Kumtesa Përvjetori
Liri Belishova në tri kohë

Kumtesa Përvjetori<br />Liri Belishova në tri kohë
Shumëkush do ta kishte zili kë përvjetor të zonjës Liri Belishova. Jo vetëm për 90 vitet e një jete njerëzore, pasi 90 e mbi 90 vjeçarë sot ka plot në botë. Por janë të rrallë e fatlumë ata që një kohë kaq të gjatë fizike kanë mundur ta konvertojnë të gjithën në vite të jetuara. Është kënaqësi për ne që një rast si ky i shkon zonjës së nderuar Liri Belishova, të cilës i urojmë dhe më tej jetë të gjatë dhe mendje të freskët.

Kur organizatoët më kërkuan cila do të ishte tema e fjalës sime, u thashë aty për aty: “Belishova në tri kohë”. Në fakt, kjo është thjesht një gjetje konvencionale, që nënkupton një kohë kur Belishova ishte person i rëndësishëm në hierarkinë politike të pasluftës, pra të komunizmit, që vijon me kohën e persekutimit të rëndë brenda sistemit e për shkak të sistemit që ajo vetë i shërbeu me devocion; për të vazhduar, më në fund, me një kohë reflektimi, tashmë në një tjetër sistem shoqëror, si ky i sotmi.

T’i marrësh në shqyrtim të tria këto kohë dhe të vish në përfundime të plota, qoftë dhe për një person si zonja Belishova, kjo do të ishte një punë e vështirë dhe do të kërkonte shumë angazhim. Për këtë arsye, do të desha të ndalem vetëm në ndonjë moment nga jeta e saj, që e gjykoj si më të veçantë për ta ndarë së bashku.

Hapat e parë në jetë të Liri Belishovës janë të ngjashëm, në mos të njëjtë, me mjaft nga moshatarët e saj dhe veçojmë këtu kohën e formimit si nxënëse e Institutit femëror “Nana Mbretëreshë” në Tiranë. Në shoqërinë e prapambetur shqiptare, në shoqërinë e ferexhesë, një shkollë si ajo u kthye në fidanishte emancipimi jo vetëm për femrën shqiptare, por për gjithë shqërinë në tërësi.

Kjo shkollë, që pas luftës u kthye në shkollë pedagogjike, hyri në historinë e arsimit shqiptar si institucion nga më seriozët didaktik, me një program pretendues formimi kulturor në përgjithësi dhe profesional në veçanti. Aty dhanë mësim pedagogë nga më të zotët, pothuajse të gjithë shqiptarë. Tregojnë një rast për njërin prej tyre, profesorin e historisë Mihal Zallari. Në një orë mësimi atij i vajti vetë mbreti, Ahmet Zogu.

Profesori u foli nxënësve me pathos për revolucionin francez, për sloganin e famshëm: liri, barazi, vëllazëri, për republikën. Mbreti e falënderoi Zallarin për orën e mësimit, e përgëzoi për kompetencën, por në fund doli aty ku i dhembte. “Ky institut, tha ai, asht i Nanës Mbretneshë. Ti duhet të shkosh në një shkollë tjetër, ku mund të flasësh për republikën”. Dhe ashtu u bё.

E solla këtë rast për të thënë se në shumicë pedagogët e shkollave të mesme të asaj kohe, në Tiranë, në Korçë, Elbasan, Shkodër etj., qenë edhe personalitete me ndjenja atdhetare të forta. Ata nxitën tek nxënësit refuzimin e fashizmit si ideologji, nxitën organizimet e para të rezistencës kundër pushtuesit. Siç dihet, këto ndjenja atdhetare më parë se kudo depërtuan te rinia shkollore, ashtu siç edhe dihet se komunistët ishin të parët që manipuluan me këto ndjenja, që rekrutuan si simpatizantë të tyre të rinjtë e shkollave, se mjaft djem vajza shkollare mbushën malet. Njëra prej këtyre ishte edhe vajza nga Mallakastra, Liri Belishova. Çlirimi i Shqipërisë e gjeti anëtare të KQ të PKSH. Ishte vetëm 18 vjeç!

Pra, Belishova ishte në radhët e para të superstrukturës së re politike të pasluftës. Kësaj i atribuohen meritat e udhëheqjes së luftës kundër pushtuesit, e rindërtimit të vendit, e programeve zhvillimore në arsim, shëndetësi etj. Por kjo klasë politike u pa se po ndërtonte me shpejtësi një sistem fondamentalist idesh dhe institucionesh, ku lufta e klasave, e përmendur shkarazi në Rezolucionin e krijimit të Partisë Komuniste, më 1941, u bë ai që quhej motori i zhvillimit të shoqërisë.

Në fakt, kudhra e persekucionit masiv të popullsisë, shkollë e përgatitjes së misionarëve fondamentalistë, me mision të mbillnin urrejtje për “armiqtë e klasës”. “... Kam menduar se burgosjet, internimet, vrasjet pas çlirimit, pra, ajo pjesë e parë kur janë dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit, ka qenë e drejtë, thotë Belishova. Duke kaluar vitet, duke u ballafaquar me dokumente, e kam kuptuar sa gabim e kam pasur...” Kuptohet, ky është një reflektim i mëvonshëm.

Mbështetur në burimet arkivore, kryesisht mbledhje të forumeve partiake, duhet pohuar se në 15 vjet jetë aktive politike (1945-60), Liri Belishova nuk dallon nga drejtuesit e tjerë politikë, për sa i përket devocionit për partinë, zellit për direktivën. Do të ishte ahistorike, nëse sot do të kërkonim diçka tjetër, pra një sjellje të ndryshme nё “shkallёt” ku ajo ishte ngjitur. Megjithatë po nga këto burime partiake, nuk është vështirë të formosh opinionin se Belishova qe formuar me një kulturë politike, falë të cilës ajo dinte të luante midis kufijve të “lejueshëm”. “Të kemi kujdes me dënimet dhe burgosjet”, shprehej ajo në një mbledhje të Byrosë Politike, në vitin 1952. Burgjet janë mbushur plot dhe nuk ka më vende.” Është vështirë të vlerësojmë sot, nëse kemi të bëjmë me revoltë për teprime në atë që quhej politikë e goditjes, apo ka qenë më shumë një konstatim për vështirësitë e menaxhimit të burgjeve. 

liri belishova
Liri Belishova

Belishova ka jetën e saj intensive politike, aq sa, sipas meje, ajo mbetet gruaja më e fortë në gjithë historinë e pushtetit komunist në Shqipëri. Është fakt që një grua ambicioze është parë e shihet me sy të keq në shoqëri. Askush nuk mund të prekë çfarëdo hierarki vlerash, nëse nuk ka ambicie. Një rregull i vlefshëm edhe për shkallët e pushtetit. Në një libër të saj Madlen Ollbrajt (Madeleine Albright) tregon se kur ishte kryetare e Misionit të SHBA në OKB, shpesh dëgjonte të flisnin për të se ishte “ambicioze”, “mendjemadhe”, “nevrike”. Kjo nuk ndodhte për burrat, vazhdon ajo. Për ta thoshin: “E zotëron situatën, i aftë...”. Po, Belishova ishte ambicioze dhe kishte marrë pushtet me meritë. Ky mendim të vjen më së pari nga burimet dokumentare. Por mendimi kthehet në bindje, duke u njohur me ngjarjet e viteve 60-61.
Viti 1960 qe viti i thyerjes së madhe me Moskën. Siç ka ndodhur me të gjitha thyerjet, para dhe më pas, edhe kjo me Moskën pati kurbanët e saj. Në këtë rast, kurban u bë Liri Belishova. Pse? Ishte ajo më e dobët dhe kësisoj lehtësisht e goditshme? Apo e kundërta, një pikë e fortë dhe që shihej si rrezik për kastën në pushtet? Për këtë temë është folur herë pas here dhe mendoj se është bërë e qartë se Belishova nuk është goditur thjesht për opinion, si person që mund të shmangej pa telashe etj. Enver Hoxha nuk e ka fshehur se ajo ka qenë rrezik për Partinë, për udhëheqjen, madje dhe për pushtetin e tij.

Që Belishova ka qenë një grua e fortë, nё kufijtё e tё jashtёzakonshmes, kjo nuk ka dyshim. Por, a ka qenë ajo rrezik për Hoxhën dhe udhëheqjen e kohës? Në këto 25 vjet postkomunizëm, ky moment ende nuk është sqaruar dhe për këtë arsye do të desha të ndalem pak më në hollësi. Për më tepër, ky moment është thelbësor për vetë marrëdhëniet me Moskën. Personi, i cili mund të hidhte dritë në këtë pikë, Ramiz Alia i mbahet versionit të vjetër. Por ky version dhe ajo që ka ndodhur në të vërtetë janë dy histori të ndryshme. Ja çfarë thotë Alia në kujtimet e tij, më 2010: “Liria ishte tepër ambicioze ... dhe ky aspekt negativ i karakterit të saj e shtyu të bënte gabimin e madh që të merrte anën e sovjetikëve kundër partisë së vet... Ajo shkoi në Ambasadën Sovjetike në Pekin dhe informoi ambasadorin rus për gjithçka i kishin thënë kinezët ... Shoku Enver i shkroi një letër Lirisë që të mos ndalej fare në Moskë dhe të mos bisedonte me njeri për çështjen kineze ... Kjo letër iu dërgua me korrier të posaçëm... dhe iu dorëzua Lirisë diku në Ulan-Bator ose në Irkutsk, pra pa arritur Liria në Moskë ... Ajo kërkoi takim me Hrushovin të cilit i raportoi jo vetëm për atë që i kishin thënë kinezët, por edhe për urdhrin që kishte marrë nga Tirana ...”

Burimet dokumentare dëshmojnë version tjetër. Gjithçka ka ndodhur pas një vizite që Belishova ka bërë në Kinë në qershor 1960 në përbërje të një delegacioni parlamentar që kryesohej nga Haxhi Lleshi. Alia thotë se Belishova shkoi në ambasadën sovjetike në Pekin dhe informoi për gjithçka kishin thënë kinezët. Kjo është gjysmë e vërtetë. Në fakt, biseda është bërë me sekretarin e ambasadës sovjetike në ambasadën shqiptare, më 4 qershor 1960. Në takim kishte qenë edhe Gogo Nushi. Ky i fundit ishte ftuar në Kongresin e sindikatave në Kinë dhe të njëjtat shqetësime ua kishte transmetuar sovjetikëve dy ditë më parë, më 2 qershor. Por ky takim nuk u zu në gojë kur gjykohej Liria, por nuk përmendet as tani(!). Megjithatë duhet thënë se në rrethanat e atëhershme, takimet e këtij lloji ishin më se normale, madje ligjësi pёr  marrёdhёniet satelite BS-Shqipёri. BS konsiderohej “koka e kampit komunist”. Akoma më tej, kur Belishova ishte larguar nga Tirana nuk kishte asnjë sinjal për incidente me Moskën. Madje Hoxha në një radiogram të tij më 4 qershor për Belishovën dhe Lleshin në Pekin urdhëron prerë: “... të flitet më gjatë dhe jashtëzakonisht ngrohtë për Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. E dyta, duhet të flitet si kurdoherë për rolin vendimtar të Bashkimit Sovjetik në çdo fushë ... Të gjitha përshëndetjet dhe fjalimet bajate që ju ka dhënë Ministria e Jashtme i grisni dhe formuloni krejt të reja.”[1]

Bisedën e 4 qershorit me sekretarin e ambasadës sovjetike Belishova ia raportoi Hoxhës më 7 qershor. Në fund të letrës shënon: “Ju lutem shoku Enver, në qoftë se do të keni gjë të më bëni radiogram”. Më pas Belishova vazhdon vizitën në Vietnamin e Veriut, përsëri në Kinë, në Korenë e Veriut. Vetëm në Phenian (Korea e Veriut), Liria arriti të lidhej me Tiranën (në Vietnamin e Veriut shërbimi me radio shifër me Shqipërinë mungonte). Ajo njofton menjëherë Hoxhën për vizitat e bëra si dhe për informacionin që ka marrë nga Sekretari i Partisë i Shangait  për  shtyrjen e Mbledhjes së Partive komuniste në Bukuresht. Ndërkohë në letër shënon se “Gazeta dhe lajme nga Shqipëria s’kemi marrë.”[1] Kjo letёr mban datёn 23 qershor 1960[2]. Pra, deri më 23 qershor Liri Belishova, e cila ishte larguar nga Shqipëria në fund të majit, nuk kishte marrë asnjë informacion nga Tirana për rrokullimën që kishin marrë punët në Bukuresht.

Ndërkohë midis Hoxhës dhe Kapos, i cili përfaqësonte PPSH në mbledhjen e Bukureshtit, vetëm nga dt. 21 deri më 23 qershor, ende pa filluar mbledhja midis partive komuniste dhe punëtore ishin shkëmbyer 15 radiograme.

Më në fund, pas dy javë heshtjeje, më 23 qershor, Hoxha i shkroi  Belishovës: “Po të shkruaj këtë letër të vogël për të pasur kujdes të mos prononcohesh për mosmarrëveshjet që ekzistojnë në mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës ... Informatat tuaja që u keni dhënë sovjetikëve, sigurisht u ka ardhur mirë sovjetikëve dhe ju mburrin me të madhe, duke e quajtur gjestin tuaj “heroik”, “parimor” etj. Po ju bëjnë dhe do të të bëjnë shumë lëvdata.

Natyrisht nuk duhet t’ju rritet mendja nga këto lëvdata ... Byroja Politike mendon (që kur na dërgove letrën dhe informacionin) se si ti dhe Gogua keni bërë gabim të rëndë për sa i përket çështjes së informacionit. Ju nuk duhet të informonit pa marrë aprovimin e qendrës ...”[3] Asnjë fjalë nuk kishte në këtë letër që Liria “të mos ndalej fare në Moskë”[4], siç shprehet në librin e tij R. Alia.

Këtë letër Liria e mori  në Ulan Bator (Mongoli). Ndërsa letra e fundit që mban datën 28 qershor 1960, iu dorëzua Belishovës pasi kishte arritur në Moskë nga zëvendës/ambasadori shqiptar Gac Mazi. Pra, jo para se Liria të shkonte në Moskë, por pasi kishte mbërritur atje.

Por edhe në atë letër nuk kishte ndonjë urdhër për të mos u ndalur në Moskë. Në të E. Hoxha informonte Belishovën për ndarjen e madhe që kishte ndodhur në mbledhjen e Bukureshtit dhe e udhëzonte: ​“Do të të takojnë dhe do të bisedojnë që “të të sqarojnë”. Dëgjoi me kujdes, me gjakftohtësi dhe mos shfaq asnjë mendim ... çdo fjalë mate mirë dhe sa më pak fjalë aq më mirë.”[1]

Në Moskë, delegacioni shqiptar u ftua nga Brezhnjevi për drekë. Në drekë së bashku me Haxhi Lleshin merrnin pjesë edhe Liri Belishova e Rrapo Dervishi, atëkohë anëtar i KQ PPSH. Ndërsa nga pala sovjetike, më kryesorët ishin: Brezhnjevi dhe Kozllovi, anëtar i KQ PKBS. Në drekë nuk u bënë bisedime të mirëfillta politike por gjithsesi Kozllovi shfaqi pakënaqësinë e tij për qëndrimin e Hysni Kapos në Bukuresht, u shpreh se ishin “të ofenduar”, se “është e drejta juaj të jeni me 201 milionët apo 601 milionët”, duke nënkuptuar BS dhe Kinën.

liri belishova
Liri Belishova dhe Nako Spiro

Ndërsa Liri Belishova për t’iu shmangur temës së mosmarrëveshjeve ndërmjet BS dhe Kinës deklaroi se “ne nuk dimë si është zhvilluar mbledhja e Bukureshtit, po dimë një gjë se në qoftë se në jetën e Gomulkës ka pasur re, në jetën e Enver Hoxhës nuk ka pasur asnjë re. Udhëheqja e Partisë sonë ka qenë unike në pozitat e marksizëm –leninizmit dhe të miqësisë me BS ..., do të bëhet mbledhja e nëntorit dhe atje do të zgjidhen këto gjëra ...”

Megjithatё kujdesi i Lirisë për të vepruar edhe sipas udhëzimeve të E. Hoxhës, por, edhe dreka me mikpritёsit të mos prishej, nuk i frenoi sovjetikët për të ironizuar një deklaratë të Hoxhës për rrugën e ndërtimit të socializmit “pa zigzake”, e për t’u shprehur për “dogmatizëm” etj.

Por ngjarjet e mëvonshme dëshmuan se Liria në Moskë u ndodh në drekën e gabuar dhe në çastin e gabuar. Kur Liria u kthye në atdhe, mbi të shpërtheu furtuna. Të gjitha deklaratat, shakatë dhe dollitë e asaj dreke u bënë objekt i disa plenumeve. U gërmua në arkiva për të gjetur akuza të vjetra ndaj Lirisë e për të shtuar mbi to të reja. Të gjithë ishin unanimë në të zezën e tyre.

Megjithatë reagimi sovjetik pas Bukureshtit duke i ndërprerë Shqipërisë lëvrimin e sasisë së grurit të kërkuar dhe furnizimin me armatime, bënë që E. Hoxha ta përdorte rastin e Liri Belishovës si “provë e pakundërshtueshme” e ndërhyrjes sovjetike për përçarjen e PPSH. Sinjalet që Hysni Kapo dërgonte nga Bukureshti për lavdërimet e Hrushovit dhe udhëheqësve të tjerë të PKBS për Liri Belishovёn, fermentuan tek Hoxha frikёn për një largim të tij nga posti i Sekretarit të Parё, ashtu siç ishte vepruar me homologёt e tij nё Evropёn Lindore. 

Kështu u manipulua me rrezikun Belishova. Për katër muaj rresht, çështja Belishova zuri vendin kryesor në agjendën e të gjitha forumeve të larta dhe të të gjitha organizatave bazë të PPSh. Të ashtuquajturat gabime të Lirisë i bënë ortek nga mbledhja në mbledhje. Fillimisht ajo u akuzua për “nxjerrjen e sekretit”, më pas pёr “thyerje tё unitetit tё  udhëheqjes”, “për qëndrim armiqësor dhe në opozicion me vijën e Partisë” deri te akuza e drejtpёrdrejtё e Enver Hoxhёs se “Doje tё mё zije vendin.”[1] Nuk kishte prova të reja, kishte vetëm interpretime të reja në varësi të pikiadës ku po fundosej miqësia shqiptare-sovjetike. Duke lexuar dokumentet mbi mbledhjet e Byrosë Politike dhe tё KQ PPSH në korrik, gusht dhe shtator të vitit 1960, ku mbizotëronte urrejtja, mllefi, arroganca për kolegen e tyre, nuk ka se si të mos të  kujtohen fjalët e Nako Spirut para vdekjes, thёnё Liri Belishovёs: “M’u turrën si ujqërit”. Po kështu shprehet edhe Kurt Gregor, anёtar i Byrosё Politike dhe ministër i Tregtisë së jashtme të Gjermanisë Lindore, në qershor të vitit 1953: “Kjo nuk është Byro Politike, kjo është çmendinё”.[2] Këto episode i  kushtuan Belishovës një persekucion të gjatë dhe të ashpër personal dhe familjar, që tanimë është i njohur.

liri belishova
Liri Belishova

Thashë në krye të kësaj fjale se Liria bën pjesë tek fatlumët që e jetuan jetën. Me të drejtë mund të më thoni: si mund të flitet kështu për dikë që mori mbi vete vetëm persekucion e vuajtje!

Të gjithë kemi dobësitë e mëkatet tona, po jo të gjithë kanë ikur nga kjo botë si mëkatarë. Liri Belishova është fatlume se rifitoi dinjitetin. Ajo është nga të paktët që nuk ka tundur flamurin e vuajtjeve, dhe ka pranuar bashkëfajtorësinë në një sistem kriminal. Ashtu siç ka kontribuar si rrallëkush me reflektimet e saj gjithë këto vite të paskomunizmit për të rrëzuar një sistem që në fakt është ende në mendësitë tona; për të rrëzuar një sistem delirantësh, që na e ka sjell bukur Bedri Spahiu nё reflektimet e veta kur tregon rastin e Bahri Omarit, nё momentin e dënimit me vdekje. “Historia do të gjykojë cilët kemi qenë ne,” kishte deklaruar Omari. “Historinë do ta shkruajmë ne!” – qe  përgjigjur Bedri Spahiu, atëkohë prokuror i çështjes. Vёrtet ashtu ndodhi, pёr 45 vjet me radhë, historia u shkrua plot lavde pёr ata qё kishin marrё pushtetin, duke anatemuar kundёrshtarёt e tyre politikё dhe duke lёnё nё harresё tё gjithё ata qё ishin

Në mbledhjen e parë të Byrosë Politike, më 7 korrik 1960, ku Belishova raportoi për vizitën e saj në vendet e Azisë, qëndrimi i Lirisë nuk kënaqi as E. Hoxhën dhe as anëtarët e BPolitike të PPSH, të cilët kërkonin që ajo t’u ishte deklaruar më ashpër udhëheqësve të PKBS. Megjithatë pas shumë diskutimeve, E. Hoxha do t’i deklaronte Belishovës: “Unë nuk mendoj kurrë dhe as më shkon në mendje se ti mund të kesh rezervën më të vogël përsa i përket qëndrimit të Byrosë Politike për këto çështje ...”dёnuar nga diktatura e proletariatit. Megjithatё, sot pёr fat tё mirё, historiografia shqiptare pas shumё vitesh nёn presion dhe e deformuar, ka hyrё nё hullinё e misionit tё saj pёr tё reflektuar ndaj tё vёrtetave e pёr t’i bёrё ato publikisht tё njohura. 

ana
Ana Lalaj


Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos

28 Nëntori/ Policia nuk lejon shqiptarët të festojnë në Londër! Në Athinë festa me flamuj e muzikë në rrugë! Vishet kuqezi edhe 'Duomo' e Milanos