Dy net emocionuese, këngë që mbajnë gjallë traditën dhe shpirtin e Shqipërisë së Mesme do të vijnë më 10 e 11 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“‘Kur dy zemra dashurohen’ është premiera jonë e radhës, në memorie të një krijuesi të madh të muzikës qytetare të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë së Mesme, Muharrem Gurrës. Kjo është një mbrëmje gala ku kemi përzgjedhur këngët më të bukura të tij, të mbështetura fort tek lirika dhe dashuria.”, tha drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi.
 

Koncerti “Kur dy zemra dashurohen” do të bëjë bashkë në një premierë artistë të njohur, si: Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Artan Bakija dhe Elvina Gurra.

“Jam shumë e lumtur dhe e privilegjuar që marr pjesë në këtë koncert. Këngët e Muharrem Gurrës i kam kënduar që e vogël dhe ai ka qenë një frymëzim i madh për mua. Kjo skenë është vendi ku kam hedhur hapat e parë dhe rikthimi këtu më jep shumë emocione. Publiku gjithmonë e ndjen kur këndon me shpirt dhe unë shpresoj ta përcjell këtë ndjenjë edhe këtë herë.”, tha këngëtarja Merita Halili.

Një repertor i mbushur, jo vetëm me muzikën popullore por edhe ato të njohura të dashurisë, që bënë historinë e artit.

“Është një kënaqësi e veçantë të risjellim këtë krijimtari të jashtëzakonshme. Ne nuk fillojmë gjithçka nga e para. Kemi një trashëgimi të vyer nga brezat e mëparshëm dhe është detyra jonë ta ruajmë dhe ta përcjellim. Ky koncert është një homazh i merituar dhe besoj do të jetë një mbrëmje e paharruar për publikun.”, tha këngëtarja Manjola Nallbani.

Koncerti vjen si pjesë e një cikli artistik që synon të rikthejë në vëmendje figurat e mëdha të muzikës shqiptare dhe trashëgiminë e tyre.