbi çështjen e natës së Sanbartolomeut në 4 shkurt, në 3 shkurt, në mos gabohem, erdhi Kadri Cakrani nga Berati e të nesërmen dy komunistë shtinë e vranë një nga rojet personale të Kadriut si dhe xhajën e Xhafer Devës. Nga ai aksion komunist u bë ajo kasaphanë atë natë që iu kushtoi jetën më tepër se 70 personave të pafajshëm. Në atë masakër nuk kam pjesë, pasi komandën e xhandarmërisë së kryeqytetit e mora më 13 shkurt. E, në sa i takon asaj çështjeje, kam dëgjuar se edhe qeveria e Tiranës e regjimit të sotëm nuk më ka akuzuar..

Atë gjak e bëri Regjimenti Kosova, i urdhëruar nga ministri i Brendshëm, Xhafer Deva, në bazë të një liste përgatitur për të gjatë ditës në bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Ministrit të Brendshëm, Xhafer Devës, njësiti komunist i vrau xhaxhain dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, Kadri Cakranit, i vrau një nga shërbëtorët e tij. Meqenëse Tirana ishte stan pa qen, Kadri Cakrani dhe Xhafer Deva ishin të mjaftueshëm të bënin atë masakër që bënë...

Masakrën e 4 Shkurtit e bëri Xhafer Deva me Kadri Cakranin, që do të thotë qeveria nga një anë, megjithëse Rexhep Mitrovica, kryetari i qeverisë, jo vetëm nuk pati dijeni mbi përgatitjen dhe kryerjen e asaj vepre të shëmtuar, por të nesërmen deshi të jepte dorëheqjen, dhe, në tjetrën anë, Balli Kombëtar.. Mehdi Frashëri u hidhërua tej çdo kufiri, por ç’mund të bënte për atë krim të kryer? Ai kishte rënë në një gjendje shumë të keqe, qoftë me Ballin, qoftë me qeverinë; eksponentët e të cilëve ishin lidhur shumë ngushtë me gjermanët.

Sa për mua nuk kam pjesë në atë masakër, pasi në Tiranë në atë kohë isha vetëm mysafir e nuk isha as me Ballin, as me qeverinë, pasi komandant i Tiranës u bëra në 13 shkurt 1944. Punë fillova të nesërmen, në 14 shkurt. Dhe posa fillova punë, e para gjë që bëra, dhashë urdhër, them dhe e përsëris, dhashë urdhër, megjithëse atyre që u dhashë urdhër nga gradat dhe ofiqet ishin shumë më lart nga unë, që Regjimenti Kosova të mos përzihej as në punën më të vogël në Tiranë, pasi përndryshe kisha për t’i qëlluar pa asnjë kursim edhe pse në zemrën time ata ishin vëllezërit më të dashur dhe më të dhimbsur, si shqiptarë të robëruar. E, nuk mjafton, por u thashë atyre, që atë regjiment e quanin si fuqi personale të tyren, ta largonin nga Tirana brenda javës. Pasi nuk pati udhë tjetër, brenda asaj kohe ai regjiment la Tiranën” (Marrë me shkurtime nga libri me kujtime “Xhelal Staravecka, Përpara gjyqit të historisë, botimet “Naimi”, Tiranë 2012).

Dëshmia e Xhelal Staraveckës, publikuar prej meje si libër i plotë në vitin 2012, sipas dorëshkrimit që e kam verifikuar edhe prej kopjes që më dha djali i tij, Naim Staravecka, por së fundi edhe kur konsultova dorëshkrimin e plotë në dosjen e Xh. Staraveckës si i arratisur politik dhe armik i regjimit komunist, dosje e krijuar dhe ruajtur në Arkivin e MPB, tani në AIDSSH. Sot po mbushen 82 vjet nga Masakra e 4 shkurtit 1944 që ndodhi në kryeqytetin shqiptar dhe 14 vjet nga botimi i këtyre kujtimeve, ku një nga dëshmitë më të rëndësishme është edhe ajo se si ndodhi, pse ndodhi dhe kush e bëri këtë masakër. Prej vitit 1983, kur kam bërë shkrimin e parë për masakrën e 4 Shkurtit 1944 e deri më sot e kam ndjekur këtë ngjarje historike sa herë ka patur mundësi, por pas botimit të librit me kujtime ka koleksionuar gjithçka që është shkruar për këtë  temë dhe veçanërisht për një nga të akuzuarit kryesor të këtij krimi masiv, Xhelal Staraveckën. Tani që gjithë këtë material dokumentar po e botoj si libër, aktualisht në proces botimi, duke i ballafaquar kujtimet e këtij personazhi historik me dokumentet autentike dhe dëshmitë e gjetura, më rezulton e vërtetë ajo që thotë vetë i akuzuari diku në kujtimet e tij: “Aktet historike nuk duan të zhduken pa lënë dëshminë e tyre pas”. Dhe dëshmitë e lëna dhe të nxjerra tani vonë nga kërkimet dhe verifikimet i japin  të drejtë atij që është akuzuar.    

Thuhet e shkruhet tash e të paktën 70 vjet, pothuaj sa herë që flitet për të Xhelal Staravecka ka qenë “Komandant i Xhandarmërisë së Tiranës”, por pothuaj askush nga ata që flet, rrëfen a shkruan nuk tregon apo citon një dokument për këtë. Se të jesh komandant i Xhandarmërisë së kryeqytetit të një vendi minimumi do firmosësh një shkresë apo një letër në ditë, se duhet të firmosësh të paktën kur merr rrogën apo jep urdhra. Nga dokumentet e verifikuara deri tani nuk kemi gjetur asnjë dokument  të tij me këtë post. Ja çfarë posti ka patur Xhelal Staravecka:  Kapiten i Kl . I., Xhelal Staravecka, Komandant i Rrethit Gjindarmërisë, Nr.1. Me sa duket organizmi i xhandarmërisë së asaj kohe për Tiranën duhet të ketë qenë me rajone si sot. Staravecka, si duket edhe nga grada, ka qenë komandant i njërit prej rajoneve të Tiranës, rajonit Nr. 1. Është emëruar në datën 13 shkurt  dhe liruar nga Xhandarmëria më 30 shtator 1944. Në krah të këtij dokumenti, shihni dokumentin tjetër se kush ka qenë vërtet Komandant i Xhandarmërisë së Tiranës në shkurt, para dhe pas 4 Shkurtit 1944, emër për të cilin (në fakt, për shkak të mbiemrit), nuk flet kush, edhe pse ka qenë shefi me jetëgjatë i Xhandarmërisë së Tiranës: major Subhi Topulli, Komandant i Xhandarmërisë së Kryeqytetit.

Dokumenti 1: Kapiten i Kl . I., Xhelal Staravecka, Komandant i Gjindarmërisë Nr.1.
Dokumenti 2: Major Subhi Topulli, Komandant i Gjindarmërisë së Kryeqytetit

Dokumenti 3:  Kush e organizoi dhe realizoi Masakrën e 4 Shkurtit:

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim akademik i vitit 1985 (f. 677), zyrtarizon se Xh. Staravecka e Xh. Deva janë xhelatët dhe tradhtarët e popullit shqiptar, që drejtuan masakrën e 4 shkurtit, pavarësisht se qysh në vitin 1955, ende me hijen e kriminelit të luftës (gjyqi i tij në Itali përfundoi në vitin 1952), në një raport të CIA-s shenjohej qartazi se në ditën e kësaj masakre në krye të Xhandarmërisë së Tiranës ishte tjetër komandant, se planet e plojës hakmarrëse dhe listat e 84 të ekzekutuarve u hartuan në tjetër zyrë e nën të tjerë urdhërdhënës e zbatues:

Ja çfarë thotë tekstualisht Fjalori Enciklopedik Shqiptar i vitit 1985:

Dokumenti 4: Ja kush, e bëri sipas CIA-s, Masakrën e 4 Shkurtit 1944

Teksti i përkthyer në gjuhën shqipe:

Në shkurt të vitit 1944, ai (Xhafer Deva) ishte një nga nxitësit kryesorë të masakrave të njohura të 4 shkurtit 1944, kur 84 persona u vranë në gjumë. Kjo masakër u përgatit në zyrat e një kapiteni të SS, (me mbiemër) Haufmanlangen, së bashku me Xhafer Devën. Arsyeja e kësaj masakre lidhej me faktin se më 3 shkurt 1944, Kadri Cakrani (tani i gjendur në SHBA), komandant i përgjithshëm i “Ballit Kombëtar”, po dilte nga shtëpia e Devës në lagjen “Tirana e Re”, kur pa tre burra nga Fieri që po ecnin aty pranë krahas njëri-tjetrit. Duke besuar se ata ishin spiunë, ata (grupi i Kadri Cakranit) shtinë kundër tyre. Burrat nga Fieri u kundërpërgjigjën me armë dhe vranë nipin e Devës, i cili shoqëronte Cakranin. Të tre burrat nga Fieri u vranë. Po atë pasdite, të rinjtë e “Ballit Kombëtar” nën komandën e Reshat Stërmasit; Kadri Cakrani, komandant i Përgjithshëm i forcave të “Ballit Kombëtar’’; Hysni Dema, komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë së Tiranës; Qazim Mulleti, prefekt i Tiranës; dhe Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm, u mblodhën për të përgatitur reprezaljen dhe hartuan listën e atyre që duhej të vriteshin atë natë, duke e ndarë qytetin e Tiranës në disa sektorë. Të gjithë personat e listës u vranë po atë natë dhe trupat e tyre u nxorën jashtë shtëpive dhe u lanë të dergjeshin rrugëve gjatë gjithë ditës së 4 shkurtit 1944.

Ky terror vazhdoi për një muaj: më 12 dy të rinj vdiqën nga torturat; më 21 pranë Tiranës, persona të tjerë u torturuan: më 28, katër të rinj u nxorën nga burgu dhe u masakruan në rrugë. E gjithë kjo u bë me urdhër të Xhafer Devës, në bashkëpunim me Xhelal Staraveckën, Hysni Demën dhe Qazim Mulletin. (Raport mbi Xhafer Devën, udhëheqës i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të dhëna operacioni, nr. 14180, sekret, 13 mars 1955, f. 13, referuar f. Deklasifikuar dhe Miratuar për Publikim nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës më 2003, f. 2.)