LEVI, FinlandëLara Colturi ia ka dalë të ngjitet për herë të katërt në histori në podiumin e një Kupe Bote për Ski. Në garën e dytë të këtij sezoni, në Levi të Finlandës, 19-vjeçarja italo-shqiptare siguroi vendin e dytë në total, me kohën 1 minutë, 50 sekonda e 58 të qindtat, vetëm 1.66 më shumë se fituesja e kësaj gare, legjenda amerikane Mikaela Shiffrin.

Në lëshimin e parë në disiplinën e Slalomit, Lara e mbylli në vendin e dytë me vetëm 1.08 sekonda pas Shiffrin (56.08), ndërsa në lëshimin e dytë Lara u rendit e treta me 0.58 sekonda pas Shiffrin (52.84 sekonda), e cila dominoi në këtë garë.

Në renditjen e përgjithshme, Lara Colturi ia doli të merrte vendin e dytë në një disiplinë që nuk është e preferuara e saj, pasi ajo parapëlqen Slalomin Gjigant. Një ditë e rëndësishme për Larën, e cila sot feston ditëlindjen e 19-të.

Pas vendit të shtatë në Solden të Austrisë tre javë më parë, Lara Colturi u ngjit në podium sot në Levi, podiumi i katërt për të në karrierë. Më herët garuesja e Shqipërisë siguronte vendin e dytë më 23 nëntor 2024 në Gurgl të Austrisë në Slalom, vendin e dytë më 4 janar 2025 në Gora të Sllovenisë në Slalom Gjigant dhe më 8 mars 2025 në Are të Suedisë u rendit e treta.

Lara Colturi me këtë vend të dytë në garën e Slalomit mori 80 pikë duke e çuar në 116 pikë totalin pas dy garave të para të Kupës së Botës dhe e sheh veten në vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, pas Mikaela Shiffrin dhe Paula Moltzan.

Javën që vjen Lara Colturi do jetë në pistën e Gurgl në Austri, në disiplinën e Slalomit.

Rezultatet e garës së sotme

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:17
Skiatorja kuqezi në podium, Edi Rama: Edhe 100 Lara! Çfarë arritje në ditëlindjen e 19-të

Kryeministri Edi Rama ka uruar skiatoren Lara Colturi për arritjen e vendit të dytë në ndalesës e dytë të Botërorit të Skive në Finlandë. Colturi siguroi podiumin e katërt në karrierë, por padyshim ky ishte më i veçanti, pasi sot italo-shqiptarja feston ditëlindjen e 19-të.

"Lara Colturi, skiatorja e Shqipërisë, ka siguruar vendin e dytë në Botërorin e Slalomit në Finlandë. E gjithë kjo arritje e madhe në një ditë të veçantë për Larën, e cila sot feston 19-vjetorin e saj. Edhe 100 Lara", shkruan kryeministri.

Ora 14:28
U rendit e dyta në Kupën e Botës, Lara Colturi: Frymëzim të ndaj podiumin me Mikaela Shiffrin

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, u rendit e dyta në Kupën e Botës në Levi të Finlandës. Pas garës së dytë të sezonit ajo nuk i ka fshehur emocionet, teksa sot feston edhe ditëlindjen e 19-të.

"Jeni pas një kampione si Mikaela Shiffrin, si ndiheni?

Jam shumë e lumtur, ky është Slalomi i parë i sezonit dhe jemi stërvitur shumë. Të ndaj podiumin me Mikaelën është një gjë e veçantë, ajo është një frymëzim për mua", tha Colturi për RTSH pas garës.