TIRANË- Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani ka kërkuar shkarkimin nga detyra i gjyqtarit Markelian Kuqo. Sipas Metanit gjyqtari ka vepruar me dashje, dhe në mënyrë të vullnetshme për vendimet e tij duke liruar padrejtësisht nga burgu Gerd Gjinararin të dënuar për vrasjen e grupeve rivale më 1997.

Faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar dhe vetëm për t’ju përshtatur plotësimit të kërkesave formale (me natyrë objektive) si dhe atyre me natyrë subjektive të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal", është shprehur Metani në KLGJ sot.

Ndërsa vetë gjyqtari i Korçës kërkoi ballafaqimin me ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj, por kjo kërkesë u rrëzua. Më 21 tetor do të shpallet vendimi, për të cilin gjyqtari Markelian Kuqo kërko të qëndrojë në detyrë duke thënë se po sulmohet politikisht.

Debatet në seancën dëgjimore
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani nis parashtrimin në seancën dëgjimore në KLGJ për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit M.K.
Metani: nuk janë zbatuar kërkesat mbi plotësimin e kritereve ligjore me natyrë subjektive, siç janë “arsyet e veçanta” apo “rastet e jashtëzakonshme”.
Metani: Faktet dhe rrethanat janë parashtruar dukshëm në mënyrë të shtrembëruar dhe vetëm për t’ju përshtatur plotësimit të kërkesave formale (me natyrë objektive) si dhe atyre me natyrë subjektive të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal.
Metani: Nga ana e magjistratit nuk është mbajtur në konsideratë krahas jurisprudencës së Gjykatës së Lartë në lidhje me këtë institut të së drejtës penale edhe vetë praktika e tij e ndjekur gjatë trajtimit të kërkesave me objekt “Lirim me kusht”;
Metani: Këto veprime/mosveprime të magjjistratit janë kryer në mënyrë drejtpërdrejtë, të vazhduar, të vullnetshme dhe të pajustifikuar brenda të njëjtit proces, duke arritur në përfundimin se janë kryer me dashje direkte nga ana e tij.
Metani: Vlerësohet se për veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Markelian Kuqo që parashikohen si shkelje disiplinore nga neni 101, pika 1, shkronja “b” dhe neni 102, pika 2, shkronjat “a” dhe “b”, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar; që përbëjnë “Shkelje shumë e rëndë disiplinore” dhe  që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, duhet të jepet masa disiplinore “Shkarkim nga detyra”.
Gjyqtari Markelian Kuqo: Kam zbatuar ligjin, s'keni pse më shkarkoni i gjyqtar. E padrejtë kërkesa për shkarkim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:29
ILD kërkoi shkarkimin e Kuqos, reagon Rama: Përshëndes kallëzimin e një të paudhi që ka sfiduar hapur drejtësinë dhe popullin! Më në fund një hap i vonuar

Kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur  vendimin e ILD që nisi procedurën shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Markelian Kuqo.

Rama shkruan se e përshëndet kallëzimin, duke e quajtur gjyqtarin një të paudhë që ka sfiduar hapur popullin dhe drejtësinë, duke liruar padrejtësisht nga burgu Gerd Gjinararin një të dënuar përjetë. Sipas kryeministrit ky është një hap i vonuar në rrugën e duhur të vendosjes së drejtësisë në drejtësi.

"Përshëndes Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për kallzimin e një të paudhi me çyrk gjykatësi që ka sfiduar hapur drejtësinë dhe popullin, duke liruar një të dënuar me burgim të përjetshëm! Më në fund një hap i vonuar në rrugën e duhur të vendosjes së drejtësisë në drejtësi", shkruan Rama.

Ora 15:12
Liroi Gert Gjinararin/ KLGJ refuzon kërkesën e gjyqtarit Markelian Kuqo, vendimi javën e ardhshme

Përfundon seanca ne KLGJ për gjyqtarin Markelian Kuqo. Shtyhet vendimi për gjyqtarin, i cili ka ka dhënë llogari sot para KLGJ për lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Gert Gjinarari, miku i Arben Grorit, i njohur ndryshe si "Gjenerali". 

Në seancën dëgjimore të zhvilluar ditën e sotme, Inspektori i Lartës i Drejtësisë, Artur Metani tha se Kuqo ka shtrembëruar me dashje faktet.

Mirëpo, një gjë e tillë është mohuar nga vetë gjyqtari i cili tha se ka zbatuar ligjin, duke e cilësuar si të padrejtë kërkesën për shkarkimin e tij.