Kryeministri Edi Rama nga Samiti i Diasporës i bëri një ftesë publike liderit të opozitës Lulzim Basha për t'u ulur në bisedime për të zgjidhur krizën politike. Kryedemokrati ende nuk është përgjigjur, Kryemadhi u shpreh se beson se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen në fund të majit, ndërsa kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në 'Repolitix' tha se ftesa e Ramës nuk ishte e sinqertë.

"Unë nuk mendoj se kryeministri foli, vijoi demagogjinë, i shqetësuar. Sot flasim për një shtet të organizuar në mënyrë mafioze, për këtë duhet të flasë kryeministri. Fjala është si element institucional në Kuvend, që ka disa detyrime, duke filluar nga ligjbërja.

Opozita ka folur, ka tentuar që të flasë. Kryeministri sot nëse duhet të bënte një ftesë të sinqertë, të shikonte kërkesat e opozitës dhe më pas të fliste. Ai sot bëri demagogji, nuk merret me thelbin e protestës, por me disa elementë anësorë dhe për këtë bëhet qameti.

As Amerika, as Europa nuk janë kaq naivë sa mendon kryeministri. Ka aktorë të tjerë të koalicionit, në pozicione periferike që përpiqen ta shikojnë në interes të tyre" deklaroi Mediu.  Mediu kërkon nga PD-ja që të dëgjojë ndërkombëtarët dhe jo të dalë kundër tyre. Por, a do të ishte dakord kreu i republikanëve që Meta të merrte rolin e negociatorit mbi palët?

"Aktorë institucionalë apo politike nëse mund të arrijnë të bëjë palët të gjejnë një zgjidhje do të jenë të mirëpritur. Në 2002 kam iniciuar një tryezë të opozitës për zgjedhjen e presidentit, po ashtu edhe në 2007, por edhe në rastin e fundit në 2017 me Dukën. Ramën për kryetar të PS-së nuk e mohon njeri, por si kryeministër nuk mund ta pranojmë në tryezë.  

Opozita duhet të kontaktojë me faktorin ndërkombëtar për të vlerësuar edhe gjykimin e tyre. Pride, që ka qenë për Zgjerimin në 2001 gati sa nuk na nxori përjashta mua dhe Berishën, por tha nëse i faktoni këto që thoni do iu mbështes. Mendjet e arsyeshme duhet të ulen".

Mediu kërkon që opozita duhet të ketë një platformë nëse ulet në negociata, ndërsa shton se në tryezë duhet të jenë të gjithë, jo vetëm Rama me Bashën si në paktin e 17 majit të vitit të kaluar para zgjedhjeve. "Mendoj që duhet të ketë një platformë, një përfaqësi të të gjitha palëve, jo tek e tek.

Marrëveshja duhet të jetë konkrete. Rama kam frikë se nuk dëgjon. Në 2007 Rama doli dhe tha do manipulohet me certifikatat, shkuam te Presidenti, ndenjëm tre net duke diskutuar ca budallallëqe dhe asnjëra nga ato nuk kishte të bënte me zgjedhjet" përfundoi Mediu.