Kur Jeronim de Rada shkruante “Milosaon” në vitin 1836

Kur Jeronim de Rada shkruante “Milosaon” në vitin 1836

Jeronim De Rada

Milosao (1836) i Jeronim de Radës, që po shkon kah mosha dyshekullore, tashmë njihet si kryevepra poetike e autorit dhe një nga kryeveprat e lirikës shqipe. Mirëpo, secili tekst letrar, në çastin e leximit, bëhet bashkëkohor, bile i tashëm. Formulimi Milosao im përpiqet të theksojë natyrën e veprës poetike, që është e lexueshme dhe e shkrueshme, në vështrimin e Rolan Bartit, më tepër se sa të relativizojë evidencat e leximeve të përparshme, të autorit (që shkroi tri variacione të veprës), apo të interpretuesve në shekujt e fundit.

Formulimi më tepër mundohet të relativizojë e të personalizojë leximin, që bëhet i ndryshëm dhe i ndryshueshëm nga koha në kohë. Që kur Lexuesi bëhet aktant i shpalimit të kuptimit të veprës, edhe i larguar nga tendenca e Autorit, ai zbulon që Milosao është vepër e shkrueshme dhe e rishkrueshme, si gjithë poezia moderne, që të lodh në lexim e në kërkim. Mendimi është i rëndë, kërkimi është i rëndë; se thellësia është e errët, theksonte Eqrem Çabej duke shkruar për lirikën e Lasgush Poradecit. Atëherë del në pah Lexuesi si Ego (Vete) për ta përvetësuar tekstin, më parë për ta plotësuar sesa për ta arsyetuar. “Ky është Rasini im” u përgjigj Barti, se i thanë që nuk i konsideronte të vërtetat për Rasinin në tekstin e vet interpretues. Në hije të kësaj mund të kuptohet edhe komunikimi poetik ndërmjet Milosaos (1836) të Jeronim de Radës dhe Milosaos sonë të vitit 2014.

Jeronim de Rada: Milosao

Jeronim de Rada mori famën romantike të krijuesit e të protagonistit të sojit të Bajronit e Hygosë, të Leopardit e të Pushkinit, veçse kërkoi edhe protagonizmin në fushën e kulturës nacionale nëpërmjet letërsisë së shkruar identitare. Këtu na del themelor kërkimi dhe identifikimi i tij në kryeveprën poetike të rinisë, Milosao, e jo kërkimi i ideologjisë së tij për protagonizëm nacional. Kërkimi i identifikimit poetik i vë në raport De Radën me Milosaon, Emrin me Pseudonimin, ose Autorin me Personazhin. Në strukturën tekstore të Milosaos autori shpesh e më shpesh njëjtësohet me personazhin, emri lidhet me pseudonimin; pra Rada afrohet me Milosaon. Katërmbëdhjetë këngët e para të Milosaos rrëfehen alternativvisht prej autorit e prej personazhit (heroit). De Rada e Milosao janë aty dy qenie artistike, që alternohen me Unë e Ti (uni tjetër); pra, nga dysia kthehen në Njësi: prosede ky i shkrimit autobiografik; një diskurs i pastër i dashurisë. 

Poezia e dialektit

Milosao është shkruar në arbërisht, gati në të folmen e autorit. Kjo nuk është pos veçanti e kësaj vepre, apo e autorit të saj, mbasi poezia shqipe në pesë shekujt e vet të shkruar del në dialekt. Çështja është që shkrimi në dialekt përbën veçori në strukturimin poetik të veprës dhe në komunikimin e saj. Mbasi lirika është thelbi i krijimit, atëherë domosdo lirika është edhe krijimi i thelbit. Elementariteti dhe esencialiteti, që karakterizojnë këtë vepër, mund të përkufizohen si liri (poetike) që përmbys retorikën si bindje dhe detyrimin si ideologji. Paradigma (zgjedhja) e të folmes së krahinës mirëkupton ngushtimin e fjalorit, që zgjerohet në metaforë, ashtu edhe sintagmën (kombinimin), që zgjerohet në figurë. Ljis jetá kishë ndërrúar është thelbi, zanafilla e veprës poetike. Thelbi i pjesës së parë të poems nyjëzohet në vargjet e Kangjéljit I: 

Ljis jetá kishë ndërrúar, uj të rī ndë dejtit
kaljthëruar te dit’ e rē. Kangjélji XXX 
(kënga përmbyllëse e veprës) nis me vargjet: 
Friti ēr e máljevet
e rrëzoj hjēn e ljisit:
gjaku im te ljum’ i Vodhit.

Kjo gjuhë elementare e formulësuar në gjuhë poetike, nis e sos, e modelon frazën metaforike të vargut të lirë të Milosaos, thekson figurat themelore, të Malit e të Detit, duke u lidhur me kryefigurën e binjakëzuar të Lisit e të Hijes së Lisit, që paraqet jetën (dashurinë) e vdekjen. Në anën tjetër elementariteti i dialektit arbërisht do të bëhet çështje e komunikimit të veprës në shqip. Lexuesit shqiptar për ta shijuar gjuhën e Milosaos I duhet ta mësojë arbërishten ose të kënaqet me adaptime të tekstit në shqipen standarde, pa njohur vlerën origjinare.

Rrëfimi lirik i dyfishtë

“Sajova rrëfimin tim lirik të dyfishtë”. Kështu i shkruan De Rada mikut të vet në Maqi, më 1834, lidhur me krijesën e vet poetike, që do të botohej në Napoli, me titullin Milosao, dy vjet më vonë, më 1836. Ky rrëfim lirik i dyfishtë, deri më sot ka marrë interpretime të ndryshme. Edhe tani ky venerim mund të provohet në disa nivele. 

Nëse provohet në nivelin struktural të veprës, rrëfimi i dyfishtë është: rrëfimi autorial e rrëfimi i protagonistit. Nëse kërkohet në nivelin paraqitës, atëherë kjo dyfishsí zbërthehet në dëftimet  autobiografike e në dëftimet poetike universalizuese. Nëse shtrohet në nivel të modelit formal krijues, atëherë mund të dallohet shkrimi simbas modelit popullor vendës dhe modelit të cultures shkrimore. Edhe më tutje, nëse çështja shtrohet në nivelin e cilësimit të subjektivitetit në tekstin lirik, atëherë dyfishsía përfshin atë që në lirikën e këtij lloji quhet personale dhe atë tjetrën që quhet subjektive. Njëra e veçantë, e jetuar si De Rada; tjetra e përgjithësuar, e imagjinuar, si Milosao. Në 14 këngët e para flet uni (i nënkuptuar) i autorit, duke u bërë një me protagonistin e dashuruar. Rina, si protagoniste e dashuruar, me emër përmendet vetëm në Këngën XIV. Në anën tjetër, Milosao si personazh, me emër, përmendet së pari në Këngën XV, në trajtën e vargut: “Milosao: Si ja thōn këtij katúndi”. 

Pastaj në Këngën XVI, Milosao shenjohet tri herë në dialog me Vorean (Veriun – Erën). Në Këngën XXIII, protagonisti del te vargjet: “Milosau: Si një rē me shī të shéghur” dhe “Milosao: Ç’é këjó fjālj? Ëngjël oj vásh”; “Milosao: S’é volá e t’Înzot”. Në këngën e fundit, XXX, është përfundimi i veprës në formën “S’é mé e Milosāt”.  Pra, emri i protagonistit del vetëm në pjesën e dytë të poemës, atëherë kur imagjinohen ndodhitë e tij, madje përshkruhet vdekja e tij.

Poema romantike

Vepra e Jeronim de Radës, Milosao, është poezi lirike, e strukturuar në 30 këngë, që të tufëzuara marrin trajtën e poemës romantike. Subjektiviteti i derdhur në shkrim, shkrimi autobiografik, madje heroi autobiografik,emocionaliteti, shpirtësia përpara veprimit fizik, të gjitha janë karakteristika të lirikës romantike, aq sa edhe modeli i krijimit popullor bashkë me mitizimin për zhvendosjen e poezisë në kohë të shkuar.

Veçantia e saj është strukturimi lirik, që e bën të hyjë në modelin e këngëve romantike e mesdhetare të dashurisë, që rishfaqen edhe në modernitet. Në këtë pikë ka pasur një moskuptim nga kritika shqipe, që është munduar me çdo kusht të rindërtojë një subjekt, në vështrimin e strukturuar të kësaj tufe lirike. Kësaj mësymje nuk i shpëton as Arshi Pipa, mbase interpretuesi më preciz i lirikës së De Radës deri më sot.

Edhe ky, në monografinë e vet Jeronim de Rada, përpiqet të rindërtojë syzheun e veprës, duke propozuar një njësi ndodhie për secilën nga 30 këngët e veprës. Është çështje krejt tjetër struktura dramatike e tekstit, ku kënga këndohet apo artikulohet kryesisht nga heroi, monostrofat këndohen nga heroina, kurse këngët që këndon kori marrin edhe karakterin e antistrofës. Mbi të gjitha, karakteristikat e Milosaos janë rrëfimi lirik metaforik, e në kuadër të këtij prosedimi poetik natyra përherë shenjëzuese e gjendjeve shpirtërore të protagonistëve.

Fantazitë në kohë e në hapësirë

Milosao i vitit 1836, me të cilin merremi në këto venerime, botohet me titullin Poezi shqipe të shekullit XV, Këngët e Milosaos, bir i sundimtarit të Shkodrës, por me titullin vetëm në italisht. As variantet e vonshme nuk kanë titull në shqip. Tradita e përkthimit të titullit në shqip ka vijuar e dyzuar deri më sot: a janë këto Këngë të Milosaos apo janë Këngë të Milosaut? Dyzimi mbetet hapur: a ndodh kjo për shkak të origjinës gjuhësore të emrit të personazhit, apo për shkak të skajimit të tij në gjuhë të ndryshme. Sado që titulli paraqitës formalisht këmbëngul në një kohë, në një vend e në një origjinë, që këtu nisin fantazitë deradiane në kohë e në hapësirë, që shpërfaqen në tekstin e Milosaos. Edhe vetë De Rada (autor i moçëm) kur merr mundin t’i ofrojë referenca kohe e hapësire De Radës (autor i ri) rreth zhvillimeve të Milosaos, vetëm sa e shton fantazinë e kohës e të hapësirës. Sepse këto fantazi janë në themel të veprës Milosao të vitit 1836. Çështja është që prosedimi themelor poetik I Jeronim de Radës te Milosao (e kudo tjetër) është i pastër romantik. Kjo do të thotë, moskuptim me realen, grindje me realen, apo përmbysje e saj.

Ky konflikt me realen nuk zgjidhet duke imituar atë, por duke imagjinuar atë. Frymëzuesi i madh i zhvendosjeve në kohë e në hapësirë është shpirti shtegtar, që gati kurrë nuk është aty ku është trupi, është përherë në lëvizje për dikund tjetër. Ndodhia nuk është në realitet, po në ëndërr, në imagjinim. Situatat dhe situimet fundamentale në dramatikën dashurore të Milosaos prosedohen apo shpërfaqen si ëndrra e ëndërrime, formalisht e esencialisht. Pra, vetëm vdekja qenka reale?! Edhe kësaj Milosao i De Radës i përgjigjet me figurën e vet fantastike, mu në fund të veprës:
U m’i ljē si ëndërrëz

7. Ëndrra e Ëndërrimi

Mbasi jeta qenka ëndërr, atëherë krejt Milosao mund të jetë ëndërr poetike, edhe dashuria që luhatet në fletë pemësh si në valë deti. Atëherë le të na ndihmojë poetologu frëng Gaston Bashlar që shkroi Poetikën e hapësirës e në veçanti Poetikën e ëndërrimit. Me ndihmën e tij mund të prodhohet paradoksi binar: Ëndrra i përket atij që është i fjetur i zgjuar, kurse Ëndërrimi i përket atij që është i zgjuar i fjetur. Ëndërrimi e Imagjinimi, madje si fiksim. Romantiku i madh frëng, Viktor Ygo do ta thoshte me vargun e vet Do të ec me sy të ngulur në mendime. E tha vetë Jeronim de Rada, te Parimet e estetikës, që poezia (lirika) është thelbi i artit dhe nuk duron imtësitë, detajet. Prandaj, shpëtimi i lirikës është figura.

8. Mesazhi, Imazhi e Metafora

Milosao është një poezi që lidh në mënyrë asociative mesazhe, imazhe, figura, edhe atëherë kur pretendohet që rrëfen diçka, edhe atëherë kur pretendon që përshkruan diçka. Pamja, gjesti,  pasioni, ëndrra, përjashtësia, përbrendësia; të gjitha kthehen në metaforë. Shumica e këngëve nisin me një metaforë përshkruese të pamjes së natyrës, për t’u shoqëruar me një gjendje shpirtërore të heronjve të veprës. Mal e Det, Erë e Ujë, Borë e Ngricë, Blerim e Kaltërsi e, në fillim e në fund, Lisi e Hija e Lisit. Me metaforë shprehet edhe mesazhi final e i tmerrshëm për romanseron e dashurisë, kur e vdes dashnorin për të lindur heroin, dy herë Milosa.

Ljis jetá kishë ndërrúar,
uj të rī ndë dejtit Kangjélji I
kaljthëruar te dit’ e rē.
Vreshtat īn të verdhulóre;
erth kā malji dhéljpëra Kangjélji II
me të ljodhëta të bíljat
Ish e diela menát
e i bir’í zonjës madhe Kangjélji IV
ngjitej tek e búkura
të m’i ljipën një pik uj
Çë të vēn ndë deitit
noerīt zëmëra ime? Kangjélji V
Rā borá ndë dejtit,
e më zbardhi vudhëvet Kangjélji VI
krāghët ë shqitezës

 

Dreq rahjet é dejtit
gëzoj dita e káljthërëz Kangjélji VII
valévet kopiljevet.
Mnīz e vérës bardhulóre
biu një rē monosáqe Kangjélji VIII
për ndë mest gurëvet
Duró zëmër e duró
sā durój málji me bōr Kangjélji XI
Si suvālj ndë deitit
paru e trubul si një málj Kangjélji XII
nëng rúan mé se anīn
Prā çë dieli i rā te shtrati
m’u patáks mixória, Kangjélji XIV
vū njinjé të véshurat
dúal ka rrīj i bir’i zotit
Airí çë ndéqit mōn
friti kā deiti Kangjélji XVI
Fjetat īn të mbītura
dieli i sqépur rêshit, Kangjélji XX
pā oréks zëmër’e grâvet,
kūr u rroth një shkunduljim
Si një rē me shī të shéghur,
mbī katūnd shumë e bārdh Kangjélji XXIII
çë së dī ku të pushōnj
Dī dit mjégul e shī
verën dójn të na réshtëjin Kangjélji XXV

 

Friti era prapa shpivet Kangjélji XXVI
motëra ime vógëlja
Ujtë ghumbur, rā vorea,
Malje e shéshe u vshëtin. Kangjélji XXIX
Friti ēr e máljevet
e rrëzoj hjēn e ljisit. 
Kangjélji XXX

Të gjitha këto pamje të figuruara të jashtme nisin apo sugjerojnë ndodhi e disponime të heronjve të veprës, apo zhvillohen në nivel të dytë të figurës njerëzore.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin