Kur shkrimtari Hamdi Meça shkruante Letërsi për fëmijë…

Kur shkrimtari Hamdi Meça shkruante Letërsi për fëmijë…

Hamdi Meça

Hamdi Meça është njëri nga shkrimtarët më interesantë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Pak i studiuar. Padyshim më produktivi i gjeneratës së tij. Me emrin e tij lidhen edhe këto vepra: “Ben, Ben, kapiten” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1976), “Dhelpra dhe bletët” (përrallë në vargje, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1976; botim i plotë: Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2000), “Lule shqiponjat kruetane (poema, Sh.B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1976), “Ketri trim” (poemë-përrallë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1977; botim i plotë: Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2000), “U rrita, moj nënë!” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1977), “Gjuha mëmë” (poemë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1978), “Duar që nuk rrinë pa punuar” (vjersha dhe përrallëza, Tiranë 1980), “Nëna me zemër sa liria” (poema, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1980), “Ra ylberi përmbi shkollë” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1980), “Besa e flamurit” (vjersha dhe poema, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1984), “Një shportë me pranverë” (vjersha, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1986), “Pishtari i xixëllonjës” (fabula, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1988; botim i plotë: Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2000), “Laraska pa bisht” (fabula, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1991; botim i plotë: Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2001), “E bukura e dheut” (novelë-legjendë, Sh. B. “Rozafa”, Tiranë 1994; ripunuar: Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2001), “Tomi dhe Xherri” (poemë-përrallë, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 1999), “Luani në fron” (fabula në prozë, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 1999), “Ura magjike” (tri poema e një përrallë në vargje, Sh. B. “Jeruzalem, Krujë 2000), “Piktori dhe përbindshi” (fabula, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2000), “Trumcaku në grevë urije” (fabula, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2001), “Shpërthimi i resë” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2003), “Çudirat e gjyshit Gon” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Xhipi i lagjes” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Xhani i vogël” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Një çudi në qiell” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Stërnipi i Skënderbeut” (tregime, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Gjithë të mirat” (përralla, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Jam shqiptar” (poezi, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), “Alpinisti i qiellit” (poezi, Sh. B. “Jeruzalem”, Krujë 2004), etj.

Po t’i hedhim një sy procesit historik e letrar të rrugëtimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, shkrimtari Meça, në vetvete, është një ‘Shkollë’, kjo e lidhur me profilin që ai na ka ofruar me krijimtarinë e tij në disa gjini të lëvruara e cilësore. Qëndron denjësisht pranë disa ‘Shkollave’ që krijuan disa shkrimtarë të shquar të kësaj letërsie, si: Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Tasim Gjokutaj, Agim Deva, Rifat Kukaj, Rexhep Hoxha, Gani Xhafolli, Fejzi Bojku, Rrahman Dedaj, Anton Pashku, Ymer Elshani, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, etj.

Kur themi ‘Shkollë’, e shohim të plazmuar me gjinitë, që shkrimtari Meça ka lëvruar, si: poezinë, poemën, tregimin në vargje, tregimin, legjendën, fabulën, romanin, etj. Nga njëri libër në tjetrin, nga përceptimi dhe vështrimi im, shfaqen disa dukuri që zënë vend mirë në veprat e shkrimtarit. Përsëriten pa rënë në përsëritje. Fitojnë epërsi, ngjyra poetike dhe veçanti. Rrezatojnë herë dukshëm dhe herë padukshmërisht në hapësira e porcione të caktuara; por kanë përbashkësi se legjitimojnë profilin e shkrimtarit Hamdi Meça.

Po mundohemi të zbulojmë disa nga këto dukuri gjatë studimit të kolanës letrare të shkrimtarit Hamdi Meça.

*Hamdi Meça, ndoshta është nga shkrimtarët më të veçantë, ku Historia e Vendlindjes është e pranishme dhe pasqyrohet, herë si: shqotë, puhizë, amanet, ëndërr… e vazhdon si një diell, mik e bashkudhëtarë i shkrimtarit. Po ku konsiston veçantia? Epoka kruetane është si të thuash Epoka e Skënderbeut, janë bazament dhe tors në ndërtimin, zhvillimin dhe thellimin e profilit letrar të shkrimtarit. Rrugë jo e lehtë, së cilës ia ka dalë mbanë. Brenda profilit jeton historia me përmasat e saj, ku Liria dhe Ekzistenca, Dheu dhe Ëndrra mbeten shtyllat kryesore që kanë ngritur këtë ‘ngrehinë” përmes një rrëfimi filozofiko-poetik. Identifikimi i Vendlindjes me Epokën skënderbejane bën që drita e historisë t’ia ndrit rrëfimet poetike e ato në prozë të autorit.

*Hamdiu, në krijimtarinë e tij, i ka mëshuar dhe i ka besuar detajit poetik. Është befasues dhe në të shumtën e rasteve mahnitës. S’është asnjëherë i pamotivuar. Është i përligjur dhe të fal emocion. Në poezi, në poema e në fabulat (në prozë) gjen shembuj dhe faqe të tëra, ku mbizotërojnë detajet poetike. Abstragimi i detajit ruan gjithnjë konkretësinë reale, dhe kjo është mjeshtëri. Ky raport i kujdesshëm nga ana e autorit, mbart imazhe dhe ngjyra të lloj-llojta me krahë ëndrrash dhe fushash të pafund imagjinate. Për rolin dhe funksionin semantik që luajnë këto detaje, mënyra e gjetjes, si dhe elementi krahasimtar, simbolik e alegorik, doemos, kërkojnë një studim më vete.

*Shkrimtari Meça, në krijimtarinë e tij letrare shfaqet ‘një poezi’ që e shoqëron gjithnjë. Ajo ka një ngjyrë prej talentit të tij. E pranishme, edhe kur rrëfen, edhe kur filozofon, edhe kur ndërton fabulën, e cila kaq aq të papritura. Ngjyrë, - ku epika ndërthuret me lirikën. Edhe atëhere ku lirika është mbizotëruese nuk e përjashton epikën, ajo është diku zgjuar në një kënd të shpirtit të shkrimtarit. Kundron. Jo e huaj, por e përligjur. I tillë është dhe shpirti i Hamdiut, sa epik aq lirik, sa lirik aq epik…, por gjithherë me dimensione njerëzore e humane.

*Po t’u referohesh tregimeve të shkrimtarit Hamdi Meça, kupton se ata “fshehin” vite pune krijuese, lodhëse e përpunuese; me kërkesa rigoroze ndaj vetes, që produkti letrar të jetë sa më i përtypshëm për lexuesit e vegjël. Tregimet me të gjithë komponentët që kërkon kjo gjini  e kanë një adresë moshore (nuk ka hallakatje) dhe e përligjin bukur artistikisht atë (moshën). E, Hamdiu për vetë natyrën krijuese në raport me lexuesin, ka një harmoni dhe një sublimitet. Autori e njeh këtë psikologji. Kjo është arsyeja që, tregimet të rrëmbejnë që në leximin e parë. Diku subjekti më i plotë (në kuptimin pozitiv: me ndërtim kompozicional të kësaj gjinie), diku bulëzim subjekti, diku… edhe pse një rrëfim paksa tradicional; është e pamundur të mos përfitosh përftesa, si këto: *shije dhe dialog etik dhe estetik, *atmosferë jetësore dhe atmosferë përrallore, *larmi figurash letrare, *detaje poetike “të çuditshme” por të pranueshme dhe të befta, etj.

*Tregimet e shkrimtarit Meça i lidh POETIKA, e cila është një veçori tjetër e individualitetit të Hamdiut. Konceptualiteti i kësaj POETIKE, lëvizja dhe dinamika e saj zhvillimore, arritjet e saj, fushëpamja, etj., - flasin për një vështrim horizontal e vertikal të botës së fëmijëve, të njohjes në vazhdueshmëri të saj. Në dialogët e veprimet e personazheve, në gjestet e psikikën e tyre, po ashtu edhe në portretin detajues është e pamundur të mos vëresh: *pafajsinë dhe kurreshtjen, *imagjinatën përrallore, *lojën dhe çiltërsinë e tyre, etj. Në thelb kjo është mjeshtri. Dhe të kuptohemi… ka një të vërtetë: Shkrimtari Hamdi Meça është mjeshtër në rrëfimin e tij edhe si tregimtar! Një rrëfim gjithë poezi brenda “trungut” subjektor, dhe hapësinor drejt livadheve të gjelbra ëndrrakërkuese. Poetikisht, Hamdiu në krijimet e tij “ulet njësh me personazhet dhe lexuesit”. Po si?.. Si mik, si vëlla, si prind, si krijues, si... Është dhe një arsye (ndonëse ka shumë arsye) pse këto tregime të këtij vëllimi, që në titull cilësohen me emër personazhi (kanë jetë dhe ngjarjen e tyre), edhe pse në dukjen e jashtme janë format i vogël; të shijojnë, të rrëmbejnë, të emocionojnë, të bëjnë për vete. Arsyeja? Sepse në to nuk ndjehet asnjë pikëz moralizimi i thatë, i mërzitshëm, proliks. Dhe… “shpëtimi” ka ardhur, sepse autori i ka besuar subjektit në ngjarjen e ndodhur, ngaqë e ka mirëmenduar. Dhe… “shpëtimi” ka ardhur, sepse autori ka ruajtur sensin e masës së frazës, e cila është plot ngjyrë, intensitet dhe mendim.  Dhe… “shpëtimi” ka ardhur, sepse autori ka futur më mjeshtri në “lojë” (POETIKËN e tij) përmes detajeve të gjetura të saj. Dhe, këtu, mendoj se mund të jetë një shteg tjetër frytdhënës, ku duhet ta kërkojmë individualitetin e Hamdi Meçës, veçanërisht në gjininë e tregimit të shkurtër.

Këto ishin disa dukuri e, plot të tjera i gjen në krijimtarinë e larmishme të shkrimtarit Hamdi Meça, i cila solli një letërsie të begatë. I thamë këto fjalë për këtë autor të talentuar, pasi nga vëzhgimet tona konstatojmë se autori i është përkushtuar një letërsie tjetër, larg asaj për fëmijë e të rinj. Me këto botime që bën autori Meça, na bën të mendojmë se… sikur e ka mbyllur këtë proces letrar. Gjithsesi kurrë nuk është vonë të rikthehesh te letërsia shqipe për fëmijë e të rinj, aq më shumë kur je i talentuar. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar