Kur mendoja se aktori Albert
Vërria nuk do të vdiste kurrë

Kur mendoja se aktori Albert<br />Vërria nuk do të vdiste kurrë
Ja si e shkrova konceptin kuratorial të një ekspozite që aktori e hapi para 9 vjetësh në galerinë “Zenit”

“Artisti... për së gjalli!”
Mund t’i nisnim këto rradhë me shprehjen: “Në nderim të artistit të popullit, të madhit Albert Verria...
Dhe ndoshta dikush, teksa do t’i lexonte ato do të mbante frymën për një cast: - Pse, mos largqoftë vdiq edhe një tjetër prej tyre?!

Jo, për fat jo, dhe shpresoj që në këtë jubilar, të shtatëdhjetë të jetës së artistit, të jemi ende shumë herët për këtë akt të vockël administrativ. Jemi ne që, meqënëse ia behim të honorifikojmë ikonat tona vecse postum, na shkon zëfilli mendja për keq kur hasim e dëgjojmë emrin e një artisti që ka hyrë në kohën e moshës së thyer.

Foto-ekpozitë: Albert Verria në role. Pra, është thjesht duke bërë të vetën: duke luajtur një rol, duke bërë sikur. Pothuajse sikur ka vdekur. Në këtë rast, përmes një eskursioni fotofilmik në memorien e teatrit dhe kinematografisë shqiptare... ende për së gjalli.  Prej fantazmës së Ezopit e deri tek kapedanët grotesk, që s’kanë të sosur.

E nëse do të dëgjoni dikë atypari, që me mençurinë e tij të pafre do të mbërrijë në konkluzionin kritik: “paksa megallomane e narciziste kjo ekspozitë aktori në të gjallë...”, mos ngurroni t’ia ktheni këtë përgjigje të gatshme:

- Ja tek po krijojmë edhe për ty në këtë ekspozitë rastin për të veshur petkat e Narcizit, mjafton të dallosh si në pasqyrë, në secilën foto të saj - veten.
 
124 sy në 62 foto memoriale personazhesh përgjatë një ekspozite. Kësaj here galeria s’ka as misionin për të lancuar imazhe të freskëta nga vepra e një artisti, por një retrospektivë sysh të personazheve: disa të lincuar për së gjalli, disa të zvjerdhur, të fyer, të friguar, të ndëshkuar, shumica e tyre cuditërisht e kot së koti negativ.

Albert Verria – personazhi negativ! Negativ vetëm e vetëm se nuk shkuleshin personazhet nga dheu i pronave për t’ju bindur kacakëve të fushave; apo ata të ngujuar nën krrokamat dhe sorrat e shkëmbit për mosbindje ndaj kacakëve të maleve; pastaj, ata të shpallur armiq të përbindshëm si për bindjet ashtu dhe për pabindjet. Biografi artistike fiksuar në celuloid si negativ i nxirrë me plot minuse biografie dhe cene karakteri, thjesht për kundërshti të marëveshjes lokale aq endemike e idiomatike që patëm bërë për shenjën e plusit.

 “ Një palë sy” do ta kisha titulluar ndryshe këtë foto - ekspozitë.
Syri, sytë – janë c’ka ndoshta do mbeten më tepër të fiksuar dhe ngjizur empatikisht në kujtesën e vizitorit. Sy që lëvrijnë, bishtnojnë, joshen, cakërdisen, luten, shpresojnë, madje dhe kapardisen. Si për të na e shquar më mirë matricën e absurditetit të kohës, shenjuar përmes personazheve... të luajtur.
 
Ja një dosje parakalimi para syve të shortit dhe destinit të personazheve - persona, si të dalë prej kushtit njerezor, konditës humane alla Malraux : Sytë e Ilukut që sheh honin - i vërvitur nga shkëmbi; Soll Lili e Saliu - të dënuar si poliagjent; Jani Ferra - i burgosur politik; sytë e kaporal Pelegrinit - i mbytur me thonj; sytë e Fetahut - i shpronësuar brezash lënë pa brekë;

Por edhe Harpagoni - i vdekur si qen; Tartufi - i helmuar me hipokrizinë e vet. Dhe deri te sytë e joshjes edhe krekosjes, Xha Sulot e sulmet dhe shkulmet e soj e sorrollopëve...
Pastaj kuaj të pikëlluar, qen gjahu të lodhur, derra pa nuhatje, dhelpra që nuk njohin pulat, sic nuk shquajnë hardhinë por vec derivatet e rrushit, gjela që kakarisin...etj, etj.

Si për të plotësuar kuadrin e një skene në oborrin e pasëm të Grazhdit të bagëtive në fermën e kafshëve orwelliane.
Vec një palë sy të gjallë të përlotur mbase nuk do keni rastin t’i shihni. I pashë unë!

Sytë e njomur të artistit që për një cast u ndërkall në zhguallin e fatit të roleve dhe nisi të shpallte kalvarin e vuajtjeve të secilit: i vrarë, i marrë, i ekzekutuar, i internuar, i grabitur, i vërvitur...!
Ndoshta se kishte parë pikëllimin e tyre kaq pranë e bashkarisht sa mund ta paraqesë një arradhë personazhesh të nxjerra posacërisht nga celuloidi për t’u fiksuar në fotografi si memorial i bëmave groteske dhe shpesh të së ligës që vetëm arti mund ta bujtë për bukuri. Dhe ashtu, i mishëruar në sytë e personazheve e në të tyren dhimbje, si harac i sublimes së cdo arti të bere mire, artisti i përloti një palë sy - sytë e tij, te vertete. Dhe s’ishte vetëm.

Sidoqoftë, kokë e këmbë apo sadopak, ishim dhe unë, ti, ai, ajo, ne, ju, ata, ato.      
 
Monografia e famshme La chambre claire - Shenjim mbi fotografinë - e filozofit Roland Barthes çelet me këtë rresht mbi mjeshtërinë e fotografit: Një ditë rashë në një fotografi të vëllait të Napoleonit.. dhe befas i thashë vetes frazën, që qysh ahere më ka ngelur në mend:

Po shoh sytë që kanë parë perandorin! ...dhe perandorinë.
Mund të isha pothuaj i kënaqur, pranë lumturisë edhe pezmit të artistit, kur dikush në ekspozitën e tij, qoftë edhe pa e shprehur, të mendonte: Ja sytë që kanë parë një farë kohe shqipërie: Shqipërinë. 
Albert Verria

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)

Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, Ja reagimi i kryeministrit Edi Rama (VIDEO)