Këngëtarja e njohur Enca Haxhiaj u arrestua nga policia në kryeqytet pasi në vilën e saj në periferi të Tiranës iu gjetën 5 vazo të mbjella me kanabis sativa që po rriteshin qetësisht në ballkonin e shtëpisë.

Nëse bima e kultivuar në këto vazo lulesh, do të rezultojë kanabis, këngëtarja Enca Haxhiaj rrezikon 3 deri në 7 vjet burg. Efektivët e Komisariatit nr. 1 përmes të dhënave të marra nga inteligjenca informative ndërhynë pasditen e së hënës në banesën e këngëtares në “Sunrise Residence” dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan bimët në ballkon.

Burime bëjnë me dije se këngëtarja u shpreh e habitur kur policia hyri për kontroll, por mësohet se gjatë arrestimit nuk bëri rezistencë. Vazot me kanabis Enca i mbante brenda në shtëpi, por herë pas here i nxirrte në ballkon për të marrë rreze dielli. Para hetuesve këngëtarja ka dhënë shpjegime duke pohuar se është përdoruese e lëndën narkotike.

‘Jam përdoruese vetë e kanabis sativa. I kam mbjellë përpara disa kohësh bimët.’- mësohet të ketë thënë këngëtarja.

Enca Haxhiu jetonte prej 6 muajsh në vilën në fjalë, e cila ishte në pronësi të saj, kthyer nga jashtë shtetit. Ajo bashkëjetonte me një shtetas të huaj, i cili ishte aty kur policia ndërhyri. I pyetur nga hetuesit ai ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dijeni në lidhje me rrënjët e kanabis sativa, ndërsa nuk është kujdesur asnjëherë për to. Pas marrjes në pyetje i riu është lënë i lirë. Lënda narkotike ishte e varietetit 3 mujor, ndërsa kishte arritur në gjatësi rreth 1 metër dhe ishte gati afër pjekjes.