Kunata e Liri Berishës emërohet
Këshilltare e guvernatorit të BSH

Kunata e Liri Berishës emërohet<br />Këshilltare e guvernatorit të BSH
TIRANE- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë po shkon drejt kompletimit të stafit të institucionit. Ai sapo ka përzgjedhur një grup relativisht të konsiderueshëm me këshilltarë të tij personal. Në grupin që do të këshillojë Gent Sejkon për mbarëvajtjen e punëve përfshihen Fatos Ibrahimi, Ilira Reka, Miranda Ramaj dhe Xhilda Kanini. Po kështu, ai ka zgjedhur si drejtues për Koordinimin Gramos Kolasin.

Banka e Shqipërisë ende funksionon me vetëm një zëvendësguvernator, ndonëse është në kompetencë të Këshillit të saj Mbikëqyrës ta zgjedhë zëvendësguvernatorin e dytë ndër anëtarët e tij. Megjithatë, Elisabeta Gjoni vijon të jetë e vetmja në këtë funksion. BSH është kompletuar faktikisht me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, por asaj vijon t’i mungojë drejtuesi i sektorit të rëndësishëm të kontrollit, mbetur bosh pas shkarkimit të Elivar Golemit. Emërimi i saj është kompetencë e Kuvendit të Shqipërisë.
 
Këshilltarët
Emrat e këshilltarëve dhe koordinatorit pranë guvernatorit të BSH nuk janë të panjohur për publikun. Miranda Ramaj është bashkëshorte e Agimit, vëllait të Liri Berishës dhe kunatit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ajo ka qenë gjatë gjithë kohës së qeverisjes së Berishës në krye të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, një kohë edhe bashkë me Elisabeta Gjonin. Kjo e fundit njihet për lidhje të vjetra me familjen e Sali Berishës.

Me një këshilltare direkt në krushqi me Berishën dhe një zëvendësguvernatore me miqësi të vjetër me familjen e tij, e pakta që mund të supozohet është se ish-kryeministri do të ketë mundësi të njihet me problematikën e Bankës së Shqipërisë, e ndoshta do të ketë mundësi edhe të ndikojë në vendimmarrjen e drejtuesve të saj.

Për më tepër, kur, në shkelje të qartë të ligjit mbi BSH, në Këshillin Mbikëqyrës mbetet gjithnjë anëtar Petraq Milo, ish-këshilltar i Berishës, ndonëse është zgjedhur tashmë prej muajsh në organet drejtuese të Partisë Demokratike. Po kështu, edhe Dhori Kule, i njohur për kontributin e tij në veprimtarinë politike të PD-së.

Nga ana tjetër, në stafin e këshilltarëve janë shtuar Fatos Ibrahimi dhe Xhilda Konini. I pari ka qenë zëvendësguvernator dhe më pas drejtor i Departamentit të Kontabilitetit dhe Financës pranë Bankës së Shqipërisë deri në nëntor të vitit 2013, kur është larguar nga ky post prej Ardian Fullanit. Kanini ka qenë drejtore e Departamentit të Teknologjisë së Informacionit pranë Bankës së Shqipërisë, gjithashtu shkarkuar në të njejtën kohë nga ish-guvernatori.

Edhe Gramos Kolasi është larguar më parë nga drejtimi i Departamentit të Politikave Monetare.
Ndërkohë që është treguar i shpejtë në emërimin e stafit pranë tij, guvernatori Sejko ende po toleron faktin që departamentet e BSH të drejtohen ende nga shtatë drejtorë “të komanduar”.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë