Salla e Mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, ish-zyrat e ASHK-së, si dhe holli i Bashkisë Kukës do t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë.

Investimi, me një fond prej 8 milionë lekësh të rinj nga buxheti i Bashkisë Kukës, sipas nënkryetarit Avdulla Domi, synon transformimin e hapësirave ekzistuese dhe përshtatjen e tyre me të gjitha standardet e nevojshme për zhvillimin normal të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, i cili përbëhet nga 32 anëtarë, si dhe zgjerimin e disa drejtorive që kanë nevojë për më shumë hapësirë.

Punimet, me një afat prej tre muajsh, pritet të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e punës për administratën dhe këshilltarët bashkiakë.

Ndërhyrja synon gjithashtu krijimin e një ambienti më funksional dhe bashkëkohor për qytetarët gjatë marrjes së shërbimeve pranë Bashkisë Kukës.