Kronplatz, ITALI - Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi (19 vjeç) do duhet të kënaqet me vendin e 20-të në garën e Slalomit Gjigant të zhvilluar këtë të martë në Kronplatz, në ndalesën e radhës të Kupës së Botës për Skitë Alpine.
Në lëshimin e parë, skiatorja e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi të Shqipërisë, nuk shkoi më shumë se vendi i 22-të duke e mbyllur garën me kohën 1 minutë 16 sekonda e 42 të qindtat, por duke marrë të drejtën për t'u kualifikuar për në lëshimin e dytë.
Në këtë të fundit Lara u pozicionua sërish e 22-ta me kohën 1 minutë 7 sekonda e 54 të qindtat, që në finale e pozicionuan në vendin e 20-të në klasifikimin e përgjithshëm me kohën totale 2 minuta 23 sekonda e 96 të qindtat.
Vendi i parë u sigurua nga Julia Scheib, ndërsa pas austriakes u pozicionua zvicerania Camille Rast dhe në vendin e tretë Sara Hector e Suedisë. Skiatorja më e mirë në histori, Mikaela Shiffrin, nuk mundi të sigurojë podiumin duke mbajtur vendin e katërt.
Për t'u theksuar edhe rikthimi në pistë i italianes Federica Brignone pas një viti për shkak dëmtimi, teksa e mbylli në vendin e gjashtë.
Në renditjen finale të këtij sezoni Lara Colturi zbret në vendin e dhjetë me 445 pikë.
Renditja finale në Slalomin Gjigant të Kronplatz
Komente








