KukësNjë 39-vjeçar nga Kosova i shpallur në kërkim nga Lituania është arrestuar në pikën kufitare të Morinës.

39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Vilnusit me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcënimi për të vrarë ose për t’i shkaktuar një personi një dëmtim të rëndë shëndeti ose terrorizmi i një personi”. 

I arrestuari pritet të ekstradohet drejt Lituanisë.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:

B. K., 39 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vilnius, Lituani, pasi Gjykata e Vilnusit e ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcenimi për të vrarë ose për t’i shkaktuar një personi një dëmtim të rëndë shëndeti ose terrorizmi i një personi”. 

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Lituani, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit.