TIRANË- Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të mblidhet javën e parë të dhjetorit. Kështu ka deklaruar në Report Tv, ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri. Sipas tij, Kuvendi Kombëtar pritet të mblidhet në datën e themelimit të PD-së. Ai tha se rreth 80% e delegatëve janë dakord me iniciativën e Berishës për të thirrur Kuvendin Kombëtar.
“Nëse në demokraci quhet shprehja e vullnetit të shumicës dërrmuese anti-demokratike apo përçarje nuk e di ku se mbi çfarë bazohet kjo akuzë e bërë nga Basha dhe suflerët e tij. Partia Demokratike është bashki vullnetar, i lirë, i njerëzve që kanë pikëpamje e interesa të Përbashkëta. Në momentin që shumica dërrmuese, të paktën në nivel Kuvendi janë 80% e delegatëve, janë dakord me iniciativën e Berishës për të thirrur Kuvendin dhe janë dakord me tezat. Në fakt janë kritikat që në kemi ngritur si Grup i PD prej 4 vitesh. Këtu nuk bëhet fjalë për asnjë përçarje, por për një shumicë dominate që merr pjesë në Kuvendin e ardhëm të PD, që mesa duket do mbahet javën e parë të dhjetorit, mesa kuptoj unë, edhe për të përkuar mbase me ditën që është themeluar Partia Demokratike, në vitin 1990, për simbolikë besoj këtu do shkojmë. Në demokraci vendos shumica dhe këtu bëhet fjalë për shumicë dërrmuese, nuk jemi në kushtet e 51% të anëtarësisë apo kuvendit, por mbi tre të katërtat e delegatëve janë me një mendje me Berishën”, tha Kulluri.
Ndërkohë, sipas Kullurit, Basha nuk ka mbështetje nga 97% e anëtarësisë, siç kryedemokrati ka deklaruar. Kulluri thotë se ‘foltorja’ nuk po sjell asnjë përçarje në parti, por po mbledh delegatët të cilët janë kundër vendimeve individuale të Lulzim Bashës.
“Ka një iniciativë të Berishës, foltorja, një takim i Berishës me demokratet në të gjithë degët e PD në Shqipëri. Për momentin janë bërë në 11 qendra qarqesh, besoj ngelet edhe Lezha pa u zhvilluar, por do ketë edhe takim të tjera. Ky është një diskutim që ka marrë përmasat e një përplasje mes anëtarësisë së partisë dhe Bashës në mënyrën sesi ai ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë partinë me vendime personale. Kështu që nuk e shoh si përplasje individësh, por si një përplasje parimore mes shumicës së anëtarësisë së PD dhe një kryetari që po mbetet i izoluar me disa bashkëpunëtor dhe me diku 15 apo 20% të anëtarësisë. Nëse ata që nuk kanë firmosur ende formularin për mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm janë pro Bashës, por kam përshtypjen që një pjesë e madhe e tyre po qëndrojnë neutral më shumë se janë mbështetës së Bashës. Ne po shkojmë deri diku tek 80% e delegatëve të Kuvendit. Kjo është shumica absolute e drejtuesve lokal të PD që përfaqësojnë anëtarësinë e PD-së”, tha Kulluri.
I pyetur për deklaratën e kryedemokratit Lulzim Basha se nuk do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, Kulluri thotë se kjo gjë nuk vendoset nga ai. Sipas Kullurit, në demokraci ka rëndësi vota dhe pjesëmarrja, do deklaratat e një aventurieri, duke etiketuar kështu Lulzim Bashën.
“Nuk e vendos Lulzim Basha nëse mblidhet Kuvendi Kombëtar ose jo. Në momentin që ¼ e delegatëve mbledhin kuvendin, kuvendi mblidhet. Këto po mblidhet ¾ jo ¼. Në demokraci ka rëndësi vota dhe pjesëmarrja, jo deklarata e një aventurieri sepse t’i vësh përballë realitet me ¾ kundër dhe vetëm me deklarata sikur ke 90% pro, kjo është patologji psikike. Ne nuk kemi të bëjmë me një njeri normal këtu. (...) Partia Demokratike me Lulzim Bashën është një projekt i dështuar, humbës dhe tashmë është bërë edhe komik dhe qesharak”, vijoi Kulluri.
Pas përjashtmit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha nisin foltoren qytet më qytet, nga ku po mbledh firmat e delegatëve të partisë me qëllim mbledhjen e Këshillit Kombëtar.