"Kur Sigurimi Shtetit thirri Lefterin në Vlorë për këngën e anijes ‘De Rada’, pilurjotët i çuan fjalë Hysni Kapos, i cili..."/ Si shpëtoi nga burgu, 'Lasgushi' i Bregut?

Vetëm cilësori “i panjohur” nuk i shkon Lefter Çipës, sepse dhe ata që nuk janë takuar fizikisht me atë, kanë takuar poezitë dhe këngët e tij, duke krijuar në këtë mënyrë njohjen më të plotë me shpirtin e tij. Jashtë çdo dyshimi, shpirti përmban brenda vetes, vetëm ato që janë thelbësore në tipin e njeriut, ato që përcaktojnë karakterin, veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij në jetë, duke i lënë t’i marrë era e harresës disa dukuri rastësore. Veçse edhe këto dukuri rastësore janë pjesë e jetës së njeriut dhe ndodh që edhe ato lënë gjurmë në jetën e tij, sidomos kur këto dukuri shfaqen si plagë jete.

I-Është rastësore datëlindja e Lefter Çipës më 14 shkurt 1942 në fshatin Pilur, sipas regjistrit themeltar të gjendjes civile, madje rastësore do ishte edhe po të qe e saktë, por për hir të së vërtetës, duhet të saktësojmë se Lefter Çipa as ka lindur në datën 14 shkurt 1942 dhe ca më pak të ketë lindur në Pilur. Lefter Çipa ka lindur në vjeshtën e tretë të vitit 1941, në zonën e Malit të Çajupit ku familja e Andra Çipës ishte me bagëti. Lindja e Lefterit dhe një problem shëndeti i nënës së tij lehonë, e vonoi rikthimin familjes në Pilur, e cila u kthye bashkë me bagëtitë nga mesi i muajit dhjetor 1941.

Sigurisht që ju do nxitoni të pyesni: pse nuk e regjistroi familja në dhjetor, koha kur u kthyen në Pilur, por e “zvarritën” akoma më shumë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: pilurjotët e kanë merak të shtojnë djemtë në vatër dhe bagëtitë në vathë, por sa për të bërë regjistrimin e tyre, gjithmonë vonojnë. Djemtë i regjistronin edhe me dy-tri vjet vonesë, që të vononin vajtjen e tyre ushtarë, ndërsa bagëtitë nuk i regjistronin që të mos paguanin taksa. Realisht, Lefter Çipa, duke u regjistruar disa muaj pas lindjes së tij, është regjistruar më “shpejt” se sa “t’i vinte koha” në raport me vërsnikët e tij bashkëfshatarë.

Pikërisht në këtë moment “ndërhyn” tenente Luigji Morreti, i cili në atë kohë ishte fuqiplotë në Himarë. Rasti e pruri që në fillim të shkurtit të vitit 1942, Morreti të shkonte dhe në Pilur për të verifikuar boshllëkun e lindjeve në regjistrat e gjendjes civile të Himarës. Në Pilur mbeti i befasuar tek pa që sheshi i fshatit gumëzhinte nga fëmijët dhe aty kuptoi që fshatarët nuk i regjistronin fëmijët që lindnin, por nuk e kuptoi dot arsyen. Megjithatë, detyra i tha të mbledhë burrat e fshatit dhe pas një fjalimi të shkurtër, urdhëron të shkojnë me urgjencën Himarë dhe të regjistrojnë fëmijët e paregjistruar, përndryshe do kishin pasoja.

Meqenëse Andrea Çipa, i ati i Lefterit ishte në stan me bagëti, problemin ja bënë të ditur pas dy ditëve kur erdhi në shtëpi, ndaj dhe të nesërmen morri rrugën tatëpjetë për në Himarë, duke mërmëritur kundër tenentes italian që i humbi kot fare, për hiç mos gjë ditën e kullotjes së bagëtive. Kur mbërriti në zyrën e gjendjes civile në Himarë, inati nuk i kishte ikur akoma, ndaj dhe pyetjes së nëpunësit se: kur i kishte lindur djali dhe si do ja vinte emrin, ju përgjigj shkurt:- “Sot më lindi dhe Lefter do e quaj. Mbase lefterosemi një herë e mirë nga këta”. Ishte data 14 shkurt 1942.

II-Regjistrimi në datën 14 shkurt 1942 ishte një rastësori dhe pa ndonjë efekt në jetën e Lefter Çipës, por shpërngulja e familjes nga Piluri në qytetin e Vlorës në vitin 1950, si përgjigje kërkesës për fuqi punëtore në N. B. “Vlora” të porsakrijuar dhe vendosja e tyre me banim në Lagjen “Pusi i Mezinit”, sado e zakonshme të duket ishte vendimtare në formimin e botës krijuese të Lefter Çipës. Nga një fëmijëri fshati malor, ku era fërshëllente si këngë, zbriti në një qytet, ku në çdo rrugicë i fliste lavdia e historisë.

Nqse në Pilur vraponte zbathur e me rroba të vjetra, këtu mësoi të ecte serbes dhe kurdoherë i veshur me finesë. Kreu shkollën 7-vjeçare dhe më pas shkollën e Rezervave për murator. Kaq mund t’i afronte ambienti zyrtar vlonjat këtij pilurjoti të vogël dhe kureshtar. Etjen e tij për kulturë dhe art e njohën më vonë, kur panë që me përçapjet e tij kreu disa kurse specializimi për regjisurë, aktrim dhe kulturë masive. Ishte koha kur filloi të organizonte grupet artistike dhe të estradës amatore të Ndërmarrjes Bujqësore “Vlora”, ku kishte filluar punë si punëtor.

Aty e preku fati me dorë, një fat që kishte portretin e muzikantit Themistokli Mone, i cili e afroi këtë djalosh simpatik dhe elegant dhe nisi ta ndihmojë për numrat muzikorë të estradës së tij, për ta afruar më pas me “trion vlonjate”. Pasionin e tij e zhvilloi dhe në dy vitet e shërbimit ushtarak, të kryer në Maliq të Korçës, madje në ‘Maratonën Kulturore’ të Ministrisë së Mbrojtjes, grupi që e drejtonte ai doli kampion republike. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak rikthehet në Vlorë dhe në mungesë të një mundësie më të mirë, rifilloi punë si punëtor në ullishte, por ndërkohë nuk hoqi dorë nga pasioni i tij për artin dhe vazhdoi të drejtonte veprimtarinë artistike të Ndërmarrjes Bujqësore

Kjo punë e bëri që të shtonte kontaktet dhe miqësinë me Themistokli Monen, i cili duke parë dhuntinë e tij në krijimin e vargjeve, e afroi pranë “Trios Vlonjate”.

III- “Trioja vlonjate”, u krijua në një nga ditët e fundit të muajit maj të vitit 1950 dhe përbehej nga baritoni Konstandin Thana (Shkodër 21 Maj 1929 – shkurt 2013)-“kthyes”, me origjinë nga Shkodra, por familja e tij ishte vendosur në Vlorë para Luftës së Dytë Botërore, “tenori” vlonjat Reshat Osmani (Vlorė 14 Janar 1928 -Vlorė 10 Nëntor 1994)- “marres” dhe soprano Besharete Ismaili-(Vlorė 1930)- “marrëse”. Në vitin 1953, pranë këtij grupi futet edhe alto Meliha Doda – “marrëse” (Tiranë 25 Maj 1933) me origjinë nga Prizreni, e cila zëvendëson Besharete Ismailin. Në ditën e formimit “Trioja Vlonjate” kishte këngëtarët me moshë të re: Reshat Osmani ishte 25 vjeç, Kostandin Thana ishte 26 vjeç dhe Meliha Doda ishte 22 vjeçe. Në vitet ’79, në përbërje të grupit do të bashkohej edhe Kleopatra Skarço nga Narta.

Me këtë përbërje ky formacion zhvilloi veprimtarinë e tij gjer në vitet ’80-të. Kėngėt e “trios vlonjate” konsiderohen me të drejtë si kėngė tė repertorit tė muzikës popullore qytetare vlonjate tė gjysmës së dytë të shekullit XX-të. Kėngėt janë shoqëruar nga një formacion me vegla muzikore si klarinetë, violinë, dajre etj. Ishte formacioni më simpatik dhe më i kërkuar në çdo qytet të Shqipërisë, ndonëse qendrën e aktivitetit e patën në qytetin e Vlorës si dhe disa qytete si Lushnja dhe Gjirokastra, formuan formacionet e tyre treshe. “Trioja Vlonjate” ka dhënë koncerte, jo vetëm në çdo qytet të Shqipërisë por edhe jashtë vendit si: në Kosovë, Bullgari, Rumani, Poloni, Kinë, Egjipt etj. Në Festivalin Botëror të Këngës Popullore të vitit 1957 në Moskë, “Trio vlonjate” do të arrijë vendin e tretë, sukses i madh, po të kemi parasysh kohën e aktivizimit të këtij grupi muzikor. Kujtojmë se kënga e parë e trios vlonjate është: “Ku këndojnë zogat o”, ndërsa mbarimi i veprimtarisë së tyre daton në fund tė viteve ’80-të.

“Trioja vlonjate” funksiononte në këtë mënyrë: dy burrat ishin “marrësi” dhe “hedhësi” të këngës, ndërsa e treta ishte zëri i gruas. Ishte një formë e të kënduarit prej tre vetash, si te kënga treshe e Dukatit, veçse ajo ishte këngë iso polifonike, ndërsa “trioja” ishte një formë e këngës popullore me elementë të grupit lab. Me këtë grup u afrua Lefter Çipa.

IV- Lefter Çipën e thirri Themistokli Mone, pranë “Trios Vlonjate”. Ai e kishte njohur Lefterin në aktivitetet e tij amatore në Ndërmarrjen Bujqësore “Vlora” që kishte veshë muzike, që njihte notat prandaj e ftoi në bashkëpunim me formacionin muzikor të trios, bashkëpunim që u kurorëzua me një seri këngësh të suksesshme. Kështu kënga “Thëllëzat kur hedhin valle” është me tekst të Lefter Çipës dhe muzika e Themistokli Mone.

“Thëllëzat që hedhin valle moj thëllëzat
Hedhin valle me ngadalë moj thëllëzat
Dilni shihni ju thëllëzat-o
Që na e marrin vallen shtruar-o
Thëllëzat poshtë e përpjetë moj thëllëzat
Sa të bukura me lezetë moj thëllëzat
Dilni shihni ju thëllëzat-o
Që na e marrin vallen shtruar-o”

Po kështu Lefter Çipa ka shkruar për “Trion Vlonjate” tekstet këngëve: “Në një arë në një lëndinë”, “O ky bregu i detit, ka bilbila shumë”, “Në ato male mbi Sopot”, “Ku je rritur je bërë kaqe/xhan xhan moj manushaqe”, “Dy pëllumba mbi çati”, “Aromë portokalli”, “Vashëza në zall të lumit” apo “Dy thëllëza në një portë” etj. Karakteristikë e këtij bashkëpunimi ishte fakti se këngët e tyre mund të këndoheshin edhe në korale. Kështu p.sh., Ansambli i Ushtrisë ka kënduar këngën “Në ato male mbi Sopot”. Përgjithësisht kur flitet për Lefter Çipën, harrohet kjo pjesë e jetës së tij dhe ky kontribut artistik, por ne duhet të cilësojmë se pikërisht kjo periudhë është faza e “mbirjes” së “fidanit” krijues poetik dhe muzikor të Lefterit. Angazhimi me “Trion Vlonjate”, rriti te ai kërkesën ndaj vetes për një nivel të lartë artistik të krijimtarisë së tij. Jetesa e tij në qytetin e Vlorës i kultivoi kulturën qytetare në marrëdhëniet shoqërore dhe familjare.

V – Realisht këngë me tekste të Lefter Çipës nëpër vite kanë kënduar shumë këngëtarë si: Irini Qirjako – “Bejka Pilurjote”, Mentor Xhemali – “Tre burra të larte” (Vëllëzërit Frashëri), Përparime Zilfaj – “Bënça e zallit”, Aurela Gaçe – “Tundu Bejke e bardhë”, “Ylli përmbi buzë” – Petrit Lulo, “Moj ti e xhindosurë”- Geno Selfo, Gjirokastër, “Të mirë fluturim këmisha”, “S’të kam harruar” – Mariza Ikonomi” ,“Fry moj erë” – Mentor Xhemali, si dhe shumë këngë të Hysni Zelës dhe Eftimi Llambros etj., por kjo është një temë tjetër.

VI- Po të ndalemi te kënga “Vlora jonë, qytet i bukur”, që është gjithashtu krijim i Lefter Çipës, duhet të theksojmë se ai e shkroi si kushtim nderimi Themistokli Mones dhe Petro Markos. Pak veta e dinë që Lefter Çipa kishte një idhull dhe ai qe Petro Marko. Pak veta e dinë që Lefter Çipa nuk shkruante në kompjuter, por shkruante vetë në makinë shkrimi dhe qysh nga 12 janari i 2013-ës, ai shkruante vetëm me makinën e shkrimit të Petro Markos, dhuruar nga e bija e tij Ariantita Marko. Të trashëgosh makinën e shkrimit të Petro Markos është si të trashëgosh ndonjë kështjellë zulmëmadhe atdhetare, të njohur për luftërat dhe qëndresën heroike, ku çdo gur i saj kullon lavdi.

Në vijim ju paraqesim tekstin real të këngës: “Vlora jonë qytet i bukur” që është si vijon :

“Vlora jonë qytet i bukur
rreth e qark o me ulli,
djem e vajza porsi flutur,
gjithmonë do kthehen tek ti.
Pritna ti moj Vlorë e dashur
Pritna ne,
Ëndërr natën, këngë ditën
Je për ne.
Me ullinj e portokalle,
Mbushur bregu me limonë,
Djem e vajza si sorkadhe,
I nxjerr gjiri i Vlorës sonë.
Pritna ti moj Vlorë e dashur
Pritna ne,
Ëndërr natën, këngë ditën
Je për ne”.

Themistokli Mone e kompozoi këtë tekst, por çuditërisht pjesëtarëve të “Trios Vlonjate” ju dha një tekst i ndryshuar në variantin “Djem e vajza porsi flutur / që i rrit nëna Parti” dhe me refrenin bajat… “Prina moj parti e dashur /Prina ne / Roje për fitoret tona / Ti na ke”. Po të studiosh tekstin real, krijim i Lefter Çipës bie në sy lirizmi dhe fryma rinore, që s’ka si të jetë ndryshe sepse ajo këngë u shkrua për rininë vlonjate. Teksti origjinal s’kishte asnjë lidhje sado të largët me partinë por Lefteri “harroi” që me një tekst të arrirë, mund t’i këndohej vetëm partisë dhe çdo “harrim” kishte koston. Faktikisht ndryshimi i tekstit ishte bërë dhe kjo ndërhyrje e jashtme në tekst ishte një sinjal politik për poetin dhe kompozitorin. Themistokli Mone heshti dhe filloi të qëndronte i vetmuar, ndërsa Lefter Çipa foli siç fliste ai. Nuk dihet skenari që është luajtur, por në vitin 1966, nisi lëvizja kundër burokracisë dhe familjen e Çipajve e rikthejnë në Pilur, ku Lefteri filloi punën si murator. Duhej të vinte viti 1968 që të caktohej Përgjegjës i Vatrës së Kulturës në Pilur, prej nga filloi atë ecje triumfale në folkloristikën shqiptare..

VII- Ardhja e Lefter Çipës në Pilur i ngjau rënies së një meteori në tokë, zhurma dhe “flakët” u shpërndanë në çdo drejtim. Në një fshat malor, ku banorët rëndom vishen me rroba leshi që nga kanatjera, bluza, xhaketa e deri te pantallonat tip “poture”, na rikthehet nga qyteti një djalë i vendit 24 vjeçar, veshur me një kostum të hollë e të bardhë si letër cigare! Sikur të mos mjaftonin këto, na paskësh një këmishë të zezë (ruajna zot, ku e “poftisi”) dhe mbi të kishte hedhur një “kullaro” të bardhë që dukej që atje tejë. Doni më…?! Ju them që ta dini se burri, duhet të mbajë era raki ose duhan, por ja që ky djali i Çipe, dukej sikur “pinte” livando në vend të rakisë. Te ishte kaq, hajde de, por ja që kishte akoma. Se mos mendoni që kishte veshur opinga si gjithë pilurjotët. Jo more jo, këpucët e bardha i dukeshin që përtej dhe brenda tyre një palë çorape me lule u prishën mendjen dynjasë. Fshati gumëzhinte nga komentet për veshjen e Lefterit, të rinjtë e mbronin, pleqtë thoshin se doli “i trembëdhjeti i Koranit”. Më kujtohet që dhe mes pilurjotëve me banim në Sarandë, flitej për këtë të “Koranit” por, shtonin që paskësh qenë i bardhë, jo i zi.

Mirëpo një ditë dëgjuan në radion e klubit të fshatit një këngë të “Trios Vlonjate” dhe dikush tha që atë këngë e kishte “kërrier” Lefteri i Çipe. Kënga u pëlqeu pleqve se fliste për ca thëllëza që hedhin valle e këndojnë, njësojë si vajzat e fshatit ditën e Pashkës së Madhe te sheshi i fshatit. Aty ndryshoi shikimi ndaj Lefterit, nga një shikim pjerrtas, si me nënvlerësim, në një shikim të drejtpërdrejtë, të ngrohtë. Dalëngadalë njerëzit u mësuan me veshjen “qytetarë” të Lefterit, madje kur morën vesh që ai jo vetëm dinte të “kë-rrente” vjersha por dinte dhe “t’u vinte këngën”, melodinë de, atyre vjershave, bile dinte edhe të këndonte, atëherë e quajtën “djali inë”, duke i dhënë në këtë mënyrë “pasaportizimin në Pilur. Shumë shpejt do mësonin se ky djalë ishte një “vigan” i artit.

VIII- Viganët nuk pengohen vetë në ecjen e tyre, por ata që duan t’i pengojnë u bëjnë të rrëshqitshme dheun në rrugën ku kalojnë, që t’u rrëshqasë këmba. Kështu i ndodhi dhe Leftër Çipës me një “këngë” të kënduar në karrocerinë e një “Zis”-i kooperative ,në rrugën Himarë-Pilur. Ishte një ditë tetori e vitit 1972 dhe bëhej konkurrimi zonal në Himarë. Juria e festivalit, me qëllim që të “ndihmonte” grupin e Himarës, u dha vlerësim për vend të parë dy grupeve, grupit të Himarës dhe të Pilurit. Pilurjotëve nuk u pëlqeu ky “barazim” me Himarën, por s’kishin ç’të bënin. Grupi himarjot kishte kënduar këngën: “Çan anija shqiptare / Nëpër dallg e në stuhi/ Kapiten shoku Enver/ E drejton me zotësi” dhe ishte në rregull me vijën politike të kohës, pa çka se nuk ishte në rregull me artin dhe kapriçon pilurjote. Dikush nga grupi i Pilurit, u kujtua se ato ditë ishte arratisur me anien “De Rada”, ku ishte kapiten i anies, njëkohësisht dhe anëtar i plenumit të Partisë së rrethit, Vasil Malai me gjithë familjen e tij, gjithsej 32 veta, një arratisje që bëri bujë të madhe.

Grupi i Piluri, ndërsa kthehej me makinën e kooperativës nga Himara për në Pilur, befas nisi të këndojë këngën e grupit të Himarës, por me tekst të ri: “Çan De Rada shqiptare/ Nëpër dallgë e në stuhi/ Kapiten Vasil Malai/ Po marshon për në Greqi”. Kënga u shijoi pilurjotëve si një hakmarrje ndaj himarjotëve, “që donin të barazoheshin me Pilurin”, por ngjarja dhe teksti i këngës u raportua te njerëzit e Sigurimit të Shtetit, madje u shtua se “tekstin e parodizoi aty për aty Lefter Çipa”. Lefteri thirret me urgjencë në Degën e Punëve të Brendshme në Vlorë. Situata ishte e tensionuar për vetë arratisjen dhe Sigurimi kërkonte të shfrynte inatin diku. Gjithë pilurjotët e mbanin frymën pezull, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve, pasi e dinin se çdo të thotë “inat Sigurimi”. Gjithashtu e dinin mirë se po të “rrëzohej” Lefter Çipa, Piluri dhe pilurjotët do merrnin rrokullimën.

Lefteri ishte pema degëgjerë që i mbronte të gjithë nga shiu dhe nga vapa. Prandaj me anë të njerëzve të tjerë, pilurjotët vunë në dijeni Hysni Kapon dhe i sqarojnë se Lefter Çipa, s’kishte të bënte fare me atë tekst e atë këngë. Hysni Kapo kaq donte, u thotë drejtuesve të Vlorës që: incidentin ta zgjidhnin sipas ligjeve, por të mendonin si do përfaqësohej në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës rrethi i Vlorës, pa Pilurin! Sinjali ishte i qartë, kështu që kjo ndërhyrje e shpëtoi Lefter Çipën nga burgu, por jo nga ndëshkimi. Hiqet nga detyra e përgjegjësit të Vatrës së Kulturës dhe dërgohet me punë edukuese, punëtor me kazmë në prodhim, në bujqësi. Në kuadër të ndëshkimit, në vitin 1974 nuk e caktojnë si përgjegjës i grupit të Pilur për në festimet e 30 vjetorit të Kongresit të Përmetit, por në vendin e tij caktuan një agronom (?) i cili krijonte vargje, madje për këtë rast kishte pregatitur një tekst kënge që niste me vargjet: “Shokë e shoqe përmetarë/ Patriot e atdhetarë”. etj. Të ngjitesh në majën e “28 mijë yje” apo të “Bejk e bardhë” dhe të katandisesh të këndosh këngë të tipit “shokë e shoqe përmetarë”, është ulërimë e shkuar ulërimës…!

Grupi protestoi dhe deklaroi që nuk do shkojë fare në Përmet po qe se nuk u jepet një këngë me tekst të Lefter Çipës, madje edhe vijën melodike ta pre gatisë Lefteri dhe të jetë ai vetë përgjegjës i grupit, i pranishëm në Përmet. Protesta e grupit i frikësoi drejtuesit e rrethit, ndaj dhe u detyruan t’a “rehabilitojnë” Lefter Çipën. Kështu ndodhi që në Përmet grupi i Pilurit u paraqit me këngën: “Në Përmet u bë kuvendi/ Edhe u zhvillua kongresi/ Kur nga lufta tundej vendi/ U vendos sovraniteti/ Nga trimat e zemerekut/ Dalur nga gryk e dyfekut”.

IX- Lefter Çipa ishte një krijues i një tipi të veçantë. Të gjithë thonë se Lefteri “u vinte” melodinë teksteve poetike që krijonte, grupi e këndonte dhe kështu dilte kënga pilurjote. E vërteta me Lefter Çipën qëndron krejt ndryshe. Në qoftë se Lefter Çipa do t’u vinte “melodinë” teksteve të tij poetike, atëherë do kishim të bënim me një poet dhe një kompozitor që bashkohen (qoftë dhe te një person) dhe krijojnë një këngë për t’u kënduar. Kështu funksionojnë këngët e festivaleve të muzikës së lehtë p.sh., por jo krijimtaria e Lefter Çipës. Krijimtaria e Lefter Çipës është totalisht e ndryshme.

Në qoftë se te muzika e lehte teksteve poetikë u “vishet këmisha” e melodisë, tekstet e Lefter Çipës lindin “me këmishë” veshur. Kjo nuk është një figurë letrare, kjo është e vërteta e shprehur nëpërmjet një figure letrare. Vija melodike e këngëve të Lefter Çipës është “brenda” vargjeve poetikë, ashtu si bërthama është brenda frutit. Lefter Çipa nuk lodhej t’u “vishte” melodinë vargjeve të tij, ai bashkë me grupin përpiqeshin ta “lironin” melodinë nga brenda vargjeve. Ai, kur i shkruante vargjet poetike, me veten e tij, brenda vetes së tij i “këndonte” ato.

Kështu shpjegohet që kur i paraqiste grupit tekstin poetik, ai i paraqiste edhe vijën melodike. Sigurisht në vijat kryesore. Pastaj grupi i këngës, bashkë me Lefterin uleshin dhe punonin për hollësitë , qofshin këto të fjalëve të tekstit, qofshin hollësitë e vijës melodike. Kjo punë nuk mbaronte për një ditë apo për një muaj. Ka patur raste që me një tekst kënge dhe me vijën e saj melodike të jetë punuar dhe 4-5 muaj, çdo ditë dhe disa orë në ditë. Të punoje në grupin iso polifonik të Pilurit me drejtues Lefter Çipën lodheshe e sfilitesh në kuptimin e plotë të fjalës më shumë se të realizoje normën me kazmë në bujqësi. Por ishte pikërisht dashuria për artin, pasioni për këngën e anëtarëve të grupit që krijuan atë monument arti iso-polifonik prej këngësh, mes të cilave shumë krye-vepra të iso-polifonisë.

X- Lefter Çipa ka krijuar mbi 1250 këngë të cilat janë kënduar nga grupet iso -polifonike si ai i Pilurit, të cilin e ka drejtuar qysh nga viti 1968, grupet polifonike të Himarës, Bënçës, Dhërmiut, Gjirokastrës, Vlorës, Lapardhasë, Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve si dhe dhjetëra ansambleve të tjera artistike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo këngëtarë të ndryshëm etj. Realisht, këngët e Lefter Çipës do shtohen akoma pasi vjershat e tij janë të gjitha plot me melodi. Do sjellë koha një artist tjetër si ai që do ta “lirojë” melodinë nga brenda vargjeve dhe atëherë studiuesit do zgjerojnë gamën e studimeve të tyre mbi krijimtarinë e Lefter Çipës.

Kur bie fjala për krijimtarinë letrare të Lefter Çipës të gjithë i përmendin botimin e 18 librave, ndërsa në fakt botimet e tij janë 19 libra 11, sepse duhet të përfshihet dhe botimi i fundit “Njerëz me dritë”: Refleksione, intervista, poema, letra, sentence, epistolate, vlerësime- realizuar nga Botimet M & B në fillim të vitit 2021. Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

S'ka revansh për 'Gypsy King', Usyk e mposht sërish britanikun! Polemika për rezultatin (VIDEO)

S'ka revansh për 'Gypsy King', Usyk e mposht sërish britanikun! Polemika për rezultatin (VIDEO)