Në bazë të Marrëveshjes për Bashkëpunim arsimor, kulturor dhe shkencor mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kroacisë nënshkruar me 1 shkurt 1994 në Tiranë është organizuar programi i pestë mes dy vendeve.

Të premten me datë 17 qershor 2016, Mirela Kumbaro dhe homologu i saj kroat Zlatko Hasanbegovic nënshkruan programin e bashkëpunimit në fushën e kulturës. Ky program shtrihet në harkun kohor 2016-2019 dhe përfshin shkëmbimin ne të gjitha fushat e artit dhe kulturës duke inkurajuar marrëveshjet e drejtpërdrejta dhe bashkëpunimin midis institucioneve, ekspertëve, artistëve dhe shoqatave të skenës së pavarur artistike.

Vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe parandalimit të piraterisë kulturore. Ministri kroat është shprehur: ‘’ Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është që ky program zhvillon marrëdhëniet tona, shpresojmë që institucionet dhe artistët të përfitojnë prej tij’’.

Ndërkohë që ministrja Mirela Kumbaro në fjalën e saj ka theksuar se ky program është një instrument i fuqishëm për të mbështetur njerëzit e artit dhe kulturës dhe për t’u njohur edhe më shumë mes njëri-tjetrit, përmes kulturës. ‘’ Unë mendoj se politikanët, ministrat, ministritë duhet të mbështesin kulturën dhe artistët. Kultura duhet të jetë  e pavarur në raport me institucionet politike dhe kjo është detyra jonë për të mbështetur dhe përkrahur’’,  tha ajo ndër të tjera.

kumbaro






Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com