Pas dy ditëve me reshje të dendura shiu në qarkun e Kukësit, kanë nisur reshjet e dëborës, me intensitet të ulët deri mesatar, kryesisht në zonat e thella malore. Shiu i ka lënë vend borës, e cila ka sjellë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Në qytetin e Kukësit, bora nuk ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim. Ndërkohë, reshjet e borës janë mesatare në zonat e thella malore, si Valbona dhe Shishtaveci, ku trashësia e saj ka kaluar rreth 10 centimetra. Subjektet kontraktore kanë vijuar punën me kapacitet maksimal për pastrimin e borës, inerteve dhe kriposjen e rrugëve nacionale. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Po ashtu, aksi Morinë–Kukës–Tuneli i Kalimashit i Rrugës së Kombit mbetet i hapur dhe i qarkullueshëm. Kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit është e angazhuar në pastrimin e autostradës, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren për të mbajtur hapur këtë arterie të rëndësishme që lidh Shqipërinë me Kosovën.
Deri më tani nuk raportohen probleme në qarkullim apo në furnizim, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të udhëtojnë me goma dimërore dhe të jenë të pajisur me zinxhirë, veçanërisht në akset malore. Bashkitë, me kapacitetet e tyre, po punojnë për eliminimin e pasojave të shkaktuara nga reshjet e shiut në infrastrukturë. I gjithë qarku i Kukësit furnizohet me energji elektrike, përveç njësive administrative Bicaj dhe Ujmisht në Bashkinë Kukës, ku ende vijon puna për rikthimin e energjisë.
Procesi mësimor në shkollat e Bashkisë Kukës po zhvillohet normalisht dhe me ngrohje në klasa. Ndërkohë, mësimi nuk zhvillohet në shkollat e Topojanit, Shishtavecit dhe Orgjostit, ku për shkak të bllokimit dhe ngricave në rrugë, si edhe distancave të largëta ndërmjet shkollës dhe vendbanimeve, sot nuk është e mundur zhvillimi i procesit mësimor.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)










