Me siguri keni dëgjuar që ngrënia gjatë natës është rruga e sigurt drejt shtimit në peshë. Por pavarësisht këtyre këshillave, kur vjen puna tek të ngrënit, gjërat nuk janë kurrë bardhë e zi.
Në të vërtetë, ngrënia e disa ushqimeve të caktuara gjatë natës mund ta përshpejtojë arritjen e objektivit për një peshë ideale. Njerëzit janë më pak aktivë gjatë natës, që do të thotë se djegin më pak kalori.
Por nga ana tjetër, darka është periudha kur njerëzit kanë më shumë gjasa të konsumojnë kalori të panevojshme. Mos konsumoni ushqime me përmbajtje të lartë glicemie që të mbani nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak.
Kur është koha e duhur?
Gjëja kryesore që duhet të dini? Më mirë të mos shkoni menjëherë në shtrat pas ngrënies së darkës. Darka duhet konsumuar të paktën dy orë para se të shkoni në shtrat.
Një nga mënyrat për të shmangur urthin është që të shmangni ushqime të bollshme e të yndyrshme në orët e vona. Duke ngrënë më herët, trupi ka kohën e nevojshme për të tretur ushqimin dhe ulur rrezikun e akumulimit të aciditetit në stomak. Urthi përkeqësohet edhe duke u shtrirë pas ngrënies, ndaj duhet të krijoni një hapësirë kohore mes darkës dhe gjumit.
Gjumi
Urthi ndikon tek cilësia e gjumit. Nëse ushqeheni vonë dhe e teproni me ushqimin do të keni probleme me stomakun dhe nuk do të bëni një gjumë të qetë. Nga ana tjetër nëse pini shumë lëngje përpara gjumit atëherë do të keni nevojë të shkoni shpesh në tualet. Ekspertët rekomandojnë konsumin e ushqimeve të lehta e me racione të vogla por jo në darkë vonë.