Qyteti i Kukësit i bashkohet nismës "Shqipëria Jo Duhanit!".
Ditën e sotme u organizua në Kukës takimi i pestë "Shqipëria Jo Duhanit!" pas atyre të Tiranës, Korçës, Beratit dhe Vlorës, nga një grup nismëtarësh të shoqërisë civile, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të opinionit publik për zbatimin e ndryshimeve që kanë hyrë rishtazi në fuqi në ligjin për "Mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit".
Në qendrën e qytetit, me pjesëmarrjen e disa nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve të Kukësit u organizuan disa aktivitete sportive, lojëra volejbolli, ushtrime gjimnastikore në mbështetje të nismës "Shqipëria Jo Duhanit" duke përcjellë një mesazh edukues për uljen e nivelit të duhanpirjes në vend dhe zgjedhjen e aktiviteteve sportive, nën moton "Unë zgjedh shëndetin!"
Gjithashtu, gjatë aktivitetit qytetarët e Kukësit u njohën nëpërmjet stendave me materiale informuese për ndryshimet e fundit në ligjin anti-duhan dhe me materiale promovuese për dëmet që duhani shkakton ndaj shëndetit tonë./atsh/