Shoqata e biznesit te vogël në Vlorë ka protestuar sërish kundër përfshirjes në skemën e TVSH-së. Protesta është zhvilluar paraditen e të premtes para prefekturës dhe drejtorisë së Tatimeve Vlorë,ndërsa protestuesve u është bashkuar edhe dega e PD-së Vlorë.
Vezët dhe thirrjet kundër qeverisë para prefekturës kanë shoqëruar protestën 30 minutëshe të biznesit të vogël në Vlorë duke bllokuar dhe aksin rrugor. Ata kanë deklaruar futja në skemën e TVSH-së do të thotë falimentin për biznesin.
Policia gjatë protestës nuk ka ndërhyrë, ndërkohë që protestuesit kanë deklaruar se të tilla protesta do të vijojnë edhe janë rruga e vetme demokratike kundër një qeverie që mbron oligarkët dhe është kundër qytetarëve të vet.
Ndërkohë në ambientet e drejtorisë së Tatim Taksave të Vlorës është zhvilluar dhe një takim sensibilizues me biznesin e vogël, ku drejtoresha e Tatimeve në Vlorë ka sqaruar kalimin në skemën e re me TVSH. Pranvera Resulaj është shprehur se në Vlorë nga 6000 biznese të vogla në skemën e TVSH së kanë hyrë 350 prej tyre, dhe deri më sot nuk kemi ç’regjistrime nga skema e re me TVSH.