Tingujt epikë të lahutës, magjia e polifonisë, energjia e K’cimit të Tropojës, hijeshia e xhubletës, madhështia e qyteteve të gurit dhe tradita e lashtë e transhumancës erdhën në një spektakël të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit mbrëmjen e djeshme. Ato u përcollën për publiku nga mjeshtrit e folklorit: Vendim Kapaj në fyell, Pjetër Matusha në lahutë, Grupi “Fyejt e Gramshit” dhe Hatixhe Lushi, si dhe aktori Bujar Asqeriu.

“Mund ta quaj premiera më e veçantë e kalendarit tonë, sepse për herë të parë bashkuam në një skenë të gjitha thesaret e trashëgimisë sonë shpirtërore që janë pjesë e trashëgimisë botërore, si lahuta, Kërcimi i Tropojës, Polifonia Labe, Xhubleta, por edhe elementë që presin të bëhen pjesë e UNESCO-s. Ishte një shfaqje e ndërtuar mbi elementët më përfaqësues folklorikë dhe jam shumë i kënaqur me performancën e artistëve. Kjo është një pasaportë artistike dhe identitare e Shqipërisë.”, tha Sokol Marsi, drejtues i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Një nga momentet kulmore ishte interpretimi i lahutës, instrument i lashtë që mbart epikën shqiptare brez pas brezi.

“Unë lahutës i bie prej 60 vitesh. E ndiej sikur një djalë në fisin tonë, në shtëpinë tonë, aq shumë e dua. Ishte një mbrëmje madhështore. Tani duhet duhet të na mbështesin. që të vazhdojmë të ruajmë këtë instrument kaq të lashtë, kaq të mirë.”, tha lahutari Pjetër Matusha.

Te publiku u përcoll edhe energjia e valleve të veriut.

“Emocionet para publikut janë gjithmonë të forta. Jam krenar që përfaqësova traditat e vendit tim, ato që janë pjesë e UNESCO-s dhe ato që presin të bëhen pjesë. Shqipëria ka shumë elemente të lashta që meritojnë prioritet.”, tha valltari Reji Berisha.

Kjo mbrëmje nuk ishte thjesht spektakël, por një rikthim në rrënjët tona përmes atyre vlerave që përfaqësojnë identitetin, historinë dhe shpirtin tonë kombëtar. “Mrekullitë e Arbërisë” do të shfaqet edhe sonte në mbrëmje në skenën e TKOB-it.