Protestues të maskuar sulmuan me molotovë punonjësit e policisë nga oborri i selisë së Partisë Demokratike, duke rrezikuar edhe operatorin e Report Tv që po filmonte ngjarjen. Sipas Policisë së Shtetit, personat e maskuar u futën në ambientet e jashtme të selisë blu për t'i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga efektivët, ndërsa vijuan sulmet me molotovë. Policia thotë se iu përgjigj sulmeve me gaz lotsjellës.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës.

Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës.

Pamjet e filmuara nga operatori i Report Tv tregojnë një numër të madh personash në katin e parë të selisë blu, disa prej tyre me maska, ndërsa në katin e dytë shiheshin edhe të rinj me kapuçë në kokë. Në një moment, dritat e selisë u fikën dhe nuk u ndezën më.

Deputetët demokratë Enno Bozdo dhe Belind Këlliçi mohuan që në seli të kishte protestues të dhunshëm, duke pretenduar se personat brenda godinës ishin anëtarë të PD-së dhe të Forumit Rinor.

Por pak më vonë, kreu i PD-së, Sali Berisha, pranoi se në seli mund të ishin strehuar edhe të mitur që ndiqeshin nga policia, duke deklaruar se Partia Demokratike do t'i merrte në mbrojtje.

"Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit. A mund ta imagjinoni ju vetë se çfarë janë këta?", tha Berisha.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:25
Protestues të maskuar në selinë e PD-së, Berisha pranon strehimin e të miturve: Janë të mirëpritur, do t’i mbrojmë!

I pyetur për praninë e protestuesve të maskuar dhe të miturve në selinë e PD-së, Berisha pranoi se mund të jenë strehuar aty, duke deklaruar se çdo i mitur që ndiqet nga policia është i mirëpritur dhe do të marrë mbrojtje.

Sot njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik dhe i them këtu para shqiptarëve se, vendi i azilit do të jetë qelia e burgut për Edi Ramë.

Çfarë kishte planifikuar? Sot përhap nëpërmjet rrjetit të tij brenda në protestë, përhap lajmin se kryeministrinë nuk e marrin dot, dhe duhet të sulmohen dy selitë e partive të mëdha.

Për këtë qëllim ai mori dhe futi në selinë e partisë së tij 3 inspektoriate, banditë nga kartelet e drogës, të armatosur, të pajisur me hunj dhe mjete të tjera. I dështoi.

Pse i dështoi? Sepse puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. Jo i thanë, nuk kemi asnjë punë, ata janë në protestë me ne dhe ne nuk vijmë.

Dështoi të sillte protestuesit që shprehnin urrejtjen ndaj partisë së krimit, sigurisht që ata nuk kishin pse vinin. Dhe i dështoi projekti.

Tani që i dështoi projekti, i kemi me prova, përpiqen, bëjnë përpjekjen e dytë që kjo seli e PD-së do sulmohej nga ora 8:30 në orën 9:30.

Përsëri njerëzit e vërtetë të protestës që janë shumica dërrmuese nuk mund të manipuloheshin dhe jagot e Edi Ramës në lëvizje, e braktisën masivisht.

Kjo është një rrugëkalim siç e dini, dhe këtu për shkak të pozicionit të ndërtesës, parlamentit, këtu ndodh dy-tre herë në ditë kalojnë, normale.

Por kësaj here, kur dështuan, ora erdhi dhe ata të cilët domethënë, në këtë skenar nuk po realizohej, policia në mënyrën më hakmarrëse, më të turpshme, më kriminale, dhunon territorin e partisë opozitare, Partisë Demokratike, në shkelje të rëndë të ligjeve dhe kushtetutës.

Jo vetëm që hedhin sasi të stërmëdha bombulash gazi pa patur absolutisht asnjë lloj motivi, vetëm reprezalje ndaj Partisë Demokratike për dështimin e skenarit të tyre.

Sasitë e gazit kanë qenë kolosale, kanë sëmurë njerëz këtu, i kanë helmuar njerëzit, dhe ju e patë vetë.

Nuk ka patur asnjë tentativë, asnjë përpjekje nga asnjë protestues që të kryejë aktin më të vogël ndaj kësaj selie. Në këtë kuadër, paralajmëroj Edi Ramën, se me skenarë të tillë, me puçistë të cilët ne i kemi paralajmëruar, ua kemi dërguar paralajmërimin… se do mbahen personalisht përgjegjës si manipulatorë të shpifur në duart e Edi Ramës që bëjnë gjithçka brenda protestës, kundër protestës.

Paralajmëroj Edi Ramën se demokratët janë në këmbë më shumë se kurrë, janë në mosbindje civile më shumë se kurrë dhe janë jo vetëm në Tiranë, por janë edhe do jenë nga Saranda, Delvina, në Tropojë.

Në të katër anët e vendit, regjimi do të dridhet, regjimi nuk ka më paqe dhe qetësi. Nesër është një ditë e mrekullueshme, një ditë mosbindje civile në mbarë vendin.

Pyetje: Zoti Berisha, ju sapo folët për një skenar për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike? Ndërkohë nga ana tjetër ka një pretendim nga policia se në selinë blu ishin fshehur persona të maskuar dhe të armatosur, ndaj për këtë arsye dhe policia ka qëlluar me gaz.

Sali Berisha: Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit. A mund ta imagjinoni ju vetë se çfarë janë këta?

Pyetje: Keni patur persona të maskuar zoti Berisha? Se ka dy pretendime policia, jo vetëm të mitur por edhe persona me maska.

Sali Berisha: Tani, ju mund ta thoni këtë edhe… nuk e përjashtoj, ta them, nuk e di, nuk e di, që të jem i drejtë. Po maska kanë të gjithë njerëzit sot për shkak të gazit. Sot ka gaz, këta janë të çmendur.

Këta janë njerëz janë kriminelë. A e keni parë si sillen, sillen si lopë të çmendura, si kafshë të çmendura sillen ndaj protestuesve. Dhe maskë edhe ju secili ju këshilloj që edhe ju secili prej jush të mbani maskë për t’u mbrojtur. Për t’u mbrojtur nga gazi që hedhin, një gaz toksik që hedhin kudo.

Tani imagjino ti, këtu në oborr, që është ambient i hapur, njerëzit nuk frynin dot nga gazi. Kishin hedhur aq shumë gaz në oborr në fillim saqë edhe u sëmurën, i mori ambulanca. Ndaj dhe ata, pse vijnë të miturit, mirë se të vijnë dhe ata do gjejnë këtu mbrojtje, do gjejnë të gjithë mbështetjen për çdo nevojë që të kenë. S’mund të kenë asnjë pasojë.

Pyetje: Pse në selinë e Partisë Demokratike kishte shumë njerëz duke patur parasysh se nuk kishte asnjë aktivitet politik?

Sali Berisha: Bravo. Absolutisht kishte shumë njerëz pikërisht për atë skenarin që unë njoftova. Dhe do ketë. Ne e monitorojmë. Ne e monitorojmë atë. Jagot e Ramës në protestë, ne i monitorojmë.

Pyetje: Zoti Berisha, ka selia e Partisë Demokratike një mori kamerash me rezolucion të lartë, të ulët, të gjitha kamerat. A do ja vini në dispozicion prokurorisë për të rrëzuar pretendimet e policisë?

Sali Berisha: Tani, ne që ta dini ju, bravo. Që ta dini ju, ne kemi një seri, kemi ngritur një seri padish pranë SPAK-ut të partisë, për tortura shtetërore, për krime kundër personit që mund të ngjiten në krime kundër njerëzimit, ndaj Ervin Demos, Skënder Hitajt, qoftë edhe një kryebandit i njërit prej komisariateve, drejtori i Tiranës, po edhe në komisariate është njëri prej tyre Hasrama, po.

Pra, janë një bandë, këta të seleksionuar nga Rama, Lubia, ju e morët vesh që ata bëjnë mbledhje çdo ditë tek ‘Vila e kuqe’. Ku kupola e krimit, e Partisë Socialiste dhe qeverisë: Edi Rama, Taulant Bego Yaris, Lubi Balluku, Oltion Bistri dhe disa elementë të tjerë, janë bërë shtabi i zi i represionit të protestës.

Kështu që, nuk ka diskutim që do t’i ngremë të gjitha dhe janë dërguar një seri padish, ne kemi shpallur… Ju një gjë duhet të dini. Atë që shpallim ne e qëndrojmë. Ajo që kemi shpallur ne është kjo: Një, ne mbështesim me të gjithë potencialin tonë këtë protestë, dhe ju garantoj se nga ora 8 e mëngjesit që fillojnë detyrat, gjer në orën 3 të mesnatës, në komisariatet e policisë, demokratët, deputetët, anëtarët e forumit rinor, drejtues, janë në mbështetje të kësaj proteste.

Parimi i dytë, ne do të mbrojmë studentët dhe gjimnazistët. Dhe ne jemi në mbrojtje të tyre me të gjithë potencialin tonë.

Këto të dyja janë qëndrimet tona të pandryshueshme dhe këtu qëndrojmë ne, deri ditën e shporrjes të këtij narkodiktatori, që tani ka filluar… jo dua ato kushte për të dhënë dorëheqje, jo s’dua ato kushte, i them, harroje! Se një nga kushtet kryesore është dorëheqja e tij e menjëhershme.

Dy, zhbllokimi, krijimi i qeverisë kujdestare për zgjedhje të lira e të ndershme dhe reforma zgjedhore. Dhe zhbllokimi i të gjitha kërkesave të drejtësisë për arreste, për veprën penale të korrupsionit.

Pyetje: Pra zoti Berisha do ia vini në dispozicion pamjet nga selia e Partisë Demokratike kamerat e sigurisë.

Sali Berisha: Sigurisht po, sigurisht po i kërkoi prokuroria pa diskutim. Po ne nuk kemi, nuk bllokojmë drejtësinë ne. Ne në qoftë se i drejtohemi, po ata i bllokon Edi Rama, ju e keni parë, ata janë skandal.

Sot po shihja unë, e njihni ju një prokurore Millonai? E njihni një, simotrën siameze të Taulant Ballës. Nipi i saj student në institutin e policisë, në kundërshtim me çdo rregull, në Spitalin Ushtarak dhe ndalonte deputetët tanë që kujdesen për të sëmurë.

Shiko, këtu është një konglomerat krimi, shtetëror, krimi i karteleve të drogës, por që kësaj here shqiptarët do t’i japin vendin që meriton.

Dhe e paralajmëroj Edi Ramën, ka kryer krim të shëmtuar, ka dhunuar me policë, me narkobanditë selinë e Partisë Demokratike, do jetë përgjegjës për çdo akt.

Asgjë s’na lëkund ne, as këto akte, as skenarët e tjera, as kryebanditët e tij e atij që bën shërbëtorin e shpifur të Edi Ramës, opozitë e opozitës që fusnin Shkodrën për të thyer dyert e selisë.

Asgjë, ne qëndrojmë në këtë protestë dhe do qëndrojmë deri në minutën e fundit të triumfit të saj.

Ora 20:35
Protestues të maskuar futen në Selinë e PD, policia hedh gaz! Deputetët demokratë: Kishte njerëz në zyra, na mbytën! Kishim informacion se do na sulmonin me urdhër të Ramës

Në selinë e Partisë Demokratike janë shënuar momente tensioni mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.

Një grup protestuesisht ishin strehuar brenda ambienteve të PD-së dhe dyshohet se prej aty po kryenin sulme drejt Policisë.

Më pas në selinë e PD-së mbërritën efektivë të Policisë, që dyshohet se hodhën edhe gaz lotsjellës brenda ambienteve të kësaj godine.

Ndërkohë në selinë e PD-së kanë mbërritur edhe 2 auto-ambulanca. Një prej personave që ndodhej brenda selisë së PD-së u shoqërua me auto-ambulancë drejt spitalit.

Deputeti Eno Bozdo ka deklaruar për mediat se efektivët kanë provokuar dhe dhunuar protestuesit dhe njerëzit që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Ai kërkoi largimin e tyre të menjëhershëm.

Bozdo tha se përfaqësues të Partisë Demokratike u dhunuan në mënyrë të pajustifikuar, ndërkohë që shtoi se disa persona ishin lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës.

“Kanë helmuar njerëzit të gjithë brenda. Këta i kanë futur bombolat e gazit brenda PD-së. Kanë dhunuar gra e burra që ishin për qejfin e tyre brenda PD-së. O çuna kë keni Komandant ju këtu? Erdhën e na provokuan. Panë njerëz aty dhe mbushën oborrin dhe godinën e PD-së me gaz lotsjellës. Duhet të ikin, të zhduken. Pati një sulm të paprovokuar brenda ambienteve të PD-së. S’ka hyrë asnjë protestues këtu.

Ishin vetëm njerëz që ndodheshin brenda selisë së PD-së. Të gjithë jemi dëmtuar. S’e kuptoj çfarë dreqin kanë që gjuajnë. S’ka ndodhur ndonjëherë që selia e partisë kryesore opozitare të sulmohet në këtë mënyrë. Të mbrojnë komisariatet, atë punë të bëjnë. Strukturat e PD-së janë këtu në monitorim të situatës, por ne nuk pranojmë kurrë dhunën e pajustifikuar. Nuk u shfaq Komandanti, s’dinte ça të thoshte. Pastaj morën urdhër, se e panë që e kishin trashur dhe u tërhoqën me turp”, tha mes të tjerash Bozdo.

Nga ana tjetër, deputeti Belind Këlliçi pretendoi se që më herët, zyrtarë të lartë të PD-së kishin informacion se do të sulmoheshin nga forcat e Policisë, sipas tij me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë socialiste.

“Ka 14 vite që PD është në protestë. Të gjithë deputetët janë në protestë. Drejtues të Partisë kanë qenë në ambientet e punës. Kemi parë vetëm forca policie. Dimë që ka pasur vetëm disa raste që janë në gjendje të rëndë. S’ka patur asnjë tentativë nga ana e asnjë zyrtari të PD-së për të linçuar apo anatemuar asnjë gazetar. Kishim informacion se do të na sulmonin rreth orës 21:00 me urdhër të qeverisë”, tha mes të tjerash Këlliçi.

 

Ora 20:26
Të strehuar në selinë e PD/ Protestuesit sulm me bomba molotov makinave të Policisë, njëra shpërthen në këmbët e operatorit të Report Tv (VIDEO)

Protestuesit, nga selia e PD-së, kanë hedhur një sasi të madhe molotovi te Ura e Lanës, në drejtim të automjeteve të Policisë, mes të cilave edhe 2 autobotë uji. Një prej bombave molotov shpërtheu në këmbët e operatorit të Report Tv, i cili po filmonte në zonë.

Fatmirësisht operatori ka arritur të shpëtojë pa dëmtime, ndërkohë që personat që hodhën molotovë, në përpjekje për t'i shpëtuar ndjekjes së Policisë, u larguan në drejtime të ndryshme. 

Pas sulmit, protestuesit u strehuan sërish në selinë e Partisë Demokratike, për t'i shpëtuar ndjekjes së efektivëve të Policisë. Blutë u futën në oborrin e selisë së PD-së për disa momente, teksa ishin në ndjekje të protestuesve. Pas disa momentesh tensioni, efektivët u larguan nga selia dhe situata u kthye në normalitet

Gjatë këtyre 6 ditë protestë, persona të maskuar kanë sulmuar institucionet shtetërore, bankat, bizneset private dhe efektivët e policisë me bomba molotovë, gurë dhe sende të forta, duke shkaktuar një situatë kaosi në Tiranë.

SI.E./Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
1.0 / 5 (1 vlerësim)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?