Një vendim i dy ditëve më parë (20 maj), me firmë të rektorit të Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, pezullon nga detyra Dorina Hoxhën, dekanen e Fakultetit të Drejtësisë.
Rektori e arsyeton vendimmarrjen sipas tij me faktin se dekanja Hoxha ka shprehur interesin për të kandiduar si anëtare Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e pedagogëve. Rektori thotë se duke qenë se Fakulteti i Drejtësisë ka kompetenca në përzgjedhjen e kandidaturave ajo ndodhet në konflikt interesi.
Vendimi i Rektorit për pezullimin e dekanes Dorina Hoxha
Por në fakt ligjet dhe rregulloret e zgjidhin ndryshe këtë moment, dhe në asnjë rast nuk parashikojnë pezullim të dekanit nga të gjitha kompetencat e tij, në një kohë kur është zgjedhur aty nga stafi pedagogjik i fakultetit dhe studentët me votë.
Neni 40 pika 5 e ligjit “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, e shpreh qartë se gjatë kohës së procedurës në dekanat për verifikimin dhe zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të KLGJ “anëtarët e dekanatit, të cilët kandidojnë, nuk marrin pjesë në mbledhje dhe nuk votojnë. Në rastin e kandidimit të dekanit, detyrat e tij kryhen prej një nga zëvëndesdekanët”.

Neni 40 i ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë
Pra nga një prej zëvendësve kryhen detyrat që ka dekani në këtë proces, dhe jo të gjitha detyrat si drejtues fakulteti. Këtë parim e ka edhe më të qartë edhe ky udhëzim "Mbi rregullat e detyrueshme për zbatim, gjatë procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë kohë të plotë i nga personeli akademik me Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës".
Dokumenti, edhe ky i firmosur nga vetë Rektori Artan Hoxha e thotë qartë në pikën 10 të tij, paragrafi i dytë, se “Në rastin e kandidimit të dekanit, rektori cakton që detyrat e dekanit në këtë procedurë, të kryhen nga një prej personave të parashikuar në nenin 40 të ligjit 115/2016 i ndryshuar”. Pra një prej zëvendësdekanëve e zëvendëson dekanin vetëm në këtë procedurë.

Udhëzimi i miratuar nga vetë rektori Artan Hoxha
Rektori Hoxha nuk e njeh mirë ligjin dhe udhëzimin që vetë ka firmosur, ndërkohë që është vetë jurist, dhe madje edhe ish dekan i Fakultetit të Drejtësisë?!
Ky vendim mund të cilësohet zhvillim shqetësues për autonominë universitare dhe funksionimin normal të institucioneve të Arsimit të Lartë, edhe për shkak se dyshohet se ka ardhur si pasojë e konflikteve personale që rektori ka pasur me dekanin.
Kjo situatë bëhet edhe më e rëndë kur ligji për arsimin e lartë në frymën e tij thotë se pezullimi i një dekani mund të ndodhë vetëm në raste të përcaktuara qartë, si arrestimi apo procedimi penal. Edhe në këtë rast detyrat i merr një zëvendëssdekan ndërkohë që Skënder Kaçubi që ka emëruar Artan Hoxha nuk e ka një pozicion të tillë.
Në vendimin për Dorina Hoxhën, Rektori thotë se pezullimi i dekanes dhe ushtrimi i detyrave nga ana e Skënder Kaçubit do të vijojë në fuqi deri në përfundimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Këto procedura, edhe për shkak të konsensusit me 2/3 që kërkojnë në komisionin e posaçëm dhe në sallën plenare vijojnë me 3 raunde të ndryshme dhe deri sa e zgjidh shorteu, në rast se 84 votat nuk gjenden. Pra procedura që mund të zgjasin me muaj të tërë, ka pasur raste kanë kaluar edhe një vit. Dhe kjo ndërhyrje personale e rektorit në pavarësinë e Fakultetikt të Drejtësisë, praktikisht i heq një pjesë të rëndësishme të mandatit dekanes Dorina Hoxha.
Komente











Ky eshte artikulli me i sakte dhe me i argumentuar per kete ceshtje.Bravo!
Përgjigju