Një person është arrestuar pasi ka plagosur me thikë vëllanë e tij, në përpjekje për të mbrojtur nënën e tij, e cila dhunohet nga i biri. Ngjarja ka ndodhur në Krumë të Kukësit mëngjesin e sotëm.
Dhuna e vazhdueshme që 27-vjeçari S.H. ushtronte ndaj nënës së tij, ka bërë që i vëllai R. H., ta plagosë atë me thikë. Pas plagosjes me thikë S. H., 27 vjeç, është paraqitur në spital i plagosur duke thënë se ishte vetëplagosur në banesën e tij.
Kjo duket se nuk ka bindur mjekët dhe kanë thirrur policinë që pas hetimeve ka rezultuar se S. H. ishte plagosur me mjet prerës thikë nga vëllai i tij, shtetasi R. H., pasi dhunonte të ëmën.
Pas zbardhjes së ngjarjes, policia ka arrestuar të vëllan e të plagosurit R.H., i cili shoqërohej së bashku me shtetasin G. B. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit G. B. iu gjet dhe sekuestrua mjeti prerës (thikë), me të cilin dyshohet se është plagosur 27-vjeçari.
Të dy personat janë arrestuar për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.