Kukës- Një 24-vjeçar i dyshuar si shpërndarës i lëndëve narkotike, u arrestua ditën e sotme (24 Janar) nga Policia e Kukësit.
Antidroga dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bënë me dije se kanë ndaluar në hyrje të qytetit, automjetin tip “BMW”, me drejtues të riun I. N., bazuar edhe në informacionet e mbledhura në rrugë operative
“Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë”, njoftoi policia vendore.
Në përfundim të veprimeve paraprake hetimore, 24 vjeçari banues në Kukës u arrestua në flagrancë, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Hetimet e mëtejshme për të do i ndjekë Prokuroria e Rrethit, ndërsa nuk u dhanë detaje të tjera nga ky aksion.