TIRANE - Zbardhen dokumentet që vërtetojnë angazhimin e kunatit të kryeministrit në biznesin dhe tenderat e restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës. Kompania “MARTINI shpk” në pronësi të Agim Ramajt rezulton pa përvojë në fushën e restaurimeve dhe ndryshoi statutin e saj vetëm në vitin 2007. Organizata ndërkombëtare ICOMOS e shqetësuar për punimet e kryera së fundmi në qytetin e Gjirokastrës, punime të cilat më së shumti janë realizuar nga kompania private e Ramajt.

Biznesmeni Agim Ramaj njëherësh dhe kunati i kryeministrit Berisha është biznesmeni I cili ka kryer një pjesë të madhe të restaurimeve në qytetin e Gjirokastrës në vitet e fundit, ndërsa këto restaurime së fundmi kanë rezultuar shumë problematike sipas ekspertëve. Zoti Ramaj ka operuar në Gjirokastër në sektorin e restaurimeve nëpërmjet kompanisë "MARTINI shpk" e cila është tërësisht në pronësi të tij.

Ndonëse ka fituar të drejtën për të kryer restaurimet në të paktën dy prokurime shtetërore dhe një prokurim të një fondacioni të huaj, praktika e kompanisë "MARTINI" tregon se kjo kompani e themeluar që prej vitit 1996 nuk ka patur asnjëherë objekt të veprimtarisë së saj në vite sektorin e restaurimeve të monumenteve të kulturës, por kryesisht është angazhuar në vite në fushën e import-eksportit dhe tregtimit të mallrave të ndryshme.

Kompania u themelua në vitin 1996, por nga ekstrakti tregtar në portalin e bizneseve rezulton se që prej vitit 1996 deri në vitin 2006, pra për afro 10 vite kompania "MARTINI shpk" nuk ka zhvilluar aktivitet tregtar. Veprimet e kompanisë kanë nisur të duken në vitin 2007, kohë kur kjo kompani ka kryer edhe një ristrukturim të vetin.

STATUTI

Në vitin 2007 pronari i vetëm i kompanisë "MARTINI shpk" Agim Ramaj, ka aplikuar në QEndrën e Regjistrimit të Biznesit për të bërë modifikimin e statutit të kompanisë së tij. Nga krahasimi i statuteve të kompanisë rezulton se ndryshimet kanë konsistuar kryesisht në zgjerimin e objektit të aktivitetit që do të kryente kjo kompani. Statuti i ri i kompanisë në ndryshim nga statuti i vjetër parashikonte se kompania do të angazhohej ndër të tjera edhe në aktivitetin e punimeve, ndërtimeve dhe riparimeve.

Aktivitete këto të cilat i kanë hapur rrugë kompanisë për tu fokusuar edhe në biznesin e restaurimeve të monumenteve të kulturës. "Kompania do të operojë në fushën e kategorive të përcaktuara e të specifikuara të punimeve, ndërtimeve, montimeve e riparimeve ndërtimore e mekanike. Në punime dheu, murature, betonime, punime shembje, nxjerrje uji e vepra shkarkimi, ndërtesa, ndërtesa banimi, ujësjellësa.

Në fushën e shërbimeve teknike,të riparimit teknik dhe asistence kantjeresh. Në fushën e shitjes me shumicë e pakicë të prodhimeve e të mallrave të kryerjes së shërbimeve si dhe eksport-importin e mallrave të ndryshëm", - shkruhet në statutin e kësaj kompanie që prej vitit 2007. Pikërisht në vitin 2007 kompania "MARTINI shpk" ka fituardhe tenderin e parë të restaurimit në qytetin e Gjirokastrës ndërsa prokurimi është bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

PËRVOJA

Sikundër sugjerojnë edhe dokumentet autentike të kompanisë së Agim Ramajt rezulton se kjo kompani është pa kurrëfarë eksperience apo tradite në kryerjen e punimeve delikate të restaurimeve të monumenteve të kulturës.

Madje së fundmi restaurimet e fundit të kryera në shtëpitë karakteristike gjirokastrite, kanë vënë në alarm ICOMOS, - organizatën ndërkombëtare të specialistëve të monumenteve. ICOMOS, është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare profesionistësh, që i është dedikuar ruajtjes së monumenteve dhe vendeve historike në botë. ICOMOS (International Council on Monuments and Sites) Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Sajteve, në ditët e para të nëntorit deklaroi se do të dërgonte përfaqësuesit e saj në Shqipëri.

Një mision vëzhgimi i këtij institucioni të lartë do të vijë të konstatojë në terren të gjitha problemet në restaurimet dhe ruajtjen e kësaj qendre të Trashëgimisë Botërore të Mbrojtur nga UNESCO. Kompania e Ramajt ka përfituar fonde të akorduara direkt nga buxheti i shtetit por edhe fonde indirekte të cilat vijnë si financim i organizatave të huaja ndërkombëtare për qytetin e Gjirokastrës. Por edhe këto fonde të huaja orientohen dhe kontrollohen nga vetë Ministria e Kulturës e cila jo vetëm mbikqyr punimet por bën dhe përzgjedhjen dhe filtron kompanitë që garojnë për përfitimin e këtyre donacioneve të huaja.

INTERVISTA
Mjeshtri Kore: Punimet janë shumë të dobëta
Adil Kore, ka qenë një mjeshtër që ka punuar 50 vjet mbi çatitë e Gjirokastrës, ai ka një reputacion të padiskutueshëm në këtë qytet. Disa javë më parë ai ka folur për emisioni "Exclusive" të Auron Tares duke dëshmuar në lidhje me punimet edhe në disa nga shtëpitë e vjetra të Gjirokastrës ku punimet zyrtarisht kryhen nga një OJF boshnjake por sipërmarrës rezulton kunati i kryeministrit të vendit.

Ka pesë vjet që rri ashtu?
Ka gjashtë shtatë vjet në fakt që rri ashtu, atë çatinë lart që e kanë prishur kot, nuk e mora vesh, ata duhet të kenë fitimet e tyre, se si e kanë prishur ashtu, asnjë cilësi e punimeve, por atje nuk është prekur asnjë nga ato që kam prekur unë, mund të jetë riparuar vetëm çatmaja.
Po ti the se janë dhënë 5 mijë euro.
Atë e dinë ata që merren me atë punë, ata nuk kanë vënë dorë në asgjë.
Si të duket restaurimi?
Nuk e kam parë
Si ka mundësi ti je mjeshtri..
Çdo njeri shikon xhepat e tij, nuk ka më mjeshtra, zanati ka humbur.
Nga vijnë ata që punojnë këtu?
Atë e kish marrë një firmë nga Tirana, kurse këtë këtu e kishte marrë kunati i Sali Berishës.
Kë?
Bamameto 1-shi morën që ta dish.
Po Bamameto 1-shin Bamateo 2 e ka një fondacion nga Bosnja?
Nga Bosnja po ai është i interesuar si inxhinier. Kam punuar unë me të, bëra atë hanin e Starvros me atë kam riparuar dhe me një inxhinier tjetër gollobordas, kurse të tjerët kanë qenë dy tre malësorë, dhe ata nuk dinë të mbajnë qoshet kryesore e jo më të bëjnë gjëra të tjera. Po të them unë atje janë bërë çudira. Për mua është shumë dobët.
Nuk i kontrollon institute e monumenteve?
Nuk e di, mbase aq e njohin. Nuk mund të flas


RAMAJ, ZBARDHEN TENDERAT E FITUAR

Kompania "MARTINI shpk" në pronësi të kunatit të kryeministrit, Agim Ramajt rezulton përfituese e fondeve publike por edhe donacioneve private në restaurimet e e shtëpive dhe monumenteve të kulturës në Gjirokastër. Një dokument i Agjencisë së prokurimeve publike sugjeron se në vitin 2007 kjo kompani është përzgjedhur si fituese për kryerjen e punimeve të rikonstruksionit në Hanin e Zagorisë në Gjirokastër.

Njoftimi është shpallur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe lajmëron kompaninë "MARTINI shpk" se oferta e saj prej afro 181 mijë dollarësh është kualifikuar për kryerjen e këtyre punimeve. Ky njoftim është dhënë vetëm pak ditë pasi kompania ka bërë dhe ndryshimin e statutit të saj në QKR ku në statutin e ri parashikoheshin dhe ndërhyrjet për kryerjen e punimeve në fushën e restaurimeve.

Përfitimi i këtyre fondeve publike nga ana e kompanisë "MARTINI shpk" në fushën e restaurimeve për Hanin e Zagorisë rezulton se ka nisur pikërisht me këtë shpallje dhe Hani i Zagorisë rezulton të jetë dhe objekti i parë i rikonstruktuar nga kunati i kryeministrit. Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka besuar këtë rikonstruksion kompanisë edhe pse kjo e fundit asnjëherë më parë nuk kishte operuar në këtë fushë.

DONACIONET

Një tjetër projekt i rëndësishëm ku është pajtuar për të kryer rikonstruksionet në Gjirokastër kunati i kryeministrit është ai i një shoqate suedeze. Shoqata quhet "Trashëgimia Kulturore pa Kufij" dhe në partneritet me Ministrinë e Kulturës ka deklaruar në vitin 2010 se do të kryente rikonstruktime në disa objekte të trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjirokastrës në bazë të një projekti të miratuar nga ministria dhe që parashikonte investimin e më shumë se 1.2 milionë eurove për kryerjen e këtyre punimeve.

Nuk është tërësisht e qartë se si ka funksionuar skema e prokurimit të kompanive që do të kryenin punimet por vetë shoqata suedeze në një buletin të saj ka zbardhur disa detaje. Ajo ka bërë detajimin e punimeve për rikonstruksionin e shtëpisë "Babameto 2" në Gjirokastër dhe deklaron se kompania që ka kryer punimet është "MARTINI shpk". Nga ana tjetër në të njëjtin buletin zbulohet se personat që do të supervizonin këto punime janë disa nëpunës së Ministrisë së Kuturës ndërsa një kompani angleze ishte përzgjedhur si konsulentë për aspektet strukturale.

Ministria e Kulturës është e rezervuar në zbardhjen e praktikave zyrtare të bashkëpunimit mes saj dhe shoqatës suedeze. Por mësohet se fondet e akorduar nga shoqata suedeze i janë kaluar një tjetër shoqate boshnjake dhe më pas të gjitha veprimet në Shqipëri janë bërë nga përfaqësuesit e shoqatës boshnjake.

SELIA
Vetëm në Gusht të vitit 2011 Agim Ramaj ka hapur një seli për kompaninë e tij në qytetin e Gjirokastrës. Një shkresë e dërguar prej tij në Qendrën e Regjistrimit të bizneseve sugjeron se më datën 1 Gusht 2008 ai ka aplikuar për hapjen e një NIPT-i sekondar në qytetin e Gjirokastrës. Në fakt Agim Ramaj ka qenë i angazhuar me fondet dhe projektet e rikonstruksioneve në Gjirokastër që prej vitit 2007.

Nga ana tjetër dëshmi të mbledhura në terren në Gjirokastër kanë sugjeruar se pu¬ni¬met janë realizuar jashtë një supervizioni profesional nga ekspertë dhe mjeshtra të restaurimeve ndërsa përfundimi i punimeve është cilësuar nga shumë ekspertë si një punë që ka dëmtuar idenë dhe qëllimin fillestar. Në Gjirokastër prej disa vitesh kryhen rikonstruksione të financuara nga buxheti i shtetit, nga UNESCO por edhe nga shoqata ndërkombëtare megjithatë në çdo rast procedurat e përzgjedhjes së kompanive që do kryejnë punimet apo mbikëqyrja e punës në këto objekte me vlerë të rrallë ka qenë një domen i Ministrisë së Kulturës.

Kjo ministri bën shumë pak transparencë në lidhje me praktikat që ndjek në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtarë dhe mënyrën se si përzgjedh dhe kualifikon subjektet që do të kryejnë punimet, ndërsa rasti i kunatit të kryeministrit flet për dhënien e punimeve një kompanie e cila thuajse nuk ka eksperiencë fare në rikonstruksionet e monumenteve të kulturës.

(Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com)

(eç/shqiptarja.com)