Xhesika Ndoj, këngëtarja nga Puka e cila u bë jo pak objekt debati në media me pretendimet e saj se një deputet kërkonte të lidhej me të duke i ofruar para, ka përfunduar në komisariatin numër 6 të policisë në kryeqytet.

Sipas policisë, rreth orës 12.30 të së mërkurës, kunati i këngëtares Ndoj ka denoncuar në komisariat se dikush po i vidhte shtëpinë. Menjëherë efektivët e policisë kanë shkuar pranë banesës e cila ndodhet në Unazën e re në Tiranë dhe pas verifikimeve ka rezultuar se në shtëpi ndodhej Xhesika Ndoj, e cila i ka thënë policisë se ajo ishte shtëpia e motrës së saj dhe se aty nuk ndodhej asnjë hajdut.

Pas kësaj, policia ka telefonuar kunatin e Xhesikës i cili kishte bërë denoncimin, por ky i fundit ka insistuar se në shtëpinë e tij kishte hajdutë. Kjo e ka detyruar policinë që të rikthehej sërish në banesë, ku gjatë kontrollit u gjet një mashkull i veshur vetëm me mbathje, fshehur në dollap.

Në këtë kohë, Ndoj ka dalë jashtë dhe ka tentuar të largohet nga shtëpia, por u ndalua nga policia kur po tentonte të ndizte makinën.

Të dy sëbashku, u shoqëruan në komisariatin numër 6, ku u ballafaquan edhe me motrën dhe kunatin e Ndojt, të cilët i thanë policisë se nuk bëhej fjalë për një hajdut. Mashkulli i fshehur në dollap rezultoi se ishte një biznesmen nga Kosova.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)