TIRANE - Ministri i Brendshëm Flamur Noka dhe homologu i tij kosovar, Bajram Rexhepi, përuruan dje në kufirin Shqipëri-Kosovë, Pikën e re të Përbashkët të Kalimit Kufitar, Shishtavec-Krushevë.

Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të policisë së Shqipërisë e Kosovës, autoritetet më të larta të pushtetit lokal, si edhe shumë banorë të zonave, nga të dy krahët e kufirit.

Përurimi i kësaj pike, është realizimi konkret dhe në kohë rekord, vetëm brenda dy javëve, i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për hapjen e tri pikave të përbashkëta të kalimit, nënshkruar në Tiranë, nga dy ministrat.

Tashmë, me krijimin e PPKK, qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Kosovës do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli, në hyrje ose dalje, çka përmirëson shumë cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, por edhe lehtëson maksimalisht procedurat në lëvizjen e tyre.

Qindra banorë të zonave, në afërsi të kësaj pike kufitare kalimi, krijuan një atmosferë shumë festive.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)