GURGL, Austri - Në ndalesën e tretë të Botërorit të Skive, Lara Colturi siguroi podiumin e dytë radhazi, duke marrë sërish vendin e dytë në disiplinën e Slalomit, këtë herë në Gurgl të Austrisë.

Skiatorja italo-shqiptare e mbylli garën me kohën 1 minutë, 49 sekonda e 34 të qindtat, 1.23 sekonda më shumë se Mikaela Shiffrin, 'mbretëresha' e këtij sporti që sheh podiumin e 103 në karrierë. Pas amerikanes dhe Larës, në podium si e treta u ngjit edhe zvicerania Camille Rast.

Gara e Lara Colturit

Në lëshimin e parë, Colturi e mbylli në vendin e dytë me kohën 54 sekonda e 53 të qindtat. Në lëshimin e dytë, shqiptarja e natyralizuar siguroi kohën 54 sekonda e 81 të qindtat, për vendin e dhjetë.

Në total, me kohën 1 minutë, 49 sekonda e 34 të qindtat, Lara Colturi siguroi vendin e dytë dhe podiumin e dytë radhazi. Në gjithë karrierën, ky është podiumi i pestë për Colturin.

Pas suksesit dhe podiumit në garën e sotme, Lara i jep vetes 80 pikë dhe me 196 në total, mban vendin e dytë në renditje. Në krye Mikaela Shiffrin me 250 pikë. Gara e ardhshme zhvillohet në Malet Copper në SHBA (Colorado), më 29 dhe 30 nëntor.

Garë fantastike nga 19-vjeçarja Colturi, e cila vijon të mrekullojë këtë vit me flamurin kuqezi. Një javë më parë në Levi të Finlandës ajo ia doli të ngjitej në podium si e dyta, po pas Shiffrin.

Rezultatet e garës në Gurgl

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:59
Siguroi sërish podiumin në Botërorin e Skive, Colturi: S'e prisja, pista në kushte të vështira

Lara Colturi u ngjit për të dytën garë radhazi në podiumin e Botërorit të Skive, duke siguruar sërish vendin e dytë, këtë herë në pistën e Gurgl të Austrisë. Pas garës ajo tregoi emocionet.

"Vendi i dytë dhe një trashëgimi për shqiptarët?

Ndihem për mrekulli. Nuk e prisja këtë rezultat sepse kushtet kanë qenë të vështira, e pamë që edhe disa skiatore dolën nga pista për shkak të vështirësive.

Si ishte pista sot, sa e vështirë?

Nuk ishte e lehtë. Fola me disa garues dje dhe pista nuk ishte më e mira. Por kam bërë më të mirën. Nuk e prisja që të isha në këtë vend me këto kushte. Vetëm ecni përpara nëse keni ëndrra, punoni sepse një ditë do ia arrini.

Disa garuese nuk mundën të mbyllnin garën, kishit frikë?

Vetëm pak frikë. Pashë disa nga mikeshat që nuk ia dolën dhe rëndësi ka që të kënaqemi duke bërë punën tonë", tha Colturi për RTSH pas garës.