Kujtimet në 100-vjetorin e Lindjes
Prenkë Jakova si kompozitor atipik

Kujtimet në 100-vjetorin e Lindjes<br />Prenkë Jakova si kompozitor atipik
Lindi: 27 qershor 1917 në Shkodër.

U nda nga jeta më 16 shtator 1969, po në Shkodër.

Prenkë Jakova, bën pjesë në tre kompozitorët më të rëndësishëm shqiptarë të cilët krijuan të parat vepra të mëdha të muzikës sonë kombëtare, përkatësisht simfoninë e parë, operan e parë dhe baletin e parë, më konkretisht : Zadeja me « Simfoninë nr. 1” e vitit 1956; Jakova me operan "Mrika" të vitit 1958 dhe Daija me baletin "Halili dhe Hajria" të vitit 1963.

prenke jakova

Muzika jonë profesioniste e pas Luftës së II-të Botërore na rezulton se u u mbështet mbi trashëgiminë muzikore folklorike njëzërëshe të Shqipërisë së veriut, mbi ritmikën dhe veçoritë e tjera që lidheshin me të.

Si e tillë, gjuha muzikore e këtyre veprave shfaqet në tërësi si narrative, në pikëpamje të teksturës si një e "mesme e artë" mes modalitetit arkaik popullor dhe tonalitetit aristokrat.

Në thelb ajo krijohet si përbashkim mes tipareve modale të melodisë tradicionale, kjo në sfondin e ritmit komplementar, harmonisë e të polifonisë, të cilat natyrshëm buronin edhe nga tradita popullore, por gjithmonë në gërshetim me mjetet shprehëse të kulturës muzikore evropiane.

Deri në këtë moment mund të konstatojmë tendencën e qartë për një muzikë profesioniste kombëtare si dhe hapjen e saj ndaj trashëgimisë së madhe muzikore klasike e romantike. Ky proces u ndihmua nga fakti se, si modaliteti melodik popullor, ashtu edhe tonaliteti klasik shoqërues, janë mjaft të ngjashëm dhe të afërt mes tyre. Ishte vërtet një arritje për të kapur kohën e humbur! 

jakova
Prenk Jakova në paradë për të promovuar operën e parë shqiptare

Sot nga largësia e 100 viteve, jemi në gjendje të kuptojmë më mirë e më qartë muzikēn dhe personalitetin artistik të Prenkë Jakovës.

Mendoj se nuk ishte thjesht zgjedhja e Tij që e bëri atë njerin prej krijuesve më të dashur e më të njohur, por dhe kompozitorin më atipik të muzikës shqiptare. Sipas përcaktimeve të gjithë pranuara, tipikja është diçka që gjithkush e pret.

Ndërsa atpikja shfaqet si diçka jashtë e përtej tipit, përtej të gjithënjohurës. Në shumë raste atpikja konsiderohet edhe si sinonim me jo të zakonshmen, gjë që edhe ne e kemi pasur parasysh në rastin tonë kur e kemi përcaktuar Jakovën si kompozitor atipik. Pra si një kompozitor i jo i ngjashëm me të tjerët, si jo i zakonshëm e deri unikal në llojin e Tij.

Orientimi krijues i Prenkës kishte për bazë trashëgiminë muzikore të qytetit dhe fshatit verior, kjo e ndërthurur me mjetet teknike që kishte përvetësuar nga njohja e kulturës klasike evropiane e posaçërisht e kulturës operistike, veriste e romantike, kryesisht italiane e gjermane.

Shkodra e paraçlirimit kohë kur ai u formua i ngjante një qyteti kozmopolit kur ndërthureshin korrente e shije të ndryshme muzikore.

Shohim se ajo pak traditë e muzikës para- profesioniste shqiptare në fund shek. XIX dhe në gjysmën e parë të shek. XX, u ndërlidh sa me veçoritë e muzikës popullore në të cilën u mbështetën kompozitorët tanë, e po aq nga nevoja për të shkruar një muzikë laike për të gjithë.

jakova
Prenk Jakova me orekestrantët e Shkodrës

Sigurisht, ky orientim u kushtëzua nga shumë faktorë të tjerë, ndër ta ata politikë, socialë, ekonomikë e sigurisht kulturorë, për të cilët nuk po zgjatemi këtu.

Por cilat janë disa nga dukjet atipike tek Jakova?

-Ai kompozonte muzikë prej vetiu si autodidakt dhe nuk qe kompozitor katedrash edhe pse e njihte kulturën e madhe muzikore;

-Ai e shkruante dhe interpretonte muzikën për njerëzit duke e vjelë mendimin e tyre ende pa bërë premierën e veprës;

-Ai përgjithësisht shkruante muzikë pa porosi dhe nxitej për të kompozuar nga nevoja e njerëzve për të, si gjatë mbretërisē, fashizmit e diktaturës;

- Ai e farkëtoi shijen e Tij muzikore tek shpirtrat e njerêzve, jashtë kornizave ideologjike zyrtare dhe i pandjeshëm për së brendshmi ndaj tyre;

-Ai e perceptonte krijimin muzikor si unitet të tingullit dhe të fjalës së kënduar, gjë që përcaktoi zgjedhjen e Tij për të bërë kryesisht muzikë të kënduar;

-Ai pëlqente vokalen në raport me instrumentalen dhe megjithë shtrëngesat e kufizimet teknike të kohës, e sigurisht edhe ato të vetat, nuk e ndali procesin artizanal vetiak të krijimit muzikor;

-Për Prenkën nuk kishte rëndësi dukja, por thelbi. Ai ka krijuar muzikë shumë të bukur me mjete teknike të thjeshta;

-Thjeshtësia për të duket se ishte një formë sofistikimi që Ai nuk mundi ose nuk donte t'ja lejonte vetes;

-Ai pa tek muzika popullore, ashtu si pararendësit e Tij modelin që duhej ndjekur dhe me bindje e ndoqi këtë rrugë përmes zgjerimit të larmisë muzikore popullore që përdori në krijimet e Tij;

-Nuk ishte Prenka që përcaktonte krijimin muzikor të rradhës, por ishin njerëzit që e kushtëzonin atë;

-Ai e çmonte artin dhe muzikën si një formë qytetarit të lidhur ngushtë me dashurinë dhe respektin për familjen, Shkodrén dhe Shqipërinë;

-Si i tillë Ai ishte dhe u bë kompozitor i popullit pasi besonte në zgjimin kulturor të njerëzve përmes artit, e posaçërisht përmes muzikës;

E përtej këtyre ai ishte atipik edhe pse:

-Askush si Prenka nuk vuri në skenë operan kombëtare të një vendi me amatorë të muzikës;

-Askush si Prenka nuk kompozonte, orkestronte, kopjonte partet muzikore, rregullonte instrumentet, dirizhonte krijimin dhe bēnte po vetë premierën e tij, këto krahas dhjetra angazhimeve të tjera jashtë muzikore;

-Askush si Prenka nuk i fuste bartësit e folklorit në studion e Tij të kompozimit për të vjelë motivet muzikore;

-Askush si Prenka nuk u përzie dhe qendroi jashtë polemikave artistike e publike, duke respektuar kësisoj integritetin vetiak dhe ruajtur parimet bazë të besimit të tij;

- Askush si Ai nuk e filloi dhe e mbylli krijimtarinë mes dy himneve: himnit fetar të shkollës françeskane dhe himnit shtetëror të republikës;

-Askush si Ai nuk u burgos prej kompozitorëve shqiptarë dhe nuk u përball me kalvarin e vuajtjeve familjare;

-Askush si Ai nuk e preku diktaturën si dhembje por edhe joshje prej saj;

Dhe më së fundi,

-Askush si Ai nuk u largua nga kjo botë i përcjellë nga tingujt e bandës muzikore të cilën e kishte krijuar vetë, pa patur mundësinë që dikush nga ne ti thoshte lamtumirë e faleminderit, ti thoshte se sa shumë ne të gjithë, e jo etëm shkodranët e duam Atë dhe muzikën e Tij, se sa shumë i jemi mirënjohës për gjithshka bëri në mënyrë e Tij, për muzikën tonë kombëtare!

[gallery]22632[/gallery]

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel