Egnatia ka prerë biletën për në finalen e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2025-2026, pas një përballjeje dramatike kundër AF Elbasanit, e vendosur vetëm nga goditjet e penalltive. Rrogozhinasit triumfuan 2-4 nga pika e bardhë, duke vulosur kalimin në aktin e fundit të kompeticionit pas gjysmëfinales së kthimit.
Takimi i zhvilluar të mërkurën në “Elbasan Arena” ishte i luftuar dhe me ritëm të lartë. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, me Egnatian që kaloi e para në avantazh falë golit të Grudës në minutën e 11-të. Reagimi i AF Elbasanit nuk vonoi, teksa Musta riktheu ekuilibrat dhe mbajti gjallë shpresat e skuadrës së tij.
Pavarësisht përpjekjeve nga të dyja palët gjatë 120 minutave lojë, rezultati mbeti i pandryshuar, duke çuar gjithçka në 'ruletën' e penalltive, ku Egnatia u tregua më e saktë dhe më e qetë në momentet vendimtare.
Për AF Elbasanin gabuan Kasa dhe Lleshi, ndërsa shënuan Blaise Tsague dhe Musat. Tek Egnatia shënuan Albanese, Jaime, Xhemajli dhe Fangaj, ndërsa gaboi Kryeziu.
Rrogozhinasit janë ekipi më i suksesshëm i katër viteve të fundit dhe këtë e thonë shifrat. Ata siguruan finalen e katërt radhazi në Kupën e Shqipërisë. Në vitet e fundit Egnatia ka luajtur tre finale Superkupe dhe dy finale të kampionatit.
Ndërkohë, finalisti tjetër do të përcaktohet në përballjen mes Vllaznisë dhe Dinamos (1-1 ndeshja e parë), që do të luhet sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 19:00.
Komente










