Spindleruv Mlyn, ÇEKI - Lara Colturi është renditur e 12-ta në ndalesën e radhës të Kupës së Botës në Skitë Alpine për vajza. Në pistën e Spindleruv Mlyn në Çeki, 19-vjeçarja italo-shqiptare që përfaqëson ngjyrat kuqezi ka rikuperuar në lëshimin e dytë të disiplinës së Slalomit Gjigant.

Lëshimin e parë Lara e mbylli në pozitën e e 21-të me kohën 1 minutë 14 sekonda e 37 të qindtat. Lëshimi i dytë solli një kohë më të mirë, për vendin e 12-të me kohën 1 minutë 13 sekonda e 36 të qindtat. Në renditjen finale Lara u rendit e 12-ta me kohën 2 minuta 27 sekonda e 73 të qindtat.

Vendi i parë u sigurua nga Sara Hector e Suedisë që bëri një performancë të mrekullueshme, me emocionet që ishin të shumta deri në fundin e garimit. Në podium edhe dy amerikanet, Paula Moltzan dhe Mikaela Shiffrin. Për këtë të fundit, kampionen absolute të skive, ky është një rikthim në podium në një disiplinë që nuk është e preferuara e saj.

Lara Colturi

Pas katër podiumeve të këtij sezoni, Lara e mbylli garën në vendin e 20-të një javë më parë në Kronplatz të Italisë, ndërsa sot fiton disa vende në pritje të garës së nesërme në Slalom.

Aktualisht, Lara Colturi mban vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës për Ski, me 467 pikë të grumbulluara.

Renditja finale në garën e Çekisë