KUKES- Gjatë orëve të natës janë rikthyer reshjet e dendura të dëborës në qarkun e Kukësit duke shkaktuar izolimin e mijëra banorëve si dhe akseve nacionale. Dëbora në qytetin e Kukësit ka arritur deri në 60 cm, ndërsa në zonat mbi 800 metra trashësia e saj ka arritur deri në 90 cm.

Gjatë orëve të paradites së sotme, me përjashtim të aksit kombëtar të autostradës Durrës-Kukës, të gjitha akset e tjera nacionale dhe rurale në Kukës janë të bllokuara, për shkak të numrit të vogël të mjeteve borëpstruese si dhe reshjeve të pandërprera të borës dhe erërave të forta.

Ndonëse në aksin kombëtar po punojnë pa ndërprerje 5 borëpastruese, rrëzikshmëria e lëvizjes është shumë e madhe pasi ngrica dhe akulli është prezent si dhe fushëpamja është e kufizuar për shkak të mjegullës së dendur. Për parandalimin e aksidenteve, policia rrugore e Kukësit ka ndërmarrë aksionet për bllokimin e të gjitha mjeteve e tonazhit të rëndë si dhe automjetet e vogla që nuk kanë zinxhirë.
Ndërkohë 7 komunat e qarkut të Kukësit kanë hyrë në ditën e katërt të izolimit. Bëhet fjalë për komunat Arrën, Kalis ,Gryk-Ccaj, Zapod, Shishtavec, Lekbibaj dhe Bytyc. Dëri ditën e sotme nuk është raportuar për munges të ushqimeve apo emergjenca shëndetësore, por situata nuk është premtuese pasi reshjet e dëborës vijojnë të bien me intensitet të lartë. Sa i takon procesit mësimor, në qarkun e Kukësit 30 % e shkollave kanë ndërprerë mësimin, - sipas DAR-Kukës.

Edhe në rrjetin e furnizimit me energji elektrike janë vërejtur defekte, e veçanërishtë në fidrat e nënstacionit të Rexhepajve, pasi mbingarkesa e madhe në rrjet ka shkaktuar avari në këtë nënstacion. Gjithsesi situata energjetike në qarkun e Kukësit është më e përmisuar se një ditë më parë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)