GJIROKASTËR - 5 vjet nga protesta e 21 janarit të 2011-ës, familjarët e Ziver Veizit njërit prej 4 qytetarëve të cilët u vranë atë ditë, kanë organizuar  një ceremoni përkujtimore në orët e mesditës në varrezat e fshatit Zenelaj, aty ku prehen eshtrat e të ndjerit. Përfaqësues nga PS, Qarku i Gjirokastrës, familjarë të afërm dhe bashkudhëtarë të Veizit, kanë qenë prezent në ceremoninë që përkujton 5-vjetorin e vrasjes së ish-aktivistit socialist në Njësinë Vendore Cepo. 

Vera Veizi, kunata e Ziverit, thotë se drejtësia do të quhet e reformuar vetëm nëse vë para ligjit përgjegjësit për 4 qytetarët e vrarë 5 vite më parë në mes të bulevardit para Kryeministrisë.  
 
"E pa gjithë bota, u trondit gjithë bota, drejtësia hesht, nuk flet këtë duam ku ta gjejmë, vajtën pesë vite dhe nuk flet, kush do flasë. Nëqoftëse është kështu pastaj ajo qeveria që ishte i ka komanduar që t'i vrasin dhe tani ata nuk e gjejnë dot, po s'e gjejnë më dot tani ata sepse janë të komanduar për atë punë. Kjo do jetë reformë po zgjidhi këtë çështje po nuk zgjidhi këtë që është hapur në mes të sheshit, në mes të bulevardit, në mes të botës nuk do jetë, po kush na pyetën neve", shprehet ajo. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)